Kërko

Indigjenë të Kanadasë Indigjenë të Kanadasë

Kanada, një delegacion i popujve indigjenë te Papa, në dhjetor

Lajmin e jep Konferenca Ipeshkvnore Kanadeze (CCCB), e cila shpjegon qëllimin e nismës: “për të inkurajuar takime dialogu dhe shërimi”. Në delegacion, edhe përfaqësues të indigjenëve, që kanë mbijetuar nga të ashtuquajturat “Shkolla Rezidenciale” aktive të viteve ‘800. Muajt e fundit, u zbuluan qindra varre anonime, për të cilat u prononcua edhe Papa

R.SH. - Vatikan

         Një delegacion i popujve autoktonë të Kanadasë do të vizitojë Vatikanin nga 17 deri më 20 dhjetor për t’u takuar me Papën Françesku. Lajmi u dha nga Konferenca Ipeshkvnore Kanadeze (CCCB) me një notë, në të cilën theksohet se qëllimi i nismës është “të promovohen takime dialogu e shërimi”. Në delegacion do të marrin pjesë edhe përfaqësues të të ashtuquajturave “kombe të para”, mbijetuar nga “Shkollat Rezidenciale” të së kaluarës, aktive në vitet ‘800. Ato ishin pjesë e rrjetit të instituteve shkollore, të administruara nga Kisha Katolike dhe të destinuara për edukimin e studentëve vendës. Ky edukim, fatkeqësisht, u shoqërua shpesh me dhunë, detyrime e me abuzime.

Dëshira e Papës për takim

         “Papa Françesku - shkruajnë ipeshkvijtë kanadezë - është thellësisht i impenjuar në dëgjimin e drejtpërdrejtë të popujve indigjenë, duke shprehur afërsinë e tij të përzemërt, duke trajtuar ndikimin e kolonializimit dhe rolin e Kishës në sistemin e shkollave rezidenciale, me shpresën për t’iu përgjigjur vuajtjeve të popullsisë indigjene dhe pasojave të vazhdueshme të traumës ndërmjet brezave”. Ati i Shenjtë do të takohet “personalisht me secilin nga tre grupet e delegatëve - First Nations, Métis e Inuit - si edhe do t’i presë në audiencë përfundimtare të gjithë delegatët së bashku, më 20 dhjetor”.

         Njëkohësisht, Konferenca Ipeshkvnore njofton se në delegacion do të jetë edhe “një grup të Moshuarish/Rojtarë të dijes së indigjenëve, të mbijetuar nga shkollat rezidenciale dhe të rinj nga i gjithë vendi”, të cilët do të shoqërohen nga “një një grup i vogël ipeshkvijsh dhe krerësh autoktonë”.

Përgatitje e gjatë

         Kanadezët indigjenë po përgatiten që prej dy vitesh për të ardhur në Vatikan, por vizita u pezullua, për shkak të Covid-19. Takimi i dhjetorit merr tani një rëndësi të re, pas gjetjes së varreve të nxënësve të shumtë indigjenë në shkollat rezidenciale, ndërmjet majit e qershorit të këtij viti. Në të dyja rastet, shkollat ishin të Kishës Katolike. Në Engjëllin e Tënzot të 6 qershorit, Papa Françesku shprehu trishtimin dhe hidhërimin e tij për këto ngjarje, duke kërkuar: “Autoritetet politike dhe fetare të Kanadasë të vazhdojnë vendosmërisht bashkëpunimin për të hedhur dritë mbi  këtë ngjarje të trishtuar dhe të impenjohen me përvujtëri në udhën e pajtimit e të shërimit. Këto çaste të vështira na bëjnë thirrje të gjithëve për t’u larguar nga modeli kolonizator dhe nga kolonizimet ideologjike të sotme, për të ecur krah për krah në dialog e në respekt të ndërsjellë, duke njohur të drejtat dhe vlerat kulturore të gjithë bijve e bijave të Kanadasë”.

30 qershor 2021, 13:38