Kërko

Vatican News
Kryqi Kryqi 

Irani dëbon një rregulltare italiane nga vendi

I mohohet rinovimi i vizës 75 vjeçares, motër Giuseppina Berti

R. SH. - Vatikan

Motra shtatëdhjetë vjeçare, Giuseppina Berti, e cila që prej 26 vjetësh  punon në gërbuloren e Tabrisit, në mes të të gërbulurve e sot, si pensioniste, jeton në Ispahan, në Shtëpinë e Kongregatës së Bijave të Dashurisë, duhet të largohet nga Irani ditët e ardhshme. Nuk i rinovohet viza e tashmë është lajmëruar se për të nuk ka më shpresë të vdesë në këtë vend, në të cilin jetoi duke u shërbyer të gërbulurve vendas. Nisja e saj do ta vëshitirësojë edhe qëndrimin e simotrës, austriakes Fabiola Weis, 77 vjeçare, 38 kushtuar të varfërve e të sëmurëve në lebrozar, së cilës iu miratua edhe për një vit qëndrimi në vend.

Dy rregulltaret, që ia kushtuan gjithë jetën të sëmurëve, pa dallim përkatësie fetare a etnie, detyrohen ta braktisin shtëpinë  e Kongregatës, ndërtuar në vitin 1937. Në Ispahan, Bijat e Bamirësisë iu kushtuan për shumë vite shkollimit dhe formimit të  të rinjve. Duhet kujtuar edhe angazhimi i tyre në favor të qindra fëmijëve polakë, refugjatë e jetimë lufte, ardhur në Iran në pranverën e vitit 1942. Asokohe rregulltaret drejtonin një shkollë, që u konfiskua pas revolucionit të vitit 1979. Vitet e fundit motrat nuk zhvillonin asnjë veprimtari të jashtme, që të shmangnin akuzat për prozelitizëm.

Shtëpia e tyre është i vetmi realitet i Kishës Katolike Latine në Ispahan e kapela, e ndërtuar më 1939, Seli e Famullisë “Zoja e Pushtetshme”, që vihet vetëm me raste në dispozicion të vizitorëve për kremtimin e Meshës.

Ky, realiteti i Kishës katolike në Iran: dy kryedioqeza asiro-kaldeje: e Tehran-Ahwaz dhe e Urmia-Salmas, me një ipeshkëv e katër meshtarë (në verën e vitit 2019, edhe një administrator  patriarkal në Teheran të Kaldejve, Ramzi Garmou, të cilit iu mohua viza e nuk mundi të kthehet më në vend); një dioqezë armene, ku ka vetëm një ipeshkëv dhe kryedioqeza latine, pa asnjë meshtar, në pritje të bariut të ri, të sapoemëruar.

Me nisjen e motrave, do të humbiste përfundimisht prania e Kishës katolike në Ispahan. E po në Ispahan, më 2016-tën u konfiskua edhe shtëpia e etërve lazaristë. Duhet uruar që autoritetet iraniane ta rishikojnë vendimin e tyre e t’i lejojnë motrat  të vdesin në paqe, aty ku e kaluan gjithë jetën, në këtë tokë  të shumëdashur, së cilës i shërbyen me përkushtim të rrallë.

11 qershor 2021, 16:47