Kërko

Vatican News

Historia e kremtimit të Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit

Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë. E solemniteti i Corpus Domini - Korpit të Krishtit na çon me mend në Çenakull, kur duke kremtuar Pashkën me të vetët, Zoti Jezus në mënyrë të mistershme paraqiti paraprakisht atë fli që do të flijohej një ditë më vonë në Kryq. Themelimi i Eukaristisë na shfaqet kështu si paralajmërim dhe pranim i vdekjes në Kryq nga ana e Jezusit. Lidhur me këtë Shën Efrem Siriani shkruan: Gjatë Darkës së Mbrame Jezusi flijoi vetveten; në Kryq ai u flijua nga të tjerët.

R.SH. - Vatikan

Festa e Korpit e Gjakut të Krishtit, që kremtojmë këtë të diele, mbyll ciklin e festave të kohës së pas Pashkëve e kremton misterin e Eukaristisë Shenjte. Nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në solemnitetin e sotëm të Corpus Domini - Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit, që në Itali dhe në vende të tjera të botës së krishterë, përfshirë trevat shqiptare, kremtohet këtë të diel, për t'u krijuar të gjithë besimtarëve mundësitë për marrin pjesë në kremtimin e Meshës e në procesionet tradicionale.

Kështu Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë. E solemniteti i Corpus Domini - Korpit të Krishtit na çon me mend në Çenakull, na bënë të përjetojmë frymën e asaj nate, kur duke kremtuar Pashkën me të vetët, Zoti Jezus në mënyrë të mistershme paraqiti paraprakisht atë fli që do të flijohej një ditë më vonë në Kryq. Themelimi i Eukaristisë na shfaqet kështu si paralajmërim dhe pranim i vdekjes në Kryq nga ana e Jezusit. Lidhur me këtë Shën Efrem Siriani shkruan: Gjatë Darkës së Mbrame Jezusi flijoi vetveten; në Kryq ai u flijua nga të tjerët. (Hymni i kryqëzimit 3,1).

Corpus Domini filloi të kremtohej më 1264

Solemniteti i Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit, i cili në Mesharin e sotëm romak njihej me emrin latinisht "Corpus Domini", filloi të kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara në  kremtimin e Eukaristisë  - Meshës Shenjte, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.

Qe pikërisht ky Papë i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit në Orvieto (Itali), në verën e të njëjtit vit, me solemnitet të madh. Në këtë kohë ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio, ku një meshtar bohem, Pjetri nga Praga, i cili kishte dyshime mbi praninë reale të Krishtit në Eukaristi, ndërsa kremtonte Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi të pikonte gjak. I njoftuar për faktin e mrekullueshëm, Urbani IV ngarkoi ipeshkvin e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së Krishtit.

Në Romë kremtimi filloi që nga njëmijë e katërqinda, në kohën e papës Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe procesionin drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet nëpër rrugën Merulana qysh nga viti i largët 1575. Që prej tre shekujsh, papët e ndryshëm që janë ulur në fronin e shën Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin të njëjtën rrugë, duke mbledhur miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit e ushqim kryesor për jetën e të pagëzuarve.

Çdo besimtar ftohet në këtë solemnitet të ulet rreth sofrës Eukaristike, ku ka vend për të gjithë njerëzit pa përjashtim e pa dallim, e të shijojë më mirë Praninë e Krishtit, që kremtohet çdo ditë e çdo vit.

06 qershor 2021, 09:53