Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: kush është “i afërmi”?

“I afërm” është fjalë, që tregon afërsi ose ngjashmëri, me dikë ose me diçka, por cili është kuptimi i saj për të krishterët? Kjo fjalë shpesh zëvendësohet edhe me fjalën “vëlla” ,megjithëse jo gjithnjë përkon me të, pasi nuk është fjala për lidhje gjaku. Jezusi ia ndryshon kryekëput kuptimin “të afërmit” dhe në shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë i jep edhe përgjigje pyetjes “kush është i afërmi”.

R.SH. - Vatikan

“I afërm” është fjalë, që tregon afërsi ose ngjashmëri, me dikë ose me diçka, por cili është kuptimi i saj për të krishterët? Për këtë fjalë, që shpesh zëvendësohet edhe me fjalën “vëlla” - megjithëse jo gjithnjë përkon me të, pasi nuk është fjala për lidhje gjaku - do të flasim në emisionin e sotëm.

Kuptimi i “të afërmit” ka ndryshuar me kohën dhe me kulturën. Për izraelitët, fjala kishte vërtet kuptimin e atij, që rri pranë, pra është afër fizikisht. Pranë izraelitëve qëndronin edhe njerëz jo hebrenj, por që autorizoheshin prej tyre për të jetuar në atë territor. Më vonë, pas përkthimit të Biblës në greqisht, pra pas kalimit nga fjala “réa” në atë greke “plèsion”, “i afërmi” kuptohet nga izraelitët si “tjetri” që duhet dashur, pavarësisht a është vëlla apo jo, por kjo afërsi mbetej brenda popullit të Izraelit e atyre që ishin rrethprerë, duke u bërë hebrenj.

Jezusi ia ndryshon kryekëput kuptimin “të afërmit” e i jep edhe përgjigje pyetjes “kush është i afërmi”, në shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Ja ç’thuhet në Ungjillin sipas Lukës:

“Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”. Dijetari iu përgjigj: “‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“. Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”. Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”. Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”. Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!”. “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”(Lk 10,25-37).

Kush është pra “i afërmi”? Çdo njeri në nevojë: i eturi, i urituri, i zhveshuri, i sëmuri, i burgosuri, i huaji, i lëni gjysëm i vdekur në anë të rrugës. Para këtyre njerëzve duhet të lë çdo gjë e t’u kushtohem krejtësisht, në mënyrë që “i afërmi” të vijë sërish në jetë përmes jetës sime, të marrë shëndet nga shëndeti im, të mira prej meje, shpresë nga bamirësia ime, kohë nga koha ime, siguri nga prania ime. Nëse e bëj këtë përditë, Jezusi na ka thënë se ai “i afërm” do të më dorëzojë çelësat e amshimit.

Kjo shembëlltyrë flet vetë, por edhe më tej në Ungjill, Jezu Krishti e saktëson kuptimin, që i jep “të afërmit”. Së pari, Ai e shenjtëron urdhërimin e dashurisë: “Duaje të afërmin tënd si vetveten”, si edhe e lidh këtë pazgjidhshmërisht me urdhërimin për ta dashur Zotin (Mt 22,34-40). Në gjurmët e Jezusit, shën Pali Apostull do të deklarojë me solemnitet se ky urdhërim e përmbush tërë Ligjin (Gal 5,14), se është “shuma”, që përmbledh të tjerat (Rom 13,8). Nga ana e tij, shën Jaku e konsideron si “ligj mbretëror” (Jak 2,8).

Së dyti, Jezusi e shtrin këtë ligj edhe mbi kundërshtarët, pra, edhe ata janë “të afërm”, ashtu siç ndodhi me samaritanin e izraelitin, që nuk shiheshin me sy, por kjo nuk e pengoi samaritanin ta ndihmonte “armikun". Në të vërtetë, pra, nuk jemi ne ata, që vendosim se kush është “i afërmi” ynë e pa ndihmën e Zotit, nuk jemi në gjendje ta konsiderojmë tjetrin – mik, ose armik – si “të afërmin” tonë. Vetëm përmes Hyjit, në të cilin pasqyrohemi, kuptojmë nevojat e tjetrit e, vetëm duke parë fytyrën e Tij tek të tjerët, njeriu kupton rëndësinë e “të afërmit”  si çelës për të hyrë në portat e amshimit.

Në katekizmin e 12 janarit 2011, gjatë audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI pati thënë: “Nuk duhet të harrojmë kurrë se sa më shumë ta duam Zotin e sa më shumë të lutemi, aq më shumë do të arrijmë ta duam vërtet kë kemi përreth, kë kemi afër, sepse do të jemi në gjendje të shohim tek çdo njeri fytyrën e Zotit, i cili do pa kufi e pa dallime. Mistika nuk krijon distancë me tjetrin, nuk krijon ndonjë jetë abstrakte, përkundrazi, na afron me tjetrin, sepse fillojmë të shohim e të veprojmë me sytë e me zemrën e Zotit”. Pra, ta konsiderojmë tjetrin “të afërm”.

17 qershor 2021, 12:40