Kërko

Vatican News
Shenjtërimi i Atë Piut në Sheshin e Shën Pjetrit Shenjtërimi i Atë Piut në Sheshin e Shën Pjetrit 

Atë Piu: nismat për 20-vjetorin e shenjtërimit

Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, do të hapë sot pasdite kremtimet për 20-vjetorin e shenjtërimit të Atë Piut nga Pietrelçina

R. SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit, Udha e Pajtimit dhe të gjitha hapësirat rreth Kështjellës së Shën Engjëllit qenë mbushur përplot me njerëz, ardhur nga mbarë bota. Dhe e gjithë kjo hapësirë u shndërrua në katedrale, nën qiell të hapur, në sa niste Mesha për shenjtërimin e Fratit të pëvuajtur nga Pietrelcina. Këto pamje mbetën të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve që, 19 vjet më parë, më 16 qershor 202l, ndoqën Meshën për kanonizimin  e Atë Piut, kryesuar nga Gjon Pali II, që e pati lumnuar vetëm tri vjet më parë.

Shenjtërimi i atë Piut

Frati i vogël i San Giovanni Rotondos u bë i famshëm në mbarë botën. Që kur ishte gjallë. E edhe më shumë pas vdekjes. Duke fituar jo vetëm zemrat e katolikëve e të të krishterëve të konfesioneve të ndryshme, por edhe të atyre, që nuk besojnë. Me një stil jete të përqendruar tek lutja, pendesa, Eukarisia e dashuria e krishterë, e shkriu vetveten në rrëfyestore, duke e “pikturuar” portretin e vet të jashtëzakonshëm, me fjalët “Jam një frat i varfër, i zakonshëm, që lutet”.

Me rastin e fillimit të 20-vjetorit të shenjtërimit, që do të përfundojë më 16 qershor 2022, kardinali Marcello Semeraro do të kryesojë, sot pasdite, një Kremtim Eukaristik. Pas tij, paraqitja e librit “Ditar shpirtëror”, botuar  pas vdekjes së Fratit të vogël-të madh, në “Edizioni Padre Pio da Pietrelcina”, nga imzot Vailati, kryeipeshkëv i Manfredonia-Viste, që pati kryesuar Gjykatën kishtare të Çështjes së Lumnimit e të Kanonizimit të Atë Piut.

Atë Piu, nga rrëfyestorja-tek Eukaristia: histori dashurie

Duke përshkruar figurën e jashtëzakonshme të Fratit nga Pietrelçina, në homelinë e Meshës për shenjtërimin e tij, Gjon Pali II  pati vënë në dukje  që jeta e misioni i Fratit na dëshmojnë se “vështirësi e dhimbje, nëse pranohen për dashuri, shndërrohen në udhën e zgjedhur të shenjtërisë, e cila të çon drejt një të mire shumë më të madhe, që e di vetëm Zoti”.

“Lutja dhe dashuria e krishterë”: këto, dy shtyllat e mësimit, që marrim nga Frati kapuçin, themelues i “Grupeve të lutjes”, por edhe i spitalit të famshëm me emrin, që flet vetë: “Shtëpia e lehtësimit të vuajtjes”. E ndihmoi, kështu, njeriun, gjithë jetën, e  vijon ta ndihmojë nga qielli, me lutje e veprimtari konkrete.

E  besimtarët janë të sigurt se vijon të ndërmjetësojë edhe në këtë situatë të ngarkuar me viruse të njohura e të panjohura, që sulmojnë sot njeriun e njerëzimin.  Duke u drejtuar të gjithëve të njëjtën ftesë: “Lutuni!”.

26 qershor 2021, 14:42