Kërko

Riti i Zjarrit të Shenjtë në Jeruzalem Riti i Zjarrit të Shenjtë në Jeruzalem

Sot Kishat e Lindjes kremtojnë Pashkët

Kishat e Lindjes qё ndjekin kalendarin julian, nder to edhe Kishat ortodokse kremtojnë Pashkët, me rite liturgjike të pasura me simbole feje. Ndër ritet më sugjestive mbetet, pa dyshim, ai i “Zjarrit të Shenjtë”, që bekohet dhe ndizet në Jeruzalem Natën më të Shenjtë të Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Është fjala për kulmin e Triditëshes së Pashkëve, për të ashtuquajturën “E Shtuna e dritës”, gjatë së cilës, në bazilikën e Varrit të Krishtit, shtegtarët dhe besimtarët e krishterë presin mrekullinë e ardhjes së Zjarrit të Shenjtë nga qielli që kumton Ngjalljen e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Kishat në Lindje qё ndjekin kalendarin julian, kremtojnë sot festёn e Pashkëve , që sivjet ranë gati një muaj pas Pashkëve të Kishës katolike, e cila ndjek kalendarin gregorian, vendosur nga Papa Gregori XII. Kështu shpjegohet ndryshimi ndërmjet datave, megjithëse është propozuar edhe kremtimi i përbashkët i Pashkëve, por, tani për tani, pa rezultat. Data e Pashkëve të Kishave të krishtera të Lindjes, ndër  to edhe të Kishës ortodokse të ritit bizantin, caktohet në të dielën e parë, që pason hënën e parë të plotë pas ekuinoksit të pranverës. Zakonisht, bie, pak a shumë, një javë pas Pashkëve katolike, por kësaj radhe, ndryshimi qe më i madh.

Patriarku kremton ritin e Zjarrit të Shenjtë
Patriarku kremton ritin e Zjarrit të Shenjtë

Kudo në Kishat e Lindjes për Pashkë kremtohen rite liturgjike të pasura me simbole feje dhe me procesione të mrekullueshme, si në Rusi e në Greqi, ku vlerësohet veçanërisht atmosfera, që krijohet në ishullin e Korfuzit. Por riti më sugjestiv mbetet, pa dyshim, ai i “Zjarrit të Shenjtë”, që ndizet në Jeruzalem Natën e Pashkëve të Jezu Krishtit. Është fjala për kulmin e Triditëshes së Pashkëve, për të ashtuquajturën “E Shtuna e dritës”, gjatë së cilës, në bazilikën e Varrit të Krishtit, shtegtarët dhe besimtarët e krishterë presin kumtin e Ngjalljes së Jezu Krishtitit përmes simbolit të Zjarrit të Shenjtë. Ngjallja e Krishtit është arsye shprese për gjithë njerëzimin, pasi tregon se fjalën e fundit në ekzistencën e njeriut nuk e ka vdekja, por jeta.

Kalimi i flakës gjatë ritit të Zjarrit të Shenjtë
Kalimi i flakës gjatë ritit të Zjarrit të Shenjtë

Në Jerusalem riti i Natës së Pashkëve zhvillohet njëlloj që prej 6 shekujsh. Në mëngjes, dhoma e Kapelës, ku ndodhet varri bosh i Krishtit, kontrollohet dhe vuloset me një përzierje mjalti dhe dylli. Të rinjtë e lagjes së krishterë hyjnë në Kishë në procesion, ndërsa armenët, koptët dhe siriakët thërrasin patriarkun greko-ortodoks, pa të cilin – siç thuhet – nuk ndodh mrekullia. Në mesditë, patriarku hyn në kishë e sillet tri herë rreth Varrit, i shoqëruar nga këngë e procesion solemn.

Ndërkaq, sakristani sjell llambën e zjarrit të pashuar, që fiket vetëm një herë në vit, paraditen e kësaj së shtune të veçantë, në mënyrë që të ndizet më pas Zjarri i Shenjtë. Në përfundim të xhiros së tretë, partriarku greko-ortodoks hyn vetëm në Kapelë, duke marrë me vete 33 qirinj, i ndjekur nga patriarku armen, që ndalet në paradhomë (kapela e Engjëllit), si dëshmitar i vetëm i ngjarjes.

Para Varrit të Krishtit qëndron edhe një nga françeskanët e Tokës Shenjte. I gjunjëzuar, patriarku greko-ortodoks thotë një lutje të veçantë për zbritjen e Zjarrit të Shenjtë e në atë çast, një dritë zbret mbi Varrin e Krishtit dhe ndez llambën. Flaka kalon më pas dorë më dorë, përmes qirinjve. Sipas traditës, Zjarri i Shenjtë nuk djeg në minutat e para e kështu, shihen besimtarët që, në lot, kalojnë duart e fytyrën mbi flakë, pa u djegur.

02 maj 2021, 12:51