Kërko

Vatican News

Thirrje e ipeshkvijve evropianë: “Libani të vazhdojë të jetë tokë takimi, bashkëjetese e pluralizmi”

Pas thirrjes së Papës Françesku për Libanin, ipeshkvijtë e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) bashkohen në lutje që vendi i kedrave “të vazhdojë të jetë tokë takimi, bashkëjetese e pluralizmi”

R.SH. - Vatikan

Një ditë pas thirrjes së Papës Françesku për Libanin e pas njoftimit se Ati i Shenjtë do të lutet më 1 korrik në Vatikan, me përfaqësuesit e bashkësive të krishtera të vendit të kedrave, ipeshkvijtë evropianë kërkojnë që kjo tokë të mbetet vend takimi e bashkëjetese ndërmjet komuniteteve të ndryshme. “Historia e Libanit është e njohur dhe askush nuk mund ta harrojë: - kujton Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), përmes një njoftimi për shtyp - edhe sot, është histori e dinjitetit dhe e kulturës, e mikpritjes dhe e solidaritetit me shumë të vuajtur, që vijnë nga Siria dhe Palestina. Histori e lirisë, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore, në emër të të drejtave themelore”.

Respektimi i larmive, pa kushtëzime të jashtme

Sipas ipeshkvijve evropianë, “asgjë nuk humbet nëse dëshirohet të veprohet në kohë e me ndershmëri. Asgjë nuk është fatale, gjithçka është në duart e njerëzve të ndihmuar nga Zoti i mëshirshëm dhe i drejtë: Ai i sheh veprat e njerëzve dhe i shqyrton thellë zemrat. Prandaj, i bëjmë thirrje ndërgjegjes së Kombeve dhe përgjegjësve të tyre, që bota të mos e harrojë tragjedinë aktuale dhe të mos e bëjë veshin e shurdhër për britmën e të varfërve dhe të të vuajturve. Për të rivendosur drejtësinë, të njihet identiteti individual, kolektiv dhe kombëtar, të respektohen vlerat fetare dhe qytetare të Traditës libaneze, të mbështetet rimëkëmbja e ekonomisë dhe rindërtimi i një indi shoqëror, thurur me dialog dhe bashkëpunim, duke respektuar larminë fetare, kulturore dhe shoqërore. E gjithë kjo, pa kushtëzime të jashtme”.

Kontributi i Kishës Katolike

 Kisha – shtojnë ipeshkvijtë evropianë – vihet në gjurmët e Ungjillit “me institucionet e saj arsimore, shëndetësore dhe shoqërore: ato njihen nga të gjithë dhe janë në dispozicion të së mirës së përbashkët. Dihet se e ardhmja e një vendi nuk është pasuri vetëm për të, por për mbarë njerëzimin. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Libanin dhe për kontributin e tij në favor të Lindjes së Mesme pluraliste, tolerante dhe të larmishme”, përfundojnë prelatët.

31 maj 2021, 14:55