Kërko

Martiri Lum Imzot Frano Gjini Martiri Lum Imzot Frano Gjini

“Takim me martirët”: i Lumi Frano Gjini, ipeshkëv Abat i Oroshit

Më 8 janar 1948 Imzot Frano Gjoni u dënua nga regjimi komunist me vdekje me pushkatim. Më 11 mars kalvari i tij mbyllet te varrezat e Rrmajit. Fjalët e tij të fundit qenë: “Roftë Krishti Mbret, Feja katolike dhe katolikët në botë, rroftë Papa, gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa, rroftë Shqipnia”.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë me ciklin i ri radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, që filloi tё dielën e kaluar mё 25 prill e qё do të transmetohet çdo të diel, me synimin që 38 martirёt e Lumët tё parë tё Kishës katolike nё Shqipëri, të lartuar në nderimet e altarit mё 5 nëntor 2016, pas kalvarit tё martirizimit të tyre, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, jo vetëm të kujtohen, por të shërbejnë si shembull për jetën e çdo besimtari, i cili mund e madje duhet t’u lutet qё tё ndёrmjetёsojnё pranë Zotit për çdo nevojë qё kemi shpirtërore e trupore.

Nё kёtё shtegtim radiofonik pranë Martirëve tё Kishës katolike tё Shqipërisë na udhëheq dom Gjovani Kemal Kokona, meshtari shqiptar nga kryedioqeza Tiranё-Durrёs, i cili sot, nё pjesёn e dytё, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit imzot Frano Gjinit, ipeshkëv Abat i Oroshit, per te cilin Delegati Apostolik Della Pietra pati pohuar: gëzon vlerësimin e popullit [katolik], edhe të ortodoksëve dhe të muhamedanëve. Tiparet e ëmbla që e karakterizojnë do t’i ruajë edhe në ferrin e burgut komunist, po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

tё dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona mbi figuren e te Lumit Imzot Frano Gjinit

Imzot Frano Gjini ipeshkëv Abat i Oroshit e në dy vitet e fundit e të jetës është edhe me dy detyra të tjera: Regjent i Delegacionit Apostolik si dhe Ipeshkëv i Lezhës, lind në shkurt të vitit 1886 dhe pagëzohet në të njëjtën famulli në të cilën pesë muaj përpara ishte pagëzuar edhe martiri tjetër Vinçenc Prennushi, në famullinë e Shenjtjes Mari Magdalenë në Shirokë.

Në moshë të re, për shkak edhe të shëndetit të dobët, do të merret në patronazh nga Arqipeshkvi i Durrësit Primo Bianchi. Pas shugurimit meshtarak në vitin 1908 do qëndrojë sa në Delbnisht si sekretar i arqipeshkvit e sa në Durrës si famullitar i qytetit.  Në vitet më pas do të mbulojë edhe detyrën e vikarit të përgjithshëm të arkidioqezës, famullitar në Derven të Fushjë Krujës, po ashtu edhe famullitar në Perlat të Kthellës.

Virtytet e tija të dashurisë, devotshmërisë, ndershmërisë, të zellit, të qënit të përkorë e i përmbajtur do bëjnë që në vitin 1930 të propozohet për ipeshkëv për Abacinë e Oroshit dhe më 28 tetor të atij viti do shugurohet i tillë nga Imzot Lazër Mjeda në katedralen e shën Luçisë në Durrës.

Gjatë 15 viteve si abat i Oroshit do ta rimarrë hovin e Abat Doçit duke fituar zemrat e mirditorëve me zellin e tij e dashamirësinë e tij, por në të njëjtën kohë edhe punon me ta që t’i përvishen punës më shumë sesa hakmarrjes, që t’i largojnë zakonet anti-kishtare, që t’i jepen kushtohen edukimit më shumë sesa kujtimeve mistike të rezistencës ndaj turqve. Imzot Gjini spikati si një bari që i donte bashkëpunëtorët e vet, në radhe të parë meshtarët, dhe grigjën e vet, siç edhe kishte një kujdes të veçantë për seminaristët.

Nuk përtonte të shkonte nëpër ato male edhe natën, kur e thërrisnin, duke u dhënë përveç sakramenteve edhe ilaçe për të sëmurët. Pikë thelbësore e predikimit të tij do të jenë mundimet e Krishtit dhe devocioni ndaj Zojës, edhe në stemën e tij ipeshkvnore do të vendosë zemrat e e Jezusit e të Zojës.

Kur regjimi komunist hyn në fuqi Imzot Gjini do të vazhdojë punën baritore, por shpejt do të ndeshet me këtë regjim kur në cilësinë e Regjentit të Delegacionit Apostolik do t’i kërkohet, së bashku më arqipeshkvin Thaçi, që të shkëpusin Kishën katolike shqiptare nga Papa. Edhe letra e tij shkruar Enver Hoxhës në të cilën denoncon padrejtësitë që regjimi i ri po bënte në dëm të popullit shqiptar, e të drejtat elementare që po u mohoheshin njerëzve si për shembull e drejta lirisë së fjalës, të shtypit, të fesë, të organizimit, të nismës private etj., do ta vendosin shpejt në listën e njerëzve të rrezikshëm të regjimit të ri.

Arrestohet në Shkodër, në Selinë e Delegacionit Apostolik të Vatikanit, më 15 nëntor 1946 në moshën 60 vjeç. Edhe pse në atë moment ishte me ethe dhe infermieri i pranishëm aty, Jak Fistani, donte t’i bënte gjilpërën, oficerët e Sigurimit nuk e lanë duke iu përgjigjur ironikisht: “do të kujdesemi ne për të”. Në fillim e dërguan te shtëpia e Pjetër Çurçisë, kthyer në burg, e më vonë te kuvendi françeskan në Gjuhadol, edhe ky i kthyer në burg. Torturat e poshtërimet që pësoi qenë çnjerëzore, por nuk u thye. I qëndroi besnik Krishtit, Kishës dhe popullit të vet. Mbesa e tij Roza kujton se: “kur nëna shkonte [te burgu] për t’ia marrë rrobat e tij, i gjente plot gjak e qelb në pulse e në kyçet e këmbëve. I lanim në oborr, sepse mbanin erë të keqe”.

Në gjyq me kurajo i mbrojti të rinjtë që po arrestoheshin e vriteshin nga regjimi. Gjykatësve komunistë që mburreshin që “heqin jetën të rinjve”, Imzot Gjini u përgjigjet: “Shka keni ba ju është e paligjshme … Të rinjtë bajnë gabime ma shumë se njerëzit tjerë: ata duhet të qortohen, por jo të pushkatohen. Të rinjtë kanë të drejtë me jetue”. Po këtyre gjykatësve që krenoheshin se për ta “ligji nuk është gjë tjetër vetëm letër”, Monsinjor Gjini pa u trembur u jep një leksion të vlefshëm edhe sot: “Forca e çdo shteti është ligja dhe vetëm ligja. Çdo dhunë pa ligj asht krim ndaj shoqnisë”.

Monsinjor Gjini edhe pse ishte 60 vjeç kur e arrestuan, pësoi për tetë muaj tortura të tmerrshme. E mbyllën në një qeli 1 metër katror, e lidhën këmbë e duarsh me një zinxhir të rëndë, e zhytën në ujë të akullt deri në qafë, e rrahën derisa i nxorrën gjak, i vunë edhe rrymë elektrike, e lanë pa ngrënë, poshtë thonjve të duarve i gulën disa kunja pishe dhe ia ndezën, e shanë, shpifën kundër tij … Sa më shumë që tregohej i urtë e i butë, aq më shumë torturuesit lëshoheshin kundër tij. Kur prokurori ushtarak, Namik Xhemali, lexoi pretencën, Monsinjor Gjini iu përgjigj: “E ndiej vedin të pastër për gjithçka akuzohem… Të gjitha dëshmitë që prutë janë false. Unë po vdes, sepse u qëndrova besnik ligjeve të Zotit dhe u kundërshtova ligjeve tuaja, të cilat janë kundër Zotit dhe kundër popullit, Rrnoftë Shqipnia dhe Rrnoftë Krishti Mbret”.

Më 8 janar 1948 u dënua me vdekje me pushkatim. Më 6 mars 1947 Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës konfirmon dënimin. Më 11 mars kalvari i tij mbyllet te varrezat e Rrmajit. Fjalët e tij të fundit qenë: “Roftë Krishti Mbret, Feja katolike dhe katolikët në botë, rroftë Papa, gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa, rroftë Shqipnia”.

Mundimet e Krishtit për të cilat u fliste mirditorëve i përjetoi deri në fund. E sigurisht nga qielli lutet e ndërmjetëson për të gjithë ata mirditorë që I deshi aq shumë e për çdo njërin që I besohet ndërmjetësimit të tij. Ndërmjetësimi i tij para Zotit do jetë për çdonjërin për ne, që I lutet atij, një mbështetje e fuqishme në nevojat tona shpirtërore e pse jo edhe tokësore. Amen. 

Lutja drejtuar tё Lumit imzot Frano Gjinit

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Frano Gjini, ipeshkëv e martir,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

 

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

09 maj 2021, 13:34