Kërko

Vatican News

“Takim me martirët”: i Lumi dom Anton Muzaj, martir

“Takim me martirët”, nё pjesёn e 5-tё dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Anton Muzaj, meshtar nga trevat e Kosovёs – dioqezёs Prizren-Prishtinё.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesёn e 5-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Anton Muzaj, meshtar nga trevat e Kosovёs – dioqezёs Prizren-Prishtinё.

I Lumi dom Anton Muzaj u angazhua në Shkodër si kancelar dhe ekonom i arkidioqezës, u dallua në devocionin e tij nda Zojës së Papërlyer, u shqua për inteligjencë, shpirt bashkimi, për dashurinë e butësinë e tij. Njerëzit e çmonin për formimin e tij shpirtëror dhe zellin e tij apostolik. Pёr regjimin mizor në Shqipëri zelli apostolik i dom Antonit ishte për një halë sy. Tri vjet mbas shugurimit meshtarak u arrestua me akuza të sajuara. Burgoset në ish-kuvendin françeskan të Gjuhadolit i kthyer në burg, pëson tortura të tmerrshme deri në pikën që e kapi turbekulozi. Kur xhelatët e qeverisë komuniste e panë se po i afrohej vdekja, që të mos u vdiste në burg e ‘liruan’ duke e dërguar te arqipeshkvia në Shkodër. Aty ndërroi jetë pak kohë mbas këtij gjoja lirim. Ishte vetëm 27 vjeç. “Thuaju njerëzve të mi që jam i pafajshëm … Ti jë dëshmitare se jam duke vdekur vetëm për fenë në Krishtin”, kjo porosia e tij e fundit. Po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

I Lumi Dom Anton Muzaj

Dom Anton Muzaj lind në Vërnakollë (komuna e Vitisë) më 12 maj 1921 dhe pagëzohet në Letnicë në Kishën kushtuar Zojës së Madhe apo e njohur edhe si Zoja Cërnagore. E ëma qe mësuesja e parë e tij që e edukoi në fe e në sakrificë, e këto vlera do ta shoqërojnë Dom Antonin e do ta karakterizojnë gjithë ekzistencën e tij të shkurtër tokësore. Në moshën 9 vjeç prindërit e dërguan në shkollë në Shkodër pranë Kolegjit saverian që drejtohej nga etërit jezuitë.

U dallua në mësime por gjithashtu u dallua në devocionin e tij nda Zojës së Papërlyer. Është pikërisht gjatë kësaj periudhe shkollore që ai e dëgjon thirrjen e Zotit dhe i kërkon arqipeshkvit të Shkodrës për ta pranuar në seminar. Arqipeshkvi Gaspër Thaçi pasi e mbajti me vete për dy vite e dërgoi në Kolegjin e Propaganda Fide në Romë.

U shqua për inteligjencë, shpirt bashkimi, për dashurinë e butësinë e tij, ashtu siç edhe dëshmojnë një nga shokët e tij të kolegjit, Dom Kolë Gavoçi, por edhe Kardinali Prefekt Pietro Fumasoni Biondi i cili në karakteristikat për të shkruan: “I ri i pajisur me aftësi të mira, inteligjent dhe i zellshëm, karakter të mirë, shembullor në zbatimin e rregullave, përshpirtëri shumë të mirë”.

Ashtu si edhe Imzot Prennushi, edhe Don Muzaj shugurohet meshtar ditën e shën Jozefit. E në fund të prillit 1945 niset bashkë me vëllezërit e rinj meshtarë Kolë Gavoçi, Luigj Kolaj dhe me të Lumin Dedë Maçaj, për në Bari ku mendonin të merrnin anijen për në Shqipëri. Natyrisht që në Bari, ku takuan edhe Delegatin Apostolik Imzot Nigris që qeveria shqiptare e kishte detyruar të largohej, nuk qenë të paktë ata që i këshilluan të mos vazhdonin për në Shqipëri, e të gjithë kishin parasysh edhe faktin se gjatë atyre muajve të parë të 1945 ishin pushkatuar të Lumët Lazër Shantoja e Ndre Zadeja. Por Dom Antoni bashkë me dy shokët e tjerë, Dom Luigjin dhe Dom Dedën, janë të bindur se duhet të kthehen për të punuar për të mirën shpirtërore të popullit të tyre. As shoku i tyre Dom Kolë Gavoçi nuk arriti t’i bindte që të mos vazhdonin rrugën.

Në Shkodër kremtoi Meshën e parë te Kisha e shën Kollit ku edhe u emërua rektor. U angazhua si kancelar dhe ekonom i arkidioqezës. Njerëzit e çmonin për formimin e tij shpirtëror dhe zellin e tij apostolik. Por rregjimi mizor në Shqipëri ishte në armiqësi me ata që punonin për ushqimin shpirtëror prandaj zelli apostolik i Dom Antonit ishte për ta një halë sy. E tri vjet mbas shugurimit meshtarak dhe vetëm dy pas kthimit të tij në Shqipëri, do të sajohet arrestimi i tij, si gjithmonë i shoqëruar me akuza të sajuara. Burgoset në ish-kuvendin françeskan të Gjuhadolit i kthyer në burg dhe pëson tortura të tmerrshme.

Disa nga ata që u ndodhën në atë burg në atë kohë, si Ana Kol Daja, Terezina Pali, Atë Zef Pllumi dëshmojnë se e lagnin me ujë të ftohtë dhe e torturonin, ia kishin dëmtuar gjymtyrët e poshtme dhe e tërhiqnin zvarrë. Pastaj e lidhnin në mes të rrymave të ajrit të korridorit dhe e lagnin me ujë të akullt. Torturat vazhduan deri në pikën që e kapi turbekulozi. Kur xhelatët e qeverisë komuniste e panë se po i afrohej vdekja, që të mos u vdiste në burg e ‘liruan’ duke e dërguar te arqipeshkvia në Shkodër. Aty ndërroi jetë pak kohë mbas këtij gjoja lirim. Ishte vetëm 27 vjeç. Familjarët e tij nuk patën mundësi ta shihnin e as ti qëndronin pranë. Por Ana Kol Daja do ta përcjellë vite më vonë porosinë që dom Antoni ia dha: “Thuaju njerëzve të mi që jam i pafajshëm … Ti jë dëshmitare se jam duke vdekur vetëm për fenë në Krishtin”.

Për Krishtin dom Antoni nuk e kurseu as rininë e tij i bindur se është më mirë të kesh një thesar në qiell aty ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren. Trupi i tij prehet në varrezat e Rmajit në Shkodër, ku jo pak besimtarë ndalen për t’i kërkuar që të ndërmjetësojë para Zotit për hire të ndryshme, të bindur se Zoti e dëgjon zërin e këtij shërbëtorit të Tij të mirë e besnik.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Anton Muzaj, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

30 maj 2021, 09:31