Kërko

Vatican News
Viti injacian Viti injacian 

T’i shikosh të reja të gjitha sendet: fillon Viti injacian

Në Pamplonë të Spanjës, ku 500 vjet më parë Injaci i Lojolës u plagos në njërën këmbë gjatë një beteje dhe nisi udhën e kthesës, Gjenerali i Shoqërisë së Jezuitëve hapi udhën e nismave jubilare. Në kohë pandemie, këto kremtime janë rast për t’i reduktuar pabarazitë shoqërore edhe ekonomike, për ta themeluar jetën mbi vlera të vërteta njerëzore dhe për të qenë të pajtuar e të drejtë. Një shtegtim përkujtimor edhe në Alpet veriore të Shqipërisë, që të kujton Misionin e famshëm shëtitës të jezuitëve, kryesisht për pajtimin e gjaqeve.

R. SH. - Vatikan 

Më 20 majin e kaluar, Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Arturo Sosa, hapi zyrtarisht Vitin injacian, me një kremtim  solemn në Pamplonë të Spanjës. Po në këtë ditë, Instituti i Përshpirtërisë i Universitetit Papnor Gregorian organizoi një kuvënd në streaming, titulluar “T’i shikosh të reja të gjitha gjërat, në Krishtin”, pasuar nga një mbrëmësore  e  kremtuatr në Kishën e Jezusit, në Romë. Dje, më 23 maj, u kremtua lutja ndërkombëtare online “Pilgrims with Ignatius” - “Shtegtarë me Injacin”.

“Nga Pamplona - në Romë, mbi hapat e Injacit” do të jetë itinerari  për të rinjtë, në kalendar më 30 maj, në Romë. Është rast për t’u njohur konkretisht me rrugën, që bëri Injaci. Ndërmjet nismave të tjera, kujtojmë  lutjen e 29 qershorit për t’ia besuar Zotit udhën e Provincës Euro Mesdhetare të Shoqërisë së Jezusit, në përvjetorin e ditës, kur Injaci  nisi ta marrë veten pas rrezikut të vdekjes që i kërcënohej nga plaga e shkaktuar gjatë betejës. Më 20 e 30 korrik, pastaj, kampi veror shëtitës për të rinjtë, mbi malet e veriut të Shqipërisë. Të kujton një nga misionet më në zë të jezuitëve, kryesisht për pajtimin e gjaqeve. Atë në veri të Shqipërisë, prirë nga jezuiti Atë Dedë Pasi (Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), rrëfyer, pastaj, në veprën e titulluar  “L'Albania” - Shqipëria.

Më 12 mars, 2022, përvjetori i shenjtërimit të Shën Injacit dhe Shën Françesk Saverit, parashikohet një shtegtim  në zonën “La Storta”, në rrethinat e Romës si dhe mesha në Kishën e Jezusit, në kryeqytetin italian, më 31 korrik 2022, në solemnitetin e Shën Injacit, me të cilën  do të përfundojë edhe vitii injacian.

24 maj 2021, 11:17