Kërko

Vatican News
Pilar Gullón y Turriaga, Olga Pérez-Monteserín Núñez, e Octavia Iglesias Blanco Pilar Gullón y Turriaga, Olga Pérez-Monteserín Núñez, e Octavia Iglesias Blanco 

Spanjë: lumnohen tri infermiere martire të Kryqit të Kuq

Në Astorga kardinali Semeraro lartoi në nderimet e altarit tri gra, vrarë në vitin e përgjakshëm 1936, në kulmin e luftës civile spanjolle.

R. SH. - Vatikan

Tri infermieret e reja: Pilar, Olga e Octavia e kishin nisur prej kohe udhën e bamirësisë, duke e ushqyer me veprimtari apostolike jetën e tyre të zakonshme të krishterë, kur  u martirizuan, më 28 tetor 1936, në Pola de Somiedo, në Asturie, në rrethanat dramatike të persekutimit fetar të luftës civile spanjolle. Këtë nënvizoi kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e  Shenjtorëve, gjatë lumnimit të tri grave laike, kryesuar dje, 29 maj, në katedralen e Astorgës.

Tri infermieret ishin María del Pilar Gullón y Turriaga, njëzet e pesë vjeçare, me origjinë madrilene; Olga Pérez-Monteserín Núñez, njëzet e tri vjeçare, e lindur në Paris dhe Octavia Iglesias Blanco, më e madhja në moshë, 41 vjeçare, me origjinë nga Astorga, ku njihej si katekiste e bamirëse, që ua zgjaste gjithnjë dorën nevojtarëve. Të trija kishin në qendër të vëmendjes fjalët e Zotit, që vijon t’u kujtojë të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të: “Mos kini pikë frike nga ata, që vrasin korpin!”. Ndaj tri vajzat, duke mjekuar trupin e të sëmurëve e të të plagosurve,  kishin në qendër të vëmendjes edhe shpirtin, me vetëdijen se  kështu lehtësohen si korpi, ashtu edhe shpirti.

Në spitalin e  Puerto de Somiedo, të trija kujdeseshin shumë për “ trupat e ligështuar e të vuajtur” - pohoi Kardinali - e “nuk i braktisën kurrë të plagosurit. As atëhere, kur vihej në rrezik vetë jeta e tyre”. Prandaj, edhe kur e ndjenë se po rrezikohej jo më vetëm korpi i munduar i njerëzve, për të cilët kujdeseshin, por edhe korpi i tyre, jeta e tyre, qëndruan burrërisht! Të mbushura me guximin, që buron vetëm nga prania e Zotit dhe e Shpirtit të Tij Shenjt, i përballuan trimërisht, me një forcë të mbinatyrshme, poshtërimet, torturat, dënimin  me vdekje.

Të trija të Lumet e reja e pranaun vdekjen dhe e përballuan  me brohoritjen e martirëve: “Rroftë Krishti Mbret!”. E kjo dëshmi guximtare e fesë  i bëri martire!

Në vijim Kardinali Semeraro  vërejti  se Zoti “e dëfton pikërisht në njerëzit e ligshtë, forcën e Tij të pamposhtur e ua dhuron të brishtëve, qënresën e martirizimit”. Të ligshtë jemi të gjithë ne - shtoi - por fjala e Krishtit është e qartë:

“Mos kini frikë!”. Këtë fjalë, që Jezusi ua tha dishepujve të vet, vijon të na e përsërisë edhe ne, mbasi e di që kemi nevojë për këtë përsëritje. Të ligshta ishin edhe tri  motrat mariore. E pra sot Kisha i nderon zyrtarisht si martire të Krishtit. Morën kurorën e jetës! Atë kurorë, të ciln Krishti ua premton  të gjithë atyre, që e duan”.

 Frika - vijoi - është emocion gjithnjë i mundshëm. E shoqëria njerëzore, në të cilën jetojmë, gjithnjë përplot me të tëra llojet e frikës. Shën Agostini pohonte se Apostujt, që të mos pushtoheshin nga frika, “digjeshin nga zjarri i dashurisë”. Prej këndej mund të themi se udha për ta mundur frikën është pikërisht dashuria e krishterë - nënvizoi prefekti. - Është udha, në të cilën ecën martiret, udhë e hapur gjithnjë edhe për ne. E jo vetëm në çaste dramatike, por edhe në ato më të zakonshmet:

“Edhe në këto çaste, kur bota është e kapërthyer nga pandemia, një lloj martirizimi edhe ky, nga i cili shpresojmë të dalim sa më shpejt. Lidhur me këtë - kujtoi kardinali - Papa Françesku na tregoi rrugën që duhet të ndjekim. Eshtë po ajo, që ndoqën Martiret spanjolle: rruga e dashurisë së krishterë”.

30 maj 2021, 11:54