Kërko

Ascensione del Signore Ascensione del Signore

Solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell - të Shëlbuemit

Sot në Vatikan kremtohet Festa e të Ngjiturit të Krishtit në qiell - festa e të Shëlbuemit, solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Në disa vende, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria, Kosova, Mali Zi, ky solmenitet do të kremtohet të dielën e ardhshme.

R.SH. - Vatikan

Sot në Vatikan  kremtohet Festa e të Shëlbuemit, solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Pra, në Vatikan e shume vende tjera sot kremtohet Solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe në Shqipëri, Kosovë, Mal te Zi, do të kremtohet të dielën e ardhshme.

Kështu, sot Kisha Katolike feston “Të Shëlbuemit”, pra "Të Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell", 40 ditë pas vdekjes mbi kryq dhe Ngjalljes. Është episodi i fundit i jetës tokësore të Jezusit, që kremtohet nga të gjitha konfesionet e krishtera dhe, së bashku me Pashkët e Rrëshajët, është një nga solemnitetet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik

Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Jezu Krishtit Zot ndërmjet njerëzve, që u pasua ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe me përhapjen e krishterimit në mbarë botën. Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Jezu Krishti që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Jezu Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Nëse unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek Ngushëlluesi, por nëse shkoj, do t’jua dërgoj” – kështu u tha Jezusi apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni në Ungjillin e tij.

Kjo, me pak fjalë, është domethënie e solemnitetit të të Shëlbuemit. Jezusi i Ngjallur, dyzet ditë pas u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës katolike, Krishtit ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zot, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit Hyjnor. Na dërgon Shpirtin e Tij Hyjnor e na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që na e ka përgatitur.

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Hyji, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, që është Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes, e jetës së përjetshme.

Kisha, në këtë solemnitet, na thotë se duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Hyji e ka ngritur çadrën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetët mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin Fjalës së Tij jetëdhënëse, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Pra, në Jezusin është Zoti që na pret! Shën Bernardi pati thënë se: “Të Ngjiturit të Krishtit në qiell është kurorëzimi e përfundimi i të gjitha të kremteve të Shëlbuesit Jezus dhe njëherit caku i fundit i udhëtimit të jetës së Tij mbi tokës”. 

13 maj 2021, 09:40