Kërko

Vatican News

Shenjtorёt e javёs 16 - 23 maj

E diel 16 maj, Kisha katolike kremton të dielën e VII të Pashkëve e në shumë vende si në trevat shqiptare, kremtohet solemniteti i festës së ‘Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell’, apo festa e ‘Të Shëlbuemit’. Po mё 16 maj, kalendari kishtar pёrkujton shën Ubaldin, shën Onoratin, shën Luigjin Orione, shën Aleksandrin dhe të Lumin Vladimir Gjika, me prejardhje shqiptare.

R.SH. - Vatikan

E diel 16 maj, Kisha katolike kremton të dielën e VII të Pashkëve e në shumë vende si në trevat shqiptare, kremtohet solemniteti i festës së ‘Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell’, apo festa e ‘Të Shëlbuemit’.  Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell (të Shëlbuemit) nuk dëshmon mospranimin e Tij, po se Ai është i gjallë në mesin tonë në një mënyrë të re, afër çdonjërit prej nesh. Për të hy në lavdinë e Zotit kërkohet besnikëria e përditshme ndaj vullnetit të tij, edhe atëherë kur kërkohet flijim. 

Po mё 16 maj, kalendari kishtar pёrkujton shën Ubaldin, shën Onoratin, shën Luigjin Orione, shën Aleksandrin dhe të Lumin Vladimir Gjika, me prejardhje shqiptare.

 I Lumi Vladimir Gjika u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik. Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare. Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Tё hënën më 17 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Vitorin martir dhe e Shën Pashk Bajlonin, lajk françeskan, pajtor qiellor i shoqatave eukaristike.

Të martën më 18 maj, sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Gjonit I, papë e martir e shën Feliksin nga Kantaliçe, rregulltar kapuçin.

Të mërkurën më 19 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Çelestinin V, papë e Shën Urbanin I papë, Shenjtorët Partenin e Kallugjerin, martirë, Shën Ivon meshtar e Shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.

Të enjten më 20 maj, kalendari kishtar  përkujton Shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Auren, martire nga Ostia, afër Romës.

Të premten më 21 maj, kalendari kishtar pёrkujton Shën Kristoforin Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe Shën Eugjeninde Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë.

Të shtunën më 22 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore qiellore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe  shën Julien, virgjër e martire.

Të dielës së ardhshme më 23 maj Kisha katolike do tё kremtojё solemnitetin e Rrëshajëve – festën e lindjes së Kishës sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjё mё 23 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Baptist de Rosi, meshtar romak.

16 maj 2021, 15:22