Kërko

Vatican News
Shenjtërorja Mariane e Knock, Irlandë Shenjtërorja Mariane e Knock, Irlandë 

Rruzarja e 10 majit. Lutje për fundin e virusit, nga zemra mariane e Irlandës

Maratona e shenjtëroreve, propozuar nga Papa, sot arrin në Knock, ku Zoja u duk, së bashku me Shën Jozefin dhe Shën Gjonin ungjilltar. Vëmendje e posaçme, për njerëzit me kufizime.

R. SH. - Vatikan

Sot, maratona e lutjes, dëshiruar nga Papa në muajin e majit, për t’i dhënë fund pandemisë,  arrin në njërën nga shenjtëroret më popullore  irlandeze. Stafeta ndalet pranë Zojës së Knock. Është një qendër e vogël  në kontenë e Mayo, ku Maria u duk, së bashku me Shën Jozefin e Shën Gjonin Ungjilltar, më 21 gusht 1879. Ngjarje krejt e pazakontë, duke pasur parasysh se Zoja nuk foli fare e ata, që e panë, ishin pak vetë, fëmijë e të rritur,  që u mbështollën për dy orë rresht nga një dritë e jashtëzakonshme, e ngjashme me flakët e një zjarri vigan.

Kremtimi i sotëm e bën edhe më të veçantë këtë vit, në të cilin Papa i dha Kishës së Knock titullin “shenjtërore eukaristike e mariane ndërkombëtare”. Mesha  festive me rastin e këtij emërimi u kremtua më 19 marsin e kaluar, në solemnitetin e Shën Jozefit.

Çdo vit shenjtërorja irlandeze pret e përcjell më se 1,3 milionë  shtegtarë, një numër, që gjatë vitit 2020, u pakësua ndjeshëm për shkak të pandemisë. Si  gjithnjë, edhe Rruzarja e sotme do të transmetohet në orën 18.00 në kanalet zyrtare të Selisë së Shenjtë. Në qendër, një ndjet i veçantë për njerëzit me kufizime.

10 maj 2021, 16:08