Kërko

Vatican News

Pizzaballa: në Lindjen e Mesme, vite lufte sektare. Është koha për falje

Patriarku i Jeruzalemit foli në uebinarin e organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, 30 vite pas dokumentit mbi dialogun dhe kumtimin e Ungjillit, botuar nga dikasteri së bashku me Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve

R.SH. - Vatikan

Falja është e domosdoshme: dëshmitar i gjendjes dramatike në Tokën Shenjte, kryeipeshkvi françeskan Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve, përçoi britmën e dhimbjes së popujve, që jetojnë në rajon, në takimin në internet, mbajtur dje, më 19 maj, në 30-vjetorin e botimit të dokumentit të përbashkët të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, me titull “Dialogu dhe Kumtimi i Ungjillit”.

Krerët fetarë të impenjohen për drejtësi e paqe në Lindjen e Mesme

Prelati theksoi se termat, që të kujtojnë prozelitizmin, pavarësisht se të veshura me frymën e misionit, shihen me dyshim në zonën ku kanë lindur judaizmi, krishterimi dhe islamizmi, sepse ato evokojnë një të kaluar kryqëzatash dhe kthimesh me forcë në fe të tjera, në një kuadër, në të cilin feja nuk është vetëm përvojë personale, por përcakton edhe identitetin vetjak e shoqëror. “Sot është koha që krerët fetarë - shtoi ai duke iu referuar aktualitetit - të impenjohen për drejtësi e paqe në Lindjen e Mesme, plagosur rëndë nga vitet e luftërave sektare dhe të tragjedive të turpshme. Dialogu ndërfetar, që nuk merr parasysh përgjegjësinë e ndërsjellë, konkrete dhe efektive ndaj shoqërisë, është i destinuar të mbetet letër e vdekur, duke u reduktuar në takime vetë-referuese, krejtësisht të parëndësishme”, denoncoi imzot Pizzaballa.

Pjesëmarrësit në uebinar

Së bashku me të, morën pjesë në punimet e uebinarit edhe kardinajtë Miguel Ángel Ayuso Guixot dhe Michael Louis Fitzgerald, përkatësisht kryetar dhe ish-kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, si edhe kardinali Luis Antonio G. Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Ndërhynë ipeshkvij, profesorë, rregulltarë e murgesha, gjithnjë me synimin për të shqyrtuar zbatimin e dokumentit të vitit 1991 në kontekste të ndryshme gjeografike dhe paraqitjen e gjendjes, në të cilën ndodhet dialogu ndërfetar sot.

Udhë 30-vjeçare

Dokumenti “Dialogu dhe kumtimi. Reflektime dhe udhëzime mbi dialogun ndërfetar dhe mbi kumtimin e Ungjillit të Jezu Krishtit” mbushi 30 vjet. Botuar më 19 maj 1991 nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, teksti u jep besimtarëve katolikë mundësinë të mësojnë si t’u tregojnë respekt besimtarëve të feve të tjera, pa harruar të kumtojnë Ungjillin e Krishtit. Ky dokument i ka rrënjët në Koncilin II të Vatikanit dhe vë në dukje si e konceptoi dhe e interpretoi shën Gjon Pali II përvojën e dialogut ndërfetar. Nuk duhet harruar se dokumenti është edhe një nga frytet e shumta të Takimit ndërmjet feve, mbajtur në Asizi pesë vite para datës së botimit të tij.

20 maj 2021, 12:31