Kërko

Vatican News
Patriarku i Jeruzalemit, imzot Pizzaballa Patriarku i Jeruzalemit, imzot Pizzaballa  (AFP or licensors)

Pizzaballa: kriza izraelo-palestineze zgjidhet duke folur

Ndërsa vijon sulmi mbi Gazën dhe flakja e raketave drejt Izraelit, Patriarku i Jeruzalemit fton për lutje e dialog: çështja, kujton, është pasojë “e një plage të mbuluar, po kurrë të mjekuar”. Vijon shqetësimi për dhunën në frontin e brendshëm.

R. SH. - Vatikan

Vijojnë sulmet ajrore të Izraelit mbi Gazën e flakja e raketave nga ana e Hamasit. Forcat e armatosura komunikojnë se vijojnë sulmet e natës: izraelitët sulmojnë objektivat e nëndheshme, palestinezët, të gjuajnë me raketa, duke vrarë të rritur e fëmijë. Ndërkaq, në frontin e brendshëm,  vijojnë ndeshjet ndërmjet qytetarëve arabë e hebrenj, duke nisur nga veriu i vendit, me zjarre, plaçkitje e të shtëna të paprera. Ndërkaq në Qytetin e Shenjtë duket se dhuna po pakësohet – shpjegon për Vatican News, Imzot Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jeruzalemit, që bën thirrje për dialog:

“Për fat të keq, dhuna vijon, me intensitet më të pakët në këtë çast,  ndonëse është e vështirë të bësh parashikime. Edhe pse ka shumë fronte të hapura. Ndoshta situata në Jeruzalem, që ishte shkëndija nga e cila shpërtheu zjarri, është më e qetë, ndonëse priten gjithnjë sulme nga ana e myslimanëve, duke shpresuar që të mos ndodhin. Tani po na shqetëson më shumë fronti i brendshëm, sepse ishim krejt të papërgatitur. Ndonëse e prisnim. Ndërsa çështja e Gazës - e nuk dëshiroj të jem cinik - nuk është aspak gjë e re. E kemi parë shumë herë: herën e fundit, më 2014. Nuk shikoj rrugëzgjidhje të lehta. Themi se tani për tani situata e dhunës është më e qetësuar, por jo se ka marrë fund”

Përsa i takon frontit të brendshëm, lajmet që arrijnë flasin për dhunë në gjirin e popullatës. Ç’po ndodh?

“Dhuna shpërthen nga të dyja palët. Arabë kundër hebrenjve e hebrenj kundër arabëve e është e vështirë të kuptosh cila është raprezalje e cila jo. Ndoshta gjithçka është pasojë e përbuzjes së njërit ndaj tjetrit, posaçërisht  ndaj arabëve, por jo vetëm. Ndjehej qëkur një farë diskriminimi ndaj arabëve, që në këtë çast shpërtheu. Shkaqet janë gjithnjë po ato! Çështja izraelito-palestineze nuk është zgjidhur kurrë. Ashtu si nuk është zgjidhur as çështja e Jeruzalemit dhe e ardhmërisë së Qytetit. Janë gjëra që nuk zgjidhen as me prova force, as me diktatin e njërës palë mbi tjetrën, por vetëm me mirëkuptim të përgjithshëm. Sapo u hoq fasha, u duk menjëherë plaga, krejtësisht e pashëruar. Shkaqet janë gjithnjë të njëjta, të papërballuara kurrë seriozisht”.

Netanyahu pohon se operacionet do të vijojnë aq sa të jetë e nevojshme. Çfarë perspektivash shikoni për këtë krizë?

“Nuk besoj se  do të jetë kjo rrugëzgjidhja. E kemi parë në të kaluarën se lufta, sado e zgjatur, nuk sjell rezultate konkrete. Aq e vërtetë është kjo, sa jemi gjithnjë në “të njëjtën pikë”. Kjo gjendje veç sa do të krijojë gërmadha të reja e do të ndezë inate të reja ndërmjet të dyja palëve. Duhet folur! Këtu është problemi; nuk flitet!”.

Papa Françesku, të dielën e kaluar, i ftoi të gjithë të lutem për Jeruzalemin: si po e jetojnë këtë çast Kisha latine dhe patriarkati? E Ju, e ç’mesazh  drejtoni nga ato vise, ku nuk ka paqe?

“Gjëja e vetme që mund të bëjmë, është të lutemi e t’i ftojmë të gjithë njerëzit që njohim të bashkohen me ne në lutje. Po përgatisim një mbrëmësore të veçantë për paqen, në prag të Rrëshajëve, pas pak ditësh. Jemi në lidhje me të gjitha famullitë tona, posaçërisht me atë të Gazës, me të cilën dëgjohemi çdo ditë.  Krijimi i një zinxhiri lutjesh është e vetmja gjë që mund të bëjmë, pa harruar të denoncojmë e të  bëjmë thirrje për dialog, që t’i jepet fund një situate kaq dramatike!”.       

15 maj 2021, 12:30