Kërko

Vatican News
Toka e Shenjtë është në flakë Toka e Shenjtë është në flakë  (AFP or licensors)

Nga Jeruzalemi lartohet britma e atë Faltas: Toka e Shenjtë është në flakë!

Flakje të pandërprera raketash, mbi Gazën e mbi Izraelin. Bilanc i hidhur prej dhjetra të vdekurish, ndërmjet të cilëve, edhe fëmijë! Kjo, kronika e ditës së gjashtë të sulmeve izraelite mbi Rripin, ndërsa në Izrael arriti i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndalojeni këtë skëterrë - kjo, britma e ngarkuar me dhimje e françeskanit të Rojtarisë së Tokës Shenjte, atë Ibrahim Faltas

R. SH. - Vatikan

Kryeministri izraelit Netaniahu pati premtuar katër ditë më parë, se  sulmet mbi Gazën do të vijonin, madje do të bëheshin edhe më të shpesha. E tha, dhe e mbajti fjalën! Gjashtë ditë pas nisjes së sulmit me raketa, bilanci i fundit i viktimave palestineze, sipas shifrave të Hamasit, është 139 të vdekur, ndërmjet të cilëve, 39 fëmijë, e mbi një mijë të plagosur.

E me numra flet edhe pala izraelite:  kujton se numri i raketave të hedhura  nga pala palestineze ka arritur në 2.300, nga të cilat vetëm një mijë të  asgjësuara. E sot artileria palestineze goditit një ndërtesë në Ramat Gan, lagje e jashtme e Tel Avivit, me pasojë një të vrarë. E pak më vonë, në Gazë, u godit edhe rrokaqielli i al-Jala-s, seli e Al-Jazeera dhe e mediave të tjera ndërkombëtare, ndërmjet të cilave, Associated Press.

Gjatë natës raketat izraelite u përqëndruan kryesisht mbi një ndërtesë në kampin e refugjatëve të Al-Shaty, në veri të Rripit, për të neutralizuar, sipas aviacionit izraelit, krerët më të rëndësishëm të Hamasit, ndërsa pala palestineze flet për 10 civilë të vrarë, të gjithë nga e njëjta familje. Ndërmjet tyre, edhe tetë fëmijë.  Në Tel Aviv arriti, ndërkaq, Hady Amr,  i dërguar i presidenti të SHBA-ve John Biden, ndërsa nesër do të mbahet Këshilli i Sigurimit i OKB-së. “Ju lutem, ndaleni këtë skëterrë” – bën përsërui thirrje, nga Jeruzalemi, Atë Ibrahim Faltas, françeskan i Rojtarisë së Tokës Shenjte!

16 maj 2021, 15:10