Kërko

Vatican News

Mianmar, lirohet meshtari i arrestuar nga ushtarakët

Atë Colombano Labang Lar Di, i dioqezës Banmaw, ishte arrestuar më 14 maj, ndërsa shkonte për të marrë disa ndihma në të holla për familjet e varfra, që marrin pjesë në Lëvizjen e Mosbindjes Civile kundër grushtit të shtetit. Të shumtë, meshtarët e rregulltarët e impenjuar në favor të popullsisë. Të dielën, thirrja e Papës

R.SH. - Vatikan

Ishte në udhëtim drejt qytetit Myitkyina, ku do të mblidhte ndihma në të holla për familjet e varfra pa punë, kur, më 13 maj, ushtarë të trupave të Mianmarit e ndaluan atë Colombano Labang Lar Di dhe i vunë prangat. Dje në mëngjes, prifti katolik i dioqezës së Banmaw, në shtetin Kachin, u lirua dhe u shoqërua personalisht nga autoritetet lokale dhe nga ipeshkvi Raymond Sumlut Gam, për në qendrën dioqezane.

Lajmin e dha vetë ipeshkvi, që, përmes agjensisë katolike të lajmeve SIR, shprehu “falënderimet dhe vlerësimet e tij më të thella për Papën Françesku”, i cili të dielën, më 16 maj, kremtoi një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit me bashkësinë birmane të Romës. Falenderoi edhe “bashkësitë katolike në të gjithë botën për lutjet dhe për mbështetjen e veçantë, që po i japin paqes dhe njerëzve të vuajtur në Mianmar”.

Atë Colombano, famullitar i Prang Hkung Dung, në kufirin me Kinën, ku në kampe refugjatësh, jetojnë mijëra njerëz të zhvendosur brenda vendit, është një nga meshtarët e shumtë që, së bashku me murgeshat dhe rregulltarët, ndihmojnë atë popullsi të pambrojtur, që merr pjesë në Lëvizjen e Mosbindjes Civile (CDM) kundër puçit ushtarak të 1 shkurtit.

Arrestimi

 Më 13 maj, meshtari po udhëtonte nga Banmaw në Myitkyina me makinën e tij, kur u ndalua në një pikë kontrolli ushtarak rreth 22 milje në veri të qytetit, ku po zhvillohen luftime të ashpra. Ushtarakët gjetën disa fotografi dhe të dhëna, përfshirë pamje të Ushtrisë së Pavarësisë Kachin (Kia), në telefonin e tij celular. Atë Colombano u dërgua në bazën ushtarake Banmaw për pyetje të mëtejshme. Vetëm të nesërmen, imzot Sumlut Gam mësoi për faktet, por nuk iu dha mundësia të takohej me meshtarin.

Thirrja e ipeshkvit

Të shtunën, më 15 maj, ipeshkvi i dërgoi një letër komandantit, autoriteteve shtetërore dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, me të cilën bënte thirrje për lirimin e priftit, që dje në mëngjes, u la i lirë. Ndërkaq, lajmi për arrestimin ishte bërë viral në mediat shoqërore, duke shkaktuar reagime të fuqishme nga shoqëria civile dhe nga Kisha birmane, që foli për një akt tjetër dhune dhe frikësimi të ushtrisë kundër personelit katolik dhe liderëve fetarë.

Bojkotim paqësor

Në Mianmar, grupe të mëdha profesionistësh dhe punëtorësh, puna e të cilëve është jetike për ekonominë e vendit, po drejtojnë Lëvizjen e Mosbindjes Civile (CDM) kundër juntës ushtarake. Punonjësit shëndetësorë dhe mjekët, bankierët, avokatët, mësuesit, inxhinierët, nëpunësit civilë nga i gjithë kombi, i kanë kërkuar ushtrisë rikthimin e institucioneve demokratike, duke refuzuar të shkojnë në punë. Një bojkotim i qetë dhe jo i dhunshëm, njofton agjencia Fides, i cili vazhdon dhe përhapet kryesisht falë mediave shoqërore.

 Si përgjigje, më 16 maj, junta ushtarake pushoi nga puna më se 150.000 mësues, që nga shkollat ​​fillore në universitete, duke arrestuar 10.000 civilë në gjithë vendin. Që nga 1 shkurti, ushtria ka arrestuar qindra anëtarë të Lidhjes Kombëtare për Demokraci, partisë që fitoi zgjedhjet e nëntorit 2020, udhëhequr nga Aung San Suu Kyi, edhe ajo e arrestuar.

18 maj 2021, 12:03