Kërko

Prof. Mandalà: Papas Lekё Matranga gjigant i gjuhës e identitetit arbëresh

Meshtari arbëresh papas Lekë Matranga (1560-1619), figurë madhore e Kishёs dhe letërsisë arbëreshe, nё pёrvjetorin e vdekjes. Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë), botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe vepra e parë e një arbëreshi dhe e para vepër e shkruar në toskërisht.

R.SH. - Vatikan

Si sot më 6 maj të vitit 1619 ndërroi jetё meshtari arbëresh papas Lekё Matranga (1567-1619) në Horën (Fshatin) e Arbëreshëve, nё Sicili, njё personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës së vjetër arbëreshe, autori i veprës së dytë të shkruar në gjuhën shqipe.

Mbi figurën madhore tё priftit e studiuesit arbëresh Papas Lekё Matranga, autorin e dytё tё veprës sё dytë shkruar tё gjuhës shqipe, flasim me  albanologun e studiuesin e njohur tё letërsisë shqipe e arbëreshe, prof. Matteo Mandalà:

Prof. Mandalà: Papas Lekё Matranga gjigant i gjuhës e identitetit arbëresh

Papas Lekё Matranga lindi me 18 janar 1569 në Horën (Fshatin) e Arbëreshëve në Sicili, mbi Palermo. Pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Atanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si meshtar.

Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë), vepёr e teologut jezuit At Ledesma. Kjo vepër u botua pak vite pas ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, prandaj është vepra e dytë e shkruar në gjuhën shqipe, që njihet deri më sot. Vepra e papas Lekë Matrangёs është me një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e gjuhës shqipe, e në mënyrë të veçantë për dialektin e Horës së Arbëreshëve.

Pra ka një vlerë të dorës së parë për letërsinë, kulturën, identitetin kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve në përgjithësi, e të arbëreshëve në veçanti. Kjo vepër u bë e njohur nga botimi i Prof. M La Piana në revistën 'Roma e l’Oriente’ më 1912. Më 2013 albanologu e studiuesi i letërsisë shqipe e arbëreshe, prof. Matteo Mandalà botoi një botim tjetër me titullin “Lekë Matranga: njeriu, koha, vepra”.

Vepra "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë) me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historinё e Kishës arbëreshe, përveç përmbajtjes sё katekizmit mbi doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje, përfshin edhe një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip.

“Doktrina e Krishterë" e Lekë Matrangës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje, që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmin, që është mësim e udhëzim për njohjen e doktrinës së krishterë, mësimet e Kishёs në formën e pyetje -përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, kryeipeshkёv i Monreales, papas Matranga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga besimtarët e krishterë arbëreshë që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmit në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare për përforcimin e fesë së tyre të krishterë.

Vjersha e parë që u botua në gjuhën shqipe në "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë) nga papas Lekё Matranga, përbëhet nga tetë vargje, në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një mesazh të çmueshëm e prekës shpirtëror e titullohet thjesht 'Canzona spirituale' – 'Këngë e përshpirtshme':

Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,

të mirë të krështë, burra gra,

mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,

se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;

e lum kush e kujton se ka te vdesë,

e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,

se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,

e bën për bljr të tij e për vëlla

06 maj 2021, 09:35