Kërko

Vatican News

Kisha dioqezane e Rrёshenit kremton pajtorin qiellor Sh’Llezhdrin

Kisha dioqezane e Rrёshenit kremton pajtorin qiellor Sh’Llezhdrin.

R.SH. - Vatikan

Mё 13 maj kalendari kishtar, mes shumё shenjtorёsh, pёrveç festёs tё sё Lumes Mari Virgjёr tё Fatimes, pёrkujton edhe Shёn Aleksandrin a Sh’Llezhdrin, pajtorin qiellor tё Kishёs dioqezane tё Rreshenit, dikur Abacia e Oroshit nё Miriditё. Mesha shenjte u kryesua nga ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli. Kremtimi i sotëm kurorëzoi tri ditë veprimtarish kushtuar shën Aleksandrit martir, siç njofton don Agustin Bardhi nga Rrësheni…

Dëgjo don Agustin Bardhin...

Sh'Llezhdri në Shqipëri

Sh’Llezhdri në fakt nuk ka qenë vetëm i mirditorëve, pasi shumë Kisha, në këtë pjesë verilindore të Shqipërisë, kanë pasur emrin e Sh’Llezhdrit, si në Selitë të Kurbneshit, Mat (Bulqizë), madje edhe në Tiranë (Përcëllesh), Elbasan (Tërbaç), në Dibër (Selishtë) madje edhe mali i Krujës, ku sot është teqja e Sari Salltikut, mund të ketë qenë Kishë e Sh’Llezhdrit. Por më e famshmja Kishë e Sh’Llezhdrit është ajo e Oroshit e cila ka ruajtur ndër shekuj edhe titullin e Abacisë, deri në vitin 1996 kur u krijua dioqeza e Rrëshenit.

Sh’Llezhdri apo shën Aleksandri është një shenjt martir i shekujve të parë të krishterimit. Jetëshkrimi i tij është diçka ndërmjet historisë dhe legjendës. Ka dy variante kjo histori, por që mund të jenë edhe dy shenjtër me të njëjtin emër, në të njëjtën kohë.
Njëra histori e do martir në Bergamo të Italisë, ndërsa tjetra në qytetin Drizipera të Thrakës së lashtë. Le t’i shohim të dyja historitë shkurtimisht.

Sipas variantit të parë Aleksandri ka lindur në Thebë (Greqi) gjatë shek. III dhe ishte flamurmbajtësi i Legjionit legjendar të Thebës, i udhëhequr nga gjenerali Mauritius, i cili më vonë u martirizua dhe u shenjtërua në Kishën Katolike. Në vitin 301, ndërkohë që legjioni kalon nga Mesopotamia drejt Afrikës, mbërriti një urdhër i Perandorit Maksimian (M. Aurelius Valerius Maximianus 240 – 310), në të cilin kërkohej përndjekja e disa të krishterëve të pranishëm përgjatë kësaj ekspedite ushtarake. Trupat iu kundërvunë një urdhëri të tillë e kjo u kushtoi jetën shumë ushtarëve të këtij legjioni pranë Agaunum (Zvicër).

Ndërmjet atyre që arritën t’i shpëtonin këtij persekutimi perandorak ishte edhe Aleksandri që, i akuzuar për mosbindje, vendosi të fshihej në Milano, që në atë kohë ishte kryqytet i Perandorisë dhe selia e oborrit të Maksimianit. Kapet dhe ikën disa herë nga burgu. Kur u kap herën e fundit i’u prenë kryet me 26 gusht 301 dhe kryet e tij u mor nga një grua fisnkike me emrin Grata. Pasi vdiq trupi i shën Aleksandrit u transportua përgjatë qytetit nëpërmjet Borgo San Leonardo dhe Borgo Pignolo, ku sipas Traditës, aty ku kulluan pika gjaku nga kryet e shenjtit, dolën lule.

Ndërsa varianti i dytë, i cili i afrohet më shumë rrethanave tona shqiptare, e shikon shën Aleksandrin përsëri një ushtar romak, i kohës së të njëjtit Perandor, i cili në moshën 18 vjeçare, për shkak të mosbindjes së tij, për t’u kushtur fli idhujve, arrestohet dhe dërgohet në Thrakë për të ndihmuar Tribunin Tiberius në persekutimin e të krishterëve. Aty përsëri mban qëndrimin e tij të prerë dhe arrestohet. Te ai mbërrin e ëma Pirenia e cila e inkurajon të mos dorëzohet. Ai do të torturohet barbarisht në qytetin Thrak të Filipopolit, në Bullgarinë e sotshme dhe më vonë do të martirizohet në qytetin tjetër Thrak i quajtur Driziperë, në Turqinë e sotshme.

Me shumë gjasa kultin e shën Aleksandrit e sjellin fisi i vjetër i Thrakëve në trojet shqiptare, të cilët, sipas ndonjë studiuesi, tkurren në zonën ndërmjet Matit dhe Dibrës, me shumë mundësi për shkak të mbrojtjes prej sllaveve. Kjo mund të justifikojë pse-në e kultit shumë të përhapur të Sh’Llezhdrit në këto zona e ndoshta mund të hedhë dritë edhe për çështjen e Abacisë së Oroshit, sidomos për karakterin e saj benediktin apo bazilian, pasi ky shenjt është shumë i nderuar edhe nga Kisha ortodokse. Pra është më se e besueshme që Thrakët e lashte kanë sjellë kultin e shën Aleksandrit martir në kët troje. Kjo edhe për faktin që shën Aleksandri romak, martir në Thrakë, e ka festën e tij me datë 13 maj, si në Kishën Katolike në Shqipëri e si në Kishën ortodokse. Ndërsa shën Aleksandri i variantit të parë e ka festën më 26 gusht.

13 maj 2021, 10:07