Kërko

Vatican News

Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte

Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë nënvizon liturgjia e Fjalës së Zotit e këtij solemniteti. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe përkon me festën e Trinisë Shenjte. Pas festës së Rrëshajëve, që kremtuan të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, Kisha, me këtë të diele, fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe na propozon me njëherë festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore. 

Fjala e Zotit e solemnitetit tё Trinisё Shenjte

Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë nënvizon liturgjia e Fjalës së Zotit e këtij solemniteti. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

Në festën e Trinisë Shenjte, Fjala e Zotit na fton të gjejmë në misterin e Trinisë Shenjte marrëdhëniet ndërmjet Jezusit, Atit dhe Shpirtit Shenjt. Leximet biblike tё propozuara nga liturgjia nё solemnitetin e Trinisё Shenjte, flasin për Zotin e na ndihmojnë të hyjmë në misterin e identitetit të Zotit, prandaj flasin për dashurinë: nuk ndalen aq në Misterin e Tri Vetjeve, por në dashurinë, që përbën thelbin dhe unitetin e trinisë njëkohësisht. Mbarë gjithësia lëviz nën shtytjen e dashurisë së Hyjit: ky është thelbi i solemnitetit të të Shenjtnueshmes Trini, qё kremtojmё kёtё tё diele. Në misterin trinitar, Jezusi na zbulon se Zoti është dashuri, një dashuri e kulluar, e pakufishme e amshuar.

Jezusi na zbuloi se Zoti është dashuri, jo dashuri e një Hyji të vetëm, por e tri vetjeve të barabarta e të veçuara, me të njëjtën substancë. Trinia është Krijuesi e Ati i mëshirshëm, është Biri i vetëm, urtia e amshuar, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për ne; është Shpirti Shenjt, i cili vë në lëvizje gjithçka, kozmos e histori, në një proces, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë së fundit.

Tri Vetje që janë një Hyj i vetëm, sepse Ati është dashuri, Biri është dashuri, Shpirti Shenjt është dashuri. Hyji është krejtësisht e vetëm dashuri, dashuri e kulluar, e pakufishme e amshuar. Nuk jeton në vetmi të shndritshme, por është burim i pashterrshëm jete, që dhurohet e përçohet vazhdimisht. Mund ta marrim me mend në një farë mënyre, duke vërejtur si makro-universin: tokën tonë, planetët, yjet, galaksitë; ashtu edhe mikro-universin: qelizat, atomet, grimcat fillestare. Të gjitha, në një farë mënyre, janë të vulosura me ‘emrin’ e së Shenjtnueshmes Trini, sepse e gjithë krijesa, deri tek grimcat më të vogla, është krijesë-në-realizim e kështu tejduket Hyji-marrëdhënie, tejduket, së fundi, Krijuesi- Dashuri. Gjithçka buron nga dashuria, shkon drejt dashurisë e lëviz nën shtytjen e dashurisë, natyrisht me gradë të ndryshme të vetëdijes e të lirisë.

Por cili është identiteti i vërtetë i Hyjit, identiteti që ndrin mbi gjithësinë? Është dashuria. Një dashuri e shkruar në shpirtin e çdo njeriu. Prova më e fortë se jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Trinisë është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie, jetojmë për të dashur e për t’u dashur. Duke përdorur një analogji të marrë nga biologjia, themi se njeriu ka në ‘genomën’ e vet gjurmë të thella të Trinisë, të Zotit-Dashuri.

Mos tё harrojmё se ky solemnitet pasohet nga dy kremtime të tjera të mëdha: solemniteti i Korpit të Krishtit dhe festa e Zemrës së Krishtit. Secila nga këto tri festa liturgjike vë në dukje një perspektivë, përmes së cilës rroket i gjithë misteri i fesë së krishterë: dmth përkatësisht realiteti i Zotit, që është një i vetëm, në tri vetje hyjnore, Sakramenti i Eukaristisë dhe qendra hyjnore-njerëzore e Vetjes së Krishtit. Janë, në të vërtetë, aspekte të të njëjtit mister shëlbimi, që në një farë mënyre përmbledhin gjithë rrugën e zbulesës së Jezusit, nga mishërimi, tek vdekja, ngjallja e deri tek të ngjiturit në qiell e tek dhurata e Shpirtit Shenjt.

Prova më e fortë se edhe ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Trinisë është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie, jetojmë për të dashur e për t’u dashur. Duke përdorur një analogji të marrë nga biologjia, themi se njeriu ka në ‘genomën’ e vet gjurmët e thella të Trinisë, të Zotit-Dashuri. E është pikërisht dashuria që e bën këtë mrekulli të vazhdueshme: ashtu si në jetën e Trinisë Shenjte, pluraliteti rindërtohet në unjësi, ku gjithçka është kënaqësi e gëzim. “Vides Trinitatem, si caritatem vides” – “Kundron Trininë, në se shikon dashurinë”. Të frymëzohemi nga Trinia Shenjte, model i përkryer i bashkimit në dashuri, për të ndërtuar dhe jetuar marrëdhëniet tona të përditshme njerëzore. O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. Urtia e Zotit, e zbuluar, e dëftuar në Jezusin që i tregon njeriut të vërtetën mbi veten dhe rrugën për arritur deri tek Ti.

                                                       Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Lp 4, 32-34.39-40)
Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka!

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu foli e tha: “Shqyrtoji kohët e lashta që ishin para teje, qysh prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe? A është dëgjuar një gjë e tillë? A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë? Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër: me provë, me shenja e me mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh, sikurse i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt?

Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, ta jep përgjithmonë.” Fjala e Zotit!

Psalmi (33)
Ref: Lum ai popull që i përket Zotit

___________________________

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

___________________________

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,

prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor.

Si foli, gjithçka u bë,

ai urdhëroi, gjithçka u përftua!

___________________________

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

___________________________

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

 

Leximi i dytë (Rom 8, 14-17)

Ju keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja!

Ungjilli (Mt 28, 16-20)
Pagëzoni të gjithë popujt në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!” Fjala e Zotit!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:TRINIA SHENJTE, PAGËZONI NË EMËR TË ATIT E TË BIRIT E TË SHPIRTIT SHENJT!

Lp 4, 32-34. 39-40; Ps 33 (32); Rom 8, 14-17; Mt 28, 16-20

Sot ne kremtojmë këtë mister të madh të së Shenjtërueshmes Trini, mister i cili na e tregon më së miri arsyen përse Hyji është dashuri. Hyji nuk është dashuri ngaqë është Krijues e as ngaqë është i mëshirshëm ndaj gabimeve tona. Ai është dashuri ngaqë është Trini. Hyji është dashuri në vetvete. Jo në kuptimin se është një vetmitar që do veten e tij, por ngaqë në Hyjin janë tre Persona Hyjnorë që duhen me njëri-tjetrin. E fakti se Hyji tregon dashuri duke krijuar e duke falur, janë veçse pasoja të kësaj dashurie të cilën tashmë Ai e ka në brendësinë e vet.

Të themi se Hyji është një i vetëm dhe se njëkohësisht në këtë Hyj janë tre Persona Hyjnorë, duket si një paradoks, por e vërteta është pikërisht kështu. Gjëja e parë që duhet të dijmë është se këtë të vërtetë ne e besojmë vetëm e vetëm ngaqë kështu Hyji na e ka zbuluar. Kjo është baza. Pastaj ka disa gjëra që mund t’i kuptojmë në këtë mister, por ka edhe shumë të tjera që nuk arrijmë t’i kuptojmë dot. Pikërisht kjo e fundit përbën madhështinë, sepse nuk kemi qenë ne njerëzit ata që kemi rënë dakord se si duhet të jetë Hyji ynë, por thjesht kemi marrë atë që Ai vetë na e ka zbuluar.

Vetëm Hyji njeh vetveten. Asnjë shenjt e asnjë teolog nuk kanë arritur ta njohin këtë Mister e nuk do të arrijnë. As engjëjt e as shenjtërit e Parrizit, madje as Zoja e Bekuar, të cilët e shohin Hyjin, nuk arrijnë ta kapin këtë Mister në plotësi. Vetëm Hyji njeh vetveten.

Është e famshme historia që tregon se si Shën Augustini – njëri prej teologëve dhe shenjtërve më me ndikim në Kishë – në një periudhë të jetës së tij, kishte filluar të hulumtonte shumë rreth misterit të Hyjit Trini. Mendonte, lutej, lexonte, por nuk arrinte ta kuptonte në plotësi këtë Mister.

Derisa një ditë, kur po shëtiste bregut të detit, pa nga larg një fëmijë. Kur iu afrua më shumë, pa se fëmija kishte bërë një gropë të vogël në bregun e detit dhe vraponte herë pas here nga deti tek gropa. Mbushte grushtat me ujë në det e shkonte e t’i zbrazte në gropën që kishte hapur. Kur i afrohet fare pranë, shenjti e pyet: «Çfarë po bën kështu?» Fëmija iu përgjigj: «Dëshiroj që tërë ujin e këtij deti, ta hedhë në këtë gropën e vogël.» Ipeshkvi i shenjtë buzëqeshi e i tha: «Jo, vogëlush, kjo është një gjë e pamundur!» E vogëlushi ia ktheu: «Ashtu sikurse është e pamundur që ti ta kuptosh misterin e Trinisë së Shenjtë.» Dhe u zhduk.

Shenjti e kuptoi se Hyji ia kishte dërguar këtë engjëll që t’i thoshte të hiqte dorë nga përpjekja për ta kuptuar në plotësi këtë Mister të pakapshëm për mendjen njerëzore.

Megjithatë, edhe pse është e vërtetë se logjika jonë nuk mund t’i kapë këto mistere të mëdha në plotësi, ne jemi në gjendje që t’i afrohemi atij deri diku. Arrijmë t’i afrohemi kur kuptojmë atë që është thelbësore: Hyji nuk është gjykatës e pikë; nuk është krijues e pikë; nuk është një që rri gati të shkruajë mëkatet tona me qëllim që të na i kujtojë ata një ditë, apo që shkruan meritat tona që një ditë të na i shpërblejë. Thelbësorja është se Hyji është Dashuri.

Dashuri nuk do të thotë një lëmsh emocionesh e ndjenjash (poshtë të cilave shpesh herë te njerëzit fshihet një egoizëm mizor e një personalitet i papjekur), por do të thotë dhurim i plotë, pa kursim dhe falas. Kur kuptojmë këtë, atëherë mund të vazhdojmë të flasim për Hyjin Trini e Njini.

Në leximin e parë që sot dëgjuam, thuhet se Hyji është pikërisht dashuri, përtej meritave që mund të kishte populli i Izraelit. Ky popull tashmë po shkonte të zotëronte tokën e premtuar dhe Moisiu ia kujtoi se çfarë dashurie kishte treguar Hyji ndaj tij: duke krijuar njerëzimin, duke i veçuar si popull në mes të të gjithë popujve të tjerë, duke i nxjerrë nga skllavëria e Egjiptit, duke u dhuruar Ligjin dhe, së fundi, duke u dhuruar edhe tokën e premtuar. E gjithë këtë Hyji e ka bërë edhe nëse ky popull ishte njëri prej popujve më të parëndësishëm të tokës, edhe nëse shpesh herë ky popull e fyente Hyjin me mëkatet e me ngurtësinë e zëmrës së tij. Prandaj Moisiu i mëson që, kur ta marrin në zotërim tokën që u ishte premtuar, t’i bindeshin këtij Hyji, sepse Ai ishte gjithnjë i dashur me këtë popull: «Mbaji urdhërimet e tij e ligjet e tij që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje!»

Të kuptonte se Hyji është sidomos Dashuri, ishte një hap shumë i madh për Izraelin. Por e thamë: Hyji nuk është dashuri për faktin se është Krijues e i mëshirshëm ndaj nesh. Ai është dashuri ngaqë është Trini. Këtë na e ka zbuluar Jezusi.

Në Ungjillin e sotëm flitet për takimin e Jezusit të Ngjallur me nxënësit e Vet. Ungjilltari thotë diçka shumë interesante: «Kur e panë (Jezusin), e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua dhe u tha...» Ungjilli tregon nga njëra anë ngurrimin e disa nxënësve, edhe pse para syve të tyre kishin Jezusin që sapo e kishte mposhtur vdekjen. Tregon kështu se sa të vështirë e ka njeriu t’i hapet fjalës së Hyjit.

Por, kur thotë se Jezusi «u afrua», në origjinalin grek ungjilltari përdor një term i cili përdorej në liturgjinë hebraike për të treguar ritin që bënte prifti kur i afrohej altarit të flijimit. Atë gjest, pra, që ishte dashur ta bënte njeriu për t’iu afruar Hyjit, e bën Jezusi, Biri i Hyjit, për t’iu afruar njeriut. Jezusi i afrohet me dashuri njeriut, sepse e njeh vështirësinë e tij për t’ia hapur zemrën Hyjit. Vetëm kështu, pastaj, njeriu u bë i aftë që t’i afrohej Hyjit. Një gjest delikat plot dashuri nga ana e Jezusit, që buron nga brendësia e Tij, brendësi e cila është e gjitha dashuri.

Pastaj Jezusi i dërgon apostujt në botë e ndër të tjera thotë: «Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!» Është hera e vetme që ndër Ungjij përmenden njëherësh Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Këtu Jezusi tregon qartë se Hyji është një i Vetëm, por në tre Persona Hyjnorë.

Këtë mister mund ta kuptojmë sadopak vetëm duke u nisur nga dashuria. Ati e do Birin duke i dhuruar Atij tërë dashurinë e vet, Biri e mirëpret këtë dashuri të Atit dhe ia kthen gjithashtu me një dashuri të plotë. Shpirti Shenjt është pikërisht dashuria e dhuruar dhe e marrë mes Atit e Birit.

Pastaj edhe vetë emrat me të cilët Hyji na është “prezantuar”, tregojnë shumë: termi «Atë» menjëherë të bën të mendosh se është Atë i dikujt, sikurse edhe termi «Bir» menjëherë të bën të mendosh se është i biri i dikujt. Edhe për Shpirtin Shenjt, të krishterët e parë përdornin termin domethënës «Dhurata» (Vap 10, 45), traditë e cila është ruajtur edhe sot në formulën e krezmimit: «Prano vulën e dhuratës së Shpirtit Shenjt!» Pra, të tre Personat Hyjnorë e “prezantojnë” veten gjithnjë «në lidhje me...» e jo veçmas. Ata i dhurohen njëri-tjetrit në përjetësi. Janë krejtësisht dhurim. Me të drejtë, në një predikim të vetin, Papa Benedikti XVI përdori këtë shprehje: «Hyji është vetëm dashuri.» Nuk thoshte «edhe dashuri», por «vetëm dashuri».

I lumi ai i krishterë që e kupton këtë! Kjo, sepse vetëm atëherë do të fillojë të sillet me Hyjin ashtu siç Hyji do. Vetëm atëherë do të fillojë t’i shmangë dy ekstremet që shpesh vihen re në jetën e shumë të krishterëve: ta shohin Hyjin si gjykatës ose si një “budalla”. Ata që e shohin si gjykatës, përpiqen të shmangin ndonjë mëkat të rëndë, ngaqë kanë frikë nga dënimet e, si pasojë, nuk janë të interesuar të përsosen në dashuri ndaj Hyjit e ndaj të afërmit. Kurse ata që e konsiderojnë Atë si “budalla”, mendojnë se Hyji është ndonjë bishë e cila duhet zbutur me ndonjë uratë, me ndonjë meshë, me ndonjë ritual fetar apo me ndonjë pelegrinazh në ndonjë shenjtërore, e pastaj “e flenë” ndërgjegjen e tyre e nuk duan t’ia dijnë për dashurinë konkrete ndaj Hyjit e ndaj njerëzve.

Por i lumi ai që e kupton se Hyji është dashuri, sepse vetëm atëherë fillon të ndërtojë me Hyjin një marrëdhënie dashurie dhe fillon t’i dojë të tjerët, duke qenë se e kupton se vetëm dashuria e bën të ngjashëm me Hyjin Trini dhe Njëni.

Shën Pali në leximin e dytë që dëgjuam, ua kujton të krishterëve të Romës e të gjithëve ne se «keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit thërrasim: Abba! O Atë!» E fakti që kemi marrë Shpirtin Shenjt, ka si pasojë se bëhemi edhe ne «fëmijët e Hyjit»: «E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin,» I krishteri është i zhytur, pra, në dashurinë e tre Personave Hyjnorë. E Jezusi, në fakt, apostujve këtë u kishte urdhëruar: «Pagëzoni (zhytini) në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.» Zhytje e cila fillon në këtë jetë e që e arrin plotësinë e saj në jetën e pasosur.

Përderisa, pra, me pagëzim jemi zhytur në këtë dashuri trinitare, duhet të kemi shumë kujdes e të mos largohemi nga dashuria në jetën tonë, sepse largohemi nga vetë Hyji.

Dom Dritan Ndoci

29 maj 2021, 10:55