Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: dy "Rrëshajë"?

Të dielën e ardhshme, pas tri ditësh, Kisha Katolike kremton festën e Rrëshajve. Është një nga festat më të rëndësishme të fesë së krishterë, e cila përkujton ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt. Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në kapitullin e dytë të Veprave të Apostujve, ku shën Luka ungjilltar na bën ta përjetojmë skenën, me ushtimën e erës së fuqishme e me gjuhët e zjarrit. Këto Rrëshajë kanë datë të njëjtë me rrëshajët e kremtuara nga hebrenjtë, 50 ditë pas Pashkëve. Por, siç lexohet në Ungjillin sipas Gjonit, edhe në ditën e Ngjalljes, Krishti u duket dishepujve të vet e duke hukatur mbi ta, u thotë: “Merrni Shpirtin Shenjt” (20,19-23). A mos është kjo një “Rrëshajë” tjetër? Për këtë argument do të flasim në emisionin e sotëm.

R.SH. - Vatikan

Dy skenat e dikimit të Shpirtit Shenjt janë pa dyshim, paralele. Vërtet, ato kanë në qendër Shpirtin e Zotit, që përfaqësohet nga simboli i erës së fortë. Sipas shën Gjonit ungjilltar, është Krishti ai që “hukat” mbi apostujt, me një gjest, që të kujton profetët. Ndërsa në tregimin e shën Lukës në Veprat e Apostujve“u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë… Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt” (Vap 2,2.4). Pra, në të dyja skenat, është i pranishëm Shpirti Shenjt, që vepron mbi apostujt, por pavarësisht nga ngjashmëria, duhet thënë se ndërmjet tyre ka edhe ndryshime.

Nga njëra anë, në Ungjillin e shën Gjonit evokohet akti krijues hyjnor, i shprehur përmes frymës, hukatjes së Shpirtit të Zotit në krijesën njerëzore (Zan 2,7). Në takimin e Tij me apostujt, Jezusi përvijon krijimin e njerëzimit të ri përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt, që e shlyen mëkatin. Vërtet, Krishti u beson apostujve e pra, Kishës së ardhshme, misionin e dhënë nga Shpirti Shenjt: “Atyre që jua falni mëkatet, u falen” (Gjn 20,23). Këtë mision gjykimi e faljeje, Jezusi ua paralajmëroi që gjatë jetës së Tij tokësore, shën Pjetrit (Mt 16,19) e apostujve (Mt 18,18). 

E dimë nga Ungjijtë Sinoptikë se Jezusi pati folur për Shpirtin Shenjt, që zbriti mbi të në pagëzim (shih Mk 1,10). Atë ua premtoi dishepujve si dhuratë, veçanërisht kur do të arrinte ora e persekutimit, kur Shpirti Shenjt do t’u vinte në mbrojtje, “duke u folur” e “duke i mësuar çfarë duhej thënë”.

Të njëjtin premtin e gjejmë edhe në Ungjillin sipas Gjonit (shih Gjn 14,26-27): kur të vijë Parákletos – i thirruri në krah si avokat mbrojtës, ndihmës dhe ngushëllues, Shpirti i së vërtetës që Jezusi do të dërgojë, pasi ngjitet tek Ati Qiellor - atëherë Shpirti do të japë dëshmi për Jezusin e, po kështu, edhe vetë dishepujt, që e ndanë jetën me Të qysh prej fillimit të misionit, qysh nga pagëzimi i kremtuar nga Gjoni.

Nga ana tjetër, në Veprat e Apostujve dëshmohet vazhdimësia ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re. Ato i referohen aleancës ndërmjet njeriut – në atë rast, Moisiu – dhe Zotit në malin Sinai, me stuhinë e vetëtimat, që e shoqëruan. Profetët Jeremia dhe Ezekieli e interpretojnë më tej këtë ngjarje, duke e konceptuar si krijimin e një zemre të re e të një shpirti hyjnor në besimtarin: “Shpirtin tim do ta fus në ju…”, shkruhet në Librin e Ezekielit (36,27). Nga kjo “besëlidhje e re” lind një popull i ri, i përtërirë, i karakterizuar nga përmasa universale, siç tregon shumëllojshmëria e gjuhëve, që janë në gjendje të flasin apostujt, pasi dikohet mbi ta Shpirti Shenjt, sipas përshkrimit në Veprat e Apostujve. Këto gjuhë simbolizojnë shumëllojshmërinë në të njëjtin besim e fe në Krishtin.

Atëherë, këto ndryshime ndërmjet dy pjesëve të Besëlidhjes së Re, që po shqyrtojmë, konvergjojnë në një koncept të vetëm: Kisha lind nga Shpirti Shenjt si përsa i përket misionit të pajtimit të shpirtrave e të faljes së mëkateve, ashtu edhe përsa i përket misionit të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit. Mbetet vetëm ndryshimi kronologjik: për shën Gjonin, Shpirti Shenjt dikohet mbi apostujt “në mbrëmjen e po asaj dite” të Pashkëve, kur Jezusi ringjallet (Gjn 20,19); ndërsa për shën Lukën kjo ngjarje ndodh “kur erdhi Dita e Rrëshajve” (Vap 2,1), pra 50 ditë më vonë.

Kur Jezusi dhe ndjekësit e tij bëhen objekt akuzash dhe armiqësie, Shpirti Shenjt kryen rolin e avokatit mbrojtës: është ai që jep dëshmi për Jezusin; është ai që i shoqëron dishepujt kur edhe ata thirren të japin dëshmi (shih Mk 13,11). Dishepulli është dëshmitar, që i dëgjoi fjalët e Jezusit, ishte me Të që nga fillimi e tani, pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, Shpirti Shenjt i jep forcën ta japë këtë dëshmi deri në vdekje, deri në martirizim.

Në rastin e përshkruar nga Shën Gjoni, privilegjohet bashkësia apostolike; në atë të shën Lukës, karizma, që fillon nga të Dymbëdhjetët e përqafon krejt turmën dhe bashkësinë e besimtarëve të rinj. Për të dy ungjilltarët, dikimet e shumta të Shpirtit Shenjt kanë gjithnjë si qëllim ta vazhdojnë veprën e Krishtit në Kishë e përmes saj. E në jetë të jetëve, kjo është vepër shëlbimi, çlirimi nga e keqja dhe misioni universal.

20 maj 2021, 08:51