Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç'ndodh "pas vdekjes"?!

‘Të Ngjiturit në qiell të Jezu Krishti është një nga solemnitetet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik tё Kishёs. Duke u nisur prej tij, po përvijojmë sot si e kupton Bibla atë, që vjen “pas vdekjes”.

R.SH. - Vatikan

Sot Kisha Katolike feston Të Shëlbuemit”, pra, kremton Ngjitjen e Jezu Krishtit në Qiell, 40 ditë pas vdekjes e Ngjalljes, ngjarje e mistere feje qё kremtuar gjatё kohёs liturgjike tё Kreshmёve dhe Pashkёs. Është episodi i fundit i jetës tokësore të Jezusit, që kremtohet nga të gjitha konfesionet e krishtera dhe, së bashku me Pashkët e Rrëshajët, Të Ngjiturit “në qiell” të Jezu Krishtit është një nga solemnitetet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik tё Kishёs.

Duke u nisur nga festa e sotme që kremton Kisha katolike, po përvijojmë sot si e kupton Bibla atë, që vjen “pas vdekjes”. Ky argument është tepër i debatuar në kohën e sotme dhe eksperimentet për të ditur se ç’ndodh pasi njeriu e humb jetën e vet, nuk kanë fund.

Môt tamût, “me siguri do të vdesësh!”: këto fjalë të akullta të Zotit dëgjohen që në rreshtat e para të Biblës (Zan 2,16). Vdekja fizike është shenjë e cakut, ku mund të arrijnë krijesat, madje, është një “simbol” i madh, që përmbledh në vetvete shumë “vdekje” të njeriut, atë për shkak të mëkatit, të vetmisë, të mjerimit, të dhunës. Gati të gjitha faqet e Biblës rigohen nga vdekja për të shkuar drejt vdekjes më të lartë, atë të Krishtit mbi kodrën e Jeruzalemit, që quhej “Kafka”, në aramaikisht “Golgota”, në latinisht “Calvario”.

Në librat e parë, Bibla shpreh frikën nga vdekja, duke filluar nga Psalmi 39(vv. 6-7): “Në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, jeta ime është asgjë para teje, vetëm avull është çdo njeri. Porsi hije është jeta e njeriut, e kotë është krejt puna e tij”. Për të vazhduar me Psalmin 90(vv. 5-6), ku përshkruhet ç’u bën Zoti njerëzve: “Ti i zhbin në gjasim të gjumit që në mëngjes kalon si bari; lulëzon në mëngjes dhe gjelbëron, në mbrëmje korret dhe vyshket!” E pastaj drama e Jobit dhe e mbretit Ezeki, që, i shëruar nga një sëmundje, shpall: “Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, Vdekja ty lavde s’të këndon; ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron siç po bëj edhe unë sot” (Is 38,18-19). Edhe vetë Jezusi para engjëllit të vdekjes lutet: “Ati im, nëse është e mundur largoje prej meje këtë kelk mundimesh…” (Mt 26,39).

Pra, Fjala e Zotit mishërohet edhe në frikën e në kufizimet e njeriut: vendi ku shkohet pas vdekjes, në shumë faqe të Besëlidhjes së Vjetër, quhet “Sheol” dhe përfytyrohet si një zonë fantazmash, ku s’pipëtin asgjë. Shumë më vonë, u fol për ringjalljen e hap pas hapi, Bibla e ndihmon njeriun ta kapërcejë këtë kufi të errët, ta thyejë këtë gardh e të shohë dritën. E kjo ndodh jo vetëm me Henokun e me Elinë, që ecin nëpër vdekje duke hyrë në vendin, ku i mori Zoti (Zan 5,24; 2 Mbr 2,1-3). Ky është fati i çdo të drejti, i cili jeton në bashkim me Hyjin gjatë periudhës tokësore. Ai mbështillet dhe çohet në lavdi nga vorbulla e pafundësisë dhe e amshimit.

Dy psalmistë, në Psalmet 16 dhe 49, shprehin besimin e tyre të plotë në këtë. Ja fjalët e Psalmit 16: “S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe. Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde” (10-11). E ja edhe Psalmi 49: “Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja” (16). Në prag të krishterimit, Libri i Urtisë ngre lart bashkimin e plotë me Zotin përtej vdekjes: “Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit… Syve të të marrëve u dukën se vdiqën… kurse ata janë në paqe. Po edhe nëse, në sytë e njerëzve, e provuan ndëshkimin, shpresa e tyre ishte plot pavdekësi”(3,1-4). Vërtet, në Këngën e Këngëve, të krijohet bindja se dashuria mund të fitojë mbi vdekjen: “Dashuria është e fortë si vdekja!” (8,6).

Por vetëm me Pashkët e Krishtit, dueli ndërmjet jetës e vdekjes merr fund“Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?... Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtit, Zotit tonë”(1 Kor 15,54-57). Krishti, Biri i Zotit, duke u bërë i vdekshëm si ne, duke kaluar brenda vdekjes sonë fizike e shpirtërore, e mundi vetë vdekjen dhe mbolli brenda saj farën e amshimit. Ai është “i pari” ndër ata, që do të ringjallen pas vdekjes, sipas Shën Palit Apostull.

Për këtë arsye, në pritjen e qytetarëve të Jeruzalemit, përshkruar në Librin e Zbulesës (kap. 21), do të mungojë gjithnjë vdekja: “Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund”(21,4). “E ne do të jemi gjithmonë me Zotin” në një bashkim dashurie e amshimi (1 Sel 4,17).

Një tregim judaik, i njohur edhe në botën islamike, e përshkruan kështu vdekjen e Abrahamit, atit të fesë së të gjithë besimtarëve: “Kur engjëlli i vdekjes erdhi për t’ia marrë shpirtin, Abrahami i tha: ‘A ke parë ndonjëherë ndokënd që të dojë vdekjen e mikut?’ Atëherë, Zoti iu përgjigj: ‘A ke parë ndonjëherë ndonjë dashnor të refuzojë takimin me të dashurën e vet?’ E Abrahami: ‘O Engjëll i vdekjes, më merr!’”. Nga një shkëputje e thjeshtë me jetën tokësore e njerëzore, vdekja shndërrohet kështu, në një takim me hyjnoren dhe amshimin. Për ta thënë me poetin e njohur austriak, Rainer M. Rilke, vdekja bëhet fytyra tjetër e jetës, ana tjetër e asaj medaljeje, që shohim tani për tani.


13 maj 2021, 09:42