Kërko

Vatican News

U vra nga Isis një i krishterë kopto-ortodoks në Sinain Verior

Patriarku kopto-ortodoks i Egjiptit, Tawadros II, shprehu dhimbjen e tij për vrasjen brutale të një tregtari, që pati kontribuar në ndërtimin e një kishe në qytetin e Bir Al-Abd, në veri të Sinait

R.SH. - Vatikan

Agjencia katolike e lajmeve Asianews raporton lajmin dramatik të vrasjes së një tregtari dhe filantropi egjiptian kopto-ortodoks, rrëmbyer më 8 nëntor nga i ashtuquajturi Shtet Islamik dhe vrarë me një plumb kallashnikovi në kokë. Vdekja e  e Nabil Habashi Khadim, 62 vjeçar, u dokumentua me një video të publikuar në mediat shoqërore. “Burime lokale – njofton Asianews - raportojnë se tregtari pati kontribuar në ndërtimin e vendit të vetëm të kultit të krishterë në qytet, kishës së Zojës së Anba Karras (Zoja jonë)”. Ky angazhim i tij e bëri të përfundonte në shënjestrën e terroristëve. Vërtet, në video, vrasësit e tij e akuzojnë pikërisht për këtë.

“Bir besnik”

Nabil Habashi Khadim i përkiste njërës prej familjeve më të vjetra të bashkësisë kopto-ortodokse të zonës, tejet aktive në tregtinë e arit. Kishte edhe një dyqan rrobash dhe një për shitjen e celularëve. E rrëmbyen para shtëpisë e kërkimet për ta gjetur vijuan me muaj pa rezultat. Në një mesazh ngushëllimi, Patriarku kopto-ortodoks i Egjiptit, Tawadros II, “vajton për këtë bir e shërbëtor besnik”, i cili tani është në lavdinë qiellore të Krishtit, sepse “dëshmoi për fenë deri në dhënien e jetës”. Patriarku thekson mbështetjen e bashkësisë kopto-ortodokse “për përpjekjet e shtetit egjiptian”, që synon t’u kundërvihet “këtyre akteve të urryera terrorizmi” dhe punon për “ruajtjen e unitetit kombëtar” e për një “ardhmëri në paqe e prosperitet”. Për vite, Sinai Verior ka qenë skenë e një ofensive nga grupet ekstremiste islamike, e cila u intensifikua pas përmbysjes së presidentit Morsi në vitin 2013 dhe pas themelimit të Isisit.

20 prill 2021, 13:10