Kërko

Manastiri mbi Malin e Tundimeve të Krishtit, në Jeriko Manastiri mbi Malin e Tundimeve të Krishtit, në Jeriko 

Toka Shenjte: një çast përtëritje për myslimanët, në përfundim të agjërimit

Famullia e Bariut të Mirë në Jeriko, mendon për vëllezërit myslimanë, duke u siguruar një çast përtëritjeje në përfundim të agjërimit të përditshëm të Ramazanit.

R. SH. - Vatikan

Ujë e hurma në orën e iftarit, ushqim me të cilin myslimanët e përfundojnë agjërimin e përditshëm gjatë muajit shenjt të Ramazanit, ofruar nga famullia latine e Jerikos, kushtuar Bariut të Mirë. Ua shpërndan çdo ditë - njofton Rojtaria e Tokës Shenjte - famullitari françeskan, Mario Hadchiti, që u krijon mundësinë për një çast prehjeje kur kthehen me ngut në shtëpi, në përfundim të orëve të gjata, kaluar pa ngrënë e pa pirë. “Besoj se, ashtu si Jezusi që u mishërua, edhe ne duhet ta mishërojmë dashurinë tonë për tjetrin - shpjegon fra Mario - e me këtë gjest duam të pohojmë se, si të krishterë, jemi paqësorë e i duam të gjithë njerëzit, pa asnjë dallim”. Frati françeskan e shikon këtë gjest si “thyerje e akullit” dhe përpjekje për t’u afruar me myslimanët, në këtë kohë lutjeje e agjërimi. “E njoh edhe unë flijimin e dobinë e agjërimit - vijon fra Mario. - Kush lutet dhe agjëron, e bën për Zotin e mua më takon ta falënderoj njeriun, që ia kushton kohën Zotit. Enciklika e Papës ‘Fratelli tutti’ më jep guxim ta mishëroj mesazhin e Atit të Shenjtë. “Kemi një Zot të vetëm - vijon - jetojmë mbi të njëjtën tokë, që është shtëpi e madhe e na zë të gjithë. Duam ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme, çka thotë Papa Françesku”.  

Fratelli tutti - Vëllezër të gjithë

Rregulltari uron që kjo shenjë afërsie nga ana e të krishterëve për muslimanët në kohë Ramazani, të përsëritet edhe gjetiu, siç edhe ka ndodhur. Për fra Marion, bashkëjetesa paqësore me myslimanët është  realitet i përditshëm. Si drejtor i shkollës Toka Shenjte, më e madhja në Jeriko, ku nga 900 nxënës, vetëm 39 janë të krishterë, e prek çdo ditë  me dorë bashkëjetesën ndërmjet feve të ndryshme. “Ne nuk bëjmë dallime - pohon - Shkolla është vend formimi e ne edukojmë sipas mësimeve të Jezusit e sipas rregullave të vendosura për territoret ku gjindemi. Jemi të gjithë bij të Zotit e misioni ynë françeskan është të vihemi edhe në shërbim të të gjithë njerëzve”.

“Në shkollë ka bij prindërish të papunë e të papagë, sepse edhe ata, që punonin në sektorin e turizmit, po kalojnë kohë të vështira - rrëfen meshtari - ndaj edhe pse marrim shumë pak pagesa nga rrjeti shkollor, jemi përsëri në këmbë. Shkojmë përpara në mënyrë diplomatike, vëllazërore e njerëzore. Duke u kujdesur kryesisht për nevojtarët, duke u shpërndarë ilaçe, ushqime e gjëra të tjera, për të cilat kanë aq shumë nevojë familjet në vështirësi”.

18 prill 2021, 13:59