Kërko

2020.05.20 Khatchkar 2020.05.20 Khatchkar

Në Jeruzalem zbulohet një khatchar, gur-kryq tipik për artin armen

Patriakana armene e Jeruzalemit jep njoftimin për gjetje të reja arkeologjike në Jeruzalem, me vlerë të madhe për historinë e krishterimit. Khatchkar është një gur-kryq tipik i artit armen, me formë drejtkëndshi, një metër i gjatë, që ka shumë mundësi t’i përkasë shekullit XII, ose një kohe edhe më të vjetër - pohon atë Baret Yeretzian.

R.SH. - Vatikan

Patriakana armene e Jeruzalemit dha njoftimin për gjetjen e një stele apo shtylle, në ngjasim të khatchkar (nga khatch ‘kryq’ e kar “gur”)  gjatë rindërtimit të kopshtit armen, ku sot ndodhet një vend parkimi, pranë portës së Sionit, brenda mureve të qytetit të vjetër. Dolën në dritë - lexojmë në terrasanta.net - edhe disa mozaikë e monedha të një kohe, që shkon nga epoka bizantine, në atë mameluke.

Khatchkar është një gur-kryq tipik i artit armen, me formë drejtkëndshi, një metër i gjatë, që ka shumë mundësi t’i përkasë shekullit XII, ose një kohe edhe më të vjetër - pohon atë Baret Yeretzian, drejtor i pasurisë së patundshme të Patriarkatit  armen të Jeruzalemit. “Këto skulptura janë tipike për artin armen, të shkruara edhe në trashëgiminë kulturore imateriale të njerëzimit të Unesco-s që nga viti 2010 - vijon të shpjegojë atë Yeretzian. Zakonisht khatchkar ka funksion kushtor për shpëtimin e shpirtrave, shpesh për dhuruesin dhe familjen e tij. 

Me sa duket, i tillë është edhe ky, që u gjet në kopshtin armen, në Jeruzalem - vijon meshtari - sepse në pjesën e poshtme ka shënimin: “Zoti Jezus, kujton…”. Më rallë, kryqi i gurtë mund të ketë edhe karakter përkujtimor, ose mund të jetë mbrojtës i njeriut nga fatkeqësitë e mundshme. Guri i kopshtit armen është i punuar hollë në gur, me gërshetime gjeometrike të hijshme. Në qendër është një kryq armen, nën të cilin gjinden dy kryqe të tjerë. Mbi kryqin qendror janë skalitur dy vile rrushi.

Orientalisti francez Jean-Pierre Mahé, specialist në studimet armene, saktëson se “kryqi simbolizon drurët përrallorë të Parrizit,  pemën e jetës e lënden e shkencës, frytin e së cilës e shijuan, në kundërshtim me porosinë e Zotit, Adami e Eva; por edhe fronin e lavdishëm, mbi të cilin Krishti, Adami i ri, u naltua i varur si fryt i njohjes së Atit”. “Rrënjët e kësaj peme nuk zgjaten në tokë, por lartohen drejt qiellit - saktëson Mahé - e ngarkohen me veshulë rrushi e me shega, fryte eukaristike e peng pavdekësie”.

Monedhat e gjetura gjatë gërmimeve janë prej bakri dhe i përkasin epokës mameluke(1261-1517). Për atin Yeretzian zbulimet e kopshtit armen të Jeruzalemit, në tërësinë e tyre, janë tepër të çmuara. Prej kohe studiuesi Vardapet Anestas, në veprat e tij, shkruar gjatë shekullit VII, kujtonte një mori kishash, kapelash e manastiresh armene në Tokën Shenjte, shumë prej të cilave sot janë krejt të panjohura. Duket se ndërmjet shekujve IV e VII pas Krishtit, në Tokën Shenjte qenë ndërtuar më se 70 manastire nga bashkësia  armene që, rreth shekullit VI pas Krishtit, u vendos pranë malit Sion, në Jeruzalem.

Fotot që kanë lidhje me këto zbulime, do të bëhen të njohura zyrtarisht  në një botim shkencor, nën kujdesin e Patriarkanës armene të Jeruzalemit.

19 prill 2021, 15:25