Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Sot është e Diela e 4-tё e Pashkёve – e diela Bariut të Mirë, e diela në të cilën Jezu Krishti na thotë se ai e çdo bari i mirë i grigjës së Zotit, është gati të japë edhe jetën për ta mbrojtur. Të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga kreu 10 i shën Gjonit…

R.SH. - Vatikan

11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. 12 Rrogëtari - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë - kur sheh se po vjen ujku lë dhentë e ikën - e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. 14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. 16 Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. 17 Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.

Të lutemi së bashku:

Ti na dhe një shenjë të qartë

të dashurisë tënde, o Krisht.

Dhe jetën për ne në kryq.

Kështu, na u zbulove si Bariu i Mirë,

që nuk fshihet para rrezikut,

që nuk heziton të vërë gjithçka në lojë

për të shpëtuar grigjën e vet.

 

Ti nuk mendove veç për vete,

për sigurinë e për rehatinë tënde,

por për ne, të pambrojturit para së keqes,

të paaftët për ta përballuar,

viktima të preferuara të Tunduesit,

që na i ngatërron hapat me gënjeshtrat e tij.

 

Ti deshe të vendosësh një pritë e ta bllokosh

një herë e përgjithmonë superfuqinë e keqdashjes

joshjen e frikshme të pushtetit,

arrogancën kërcënuese të atyre,

që ushtrojnë dhunë e shtypje mbi të ligshtët.

Por, për ta bërë këtë t’u desh të pësoje

sharjet e fyerjet,

goditjet e përqeshjet,

deri sa u gozhdove për vdekje

mbi kryq, në Kalvar.

 

Është kjo dashuri pa fund

kjo dashuri pa interes

që të jep të drejtën e besimit tonë

të mirënjohjes sonë.

Në Ty mund të besojmë,

sepse Ti na njeh si askush tjetër

e na prin në shtigjet e jetës.

24 prill 2021, 08:17