Kërko

Ungjilli i së dielës Ungjilli i së dielës

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Në Ungjillin e sotëm, marrë nga kreu 24 i shën Lukës, përshkruhet një nga takimet e Jezu Krishtit me dishepujt e vet, pas ringjalljes. Krishti i qetëson ata, që mendonin se po shihnin ndonjë shpirt e, ua hap mendjen për të kuptuar Shkrimin Shenjt. Të ndjekim pjesën ungjillore…

R.SH. - Vatikan

35 Në atë kohë, pasi u kthyen nga Emausi, dy nxënësi u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. 36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” 37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikoni duart e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” 40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” 42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre. 44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’” 45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha: “Kështu është në Shkrim Shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje”.

Të lutemi së bashku:

O Zot Jezus, gëzimi i takimit me Ty,

mahnitja për hirin e pamerituar e të pashpresuar,

që morën dishepujt kur të panë gjallë,

ka nevojë për mbështetje,

për dritën e Shkrimit Shenjt

të interpretuar nga Fjala jote.

 

Kështu, edhe ne mund ta kuptojmë

planin e Zotit,

ngjarjet e historisë së shëlbimit,

që u dëshmojnë gjithë njerëzve

dhembshurinë dhe mëshirën tënde.

 

Kështu, arrijmë ta pranojmë

udhën e paparashikueshme

që çon nga vdekja në jetë

nga kodrina e Kalvarit

në ringjallje e lavdi:

portë e ngushtë dhe e pashpjegueshme,

që edhe ne duhet ta kapërcejmë

nëse duam të kemi pjesë në gjithça ke premtuar.

 

Kështu, jemi në gjendje të përballojmë

shtigjet, shpesh, të ngatërruara e të errta

të kësaj jetës sonë

pa e lejuar të keqen të na shkandullojë

kur duket sikur fiton,

pa u dorëzuar që në sprovën e parë,

e, në çastin e duhur,

pa u tërhequr, kur na duhet të vuajmë për Ty

e të japim e arsyet

e shpresës, që na ke zgjuar ndër zemra.

17 prill 2021, 08:58