Kërko

Vatican News

Imzot Rrok Gjonlleshaj: me Krishtin kalojmë prej vdekjes në jetë

Imzot Rrok Gjonlleshaj: “Ju dëshiroj ta takoni Krishtin e Ngjallur, ju uroj nga zemra që në fe ta bëni me Krishtin përvojën e domosdoshme të kalimit prej vdekjes në jetë”.

R.SH. - Vatikan

Ju dëshiroj që ta takoni Krishtin e Ngjallur dhe ju uroj nga zemra që në fe ta bëni me Krishtin përvojën e domosdoshme të kalimit prej vdekjes në jetë”, pohon mes tjerash kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj nё mesazhin e Pashkёve 2021.

IMZOT RROK GJOLLESHAJ: URIMI PËR PASHKË 2021

MZOT RROK GJOLLESHAJ: URIMI PËR PASHKË 2021

Të dashur vëllezër dhe motra,

edhe këtë vit po e festojmë festën e fitores së Krishtit mbi vdekjen dhe mëkatin në kohën e prekur nga pandemia. Kjo sprovë e madhe që solli shumë frikë dhe pasiguri në jetën tonë të përditshme dhe rëndoi të ardhmen tonë, dukej si një gur varr që pushtoi jetën tonë, shtëpitë - familjet tona, fatkeqësisht edhe mendjen dhe shpirtin tonë. Më shumë se një vit ka kaluar, ku njerëzimi i sotëm duhej të kuptonte se nuk është i paprekshëm, se e gjithë arritja e shkencës, edhe mjekësia, edhe pse e denjë për lëvdim, ende kanë kufizime përballë diçkaje aq të vështirë çfarё është ky virus.

Si të krishterë, përjetuam një ankth të papritur që ndryshoi shumë jetën tonë të përditshme, por edhe jetën tonë fetare nëpërmjet kufizimeve të shumta, të cilat shkuan deri në atë masë, që për herë të parë në jetën tonë u penguam ligjërisht të festonim së bashku misteret më të mëdha të fesë tonë. Sigurisht, ishte (dhe është ende) një mundësi për t'u rritur në virtyte të nevojshme, për ta rritur besimin tonë si dhe për të ndërtuar marrëdhënie personale me Zotin, Jezusin e Ringjallur. Kemi besim dhe siguri se ai nuk do të na lërë kurrë, sepse është gjithnjë besnik ndaj atyre për të cilët e derdhi gjakun e vetë: «Nëse nuk jemi besnikë, ai mbetet besnikë. Ai nuk mund ta mohojë vetveten!" (2 Tim 2:13).

Ringjallja na ndihmon që ta kuptojmë se jemi diç më shumë se njerëz të thjeshtë. Ringjallja e lavdishme e Krishtit nga të vdekurit na tregon rrugën që Zoti e ka caktuar si synimin tonë përfundimtar, na e ka treguar rrugën për në jetë: pa frikë e dyshim mundemi të shkojmë pas tij, mundemi të jetojmë me të. Ai na e ka dëshmuar se si duhet të jetojmë këtë kohë hiri dhe, çdo moment të jetës ta shndërrojmë në moment gëzimi e shëlbimi për neve dhe për të tjerët. Kjo edhe është detyra e thirrjes sonë.

Krishti është ngjallë dhe e mundi vdekjen! Ai na udhëheq dhe na frymëzon, na shëron dhe na jep forcë.

 Jam i bindur se Krishti është vërtet i pranishëm në të gjithë ata që sakrifikojnë vazhdimisht dhe bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të ndihmuar ata që vuajnë nga koronavirusi dhe ju kërkoj sinqerisht të mos ndaloni së luturi për të gjithë vëllezërit dhe motrat të prekura nga kjo sëmundje, si dhe për të gjithë infermierët e mjekët dhe stafin shëndetësor.

Të dashur vëllezër dhe motra, ju ftoj, të lejoni hirin e Krishtit të depërtojë në shtëpitë dhe zemrat tuaja në këto Pashke dhe të ndriçoheni nga forca e Tij, që të jeni në gjendje të falni njëri-tjetrin dhe vetë të kërkoni falje. Mos të lejojmë veten ta shkelim dhe ta shkatërrojmë jetën për hir të interesit apo të ndonjë lirie, por të inkorporojmë vlerat e drejtësisë dhe paqes, tolerancës dhe respektit në themelet e shoqërisë sonë. Le të jemi njerëz me shpresë dhe gëzim, të gatshëm të dëshmojë besimin tonë nëpërmjet veprave të dashurisë. Kjo nuk është e mundur, pa u dorëzuar dhe lejuar të na drejtoi Zoti.  

Duke pranuar me zemër të përulur gëzimin e Pashkëve, le ta ripërtërimë dashurinë dhe të forcojmë besimin, në mënyrë që Zoti të na mundësojë që më çdo vepër të mirë të bëjmë vullnetin e tij (Heb 13:21).

Ju uroj Pashkë të gëzuara dhe të bekuara!

+ Rrok Gjonlleshaj

Argjipeshkëv i Tivarit

03 prill 2021, 11:39