Pashkët. Arti rrëfen orët, që ndryshuan historinë
R.SH. - Vatikan
Pesë etapa kryesore, nga lindja në perëndimin e diellit, u japin ritmin 24 orëve të paharrueshme të Pashkëve. Vëllimi “Dita e Pashkëve në art” i përshkon ato përmes ndodhive të treguara në katër Ungjijtë sinoptikë, me ndihmën e gjuhës së drejtpërdrejtë dhe të përjetshme të pikturës.
Varri bosh dhe gratë
Dita hapet herët në mëngjes, me zbulimin e varrit bosh nga gratë dhe Maria Magdalena, të cilat shkuan për ta lyer trupin e të ndjerit me vajra erëmirë: ato takojnë një a më shumë engjëj, bartës të një lajmi tronditës. Është peneli i William Adolphe Bougueraeau, në vitin 1890, ai, që përfaqësoi me mjeshtëri sytë plot mosbesim të grave, ende të fryrë nga lotët. E përmbajtur dhe e qetë, mahnitja e grave në kanavacën e vitit 1815, pikturuar nga Peter Von Cornelius, që ndodhet në Neue Pinakothek të Mynihut. Më pas, Krishti i Ringjallur u duket grave, ose, sipas tregimeve të tjera, vetëm Marisë Magdalenë, e cila, pasi e njeh, përpiqet ta përqafojë, por i ndalet hovi nga fjalët e famshme të Jezusit “Noli me tangere” (Mos më prek). Skena pikturohet nga Jan Brughel i Ri, në vitin 1630, brenda një kopshti plot me perime të të gjitha llojeve.
Nxitimi dhe habia
Më tej, gratë nxitojnë t’u tregojnë lajmin apostujve. Pjetri e Gjoni vendosin të shkojnë për të kontrolluar e zbulojnë varrin bosh. Emocionet e tyre duket sikur dalin nga piktura në vaj e Eugène Burnand: vështrimi i dy burrave shpreh mosbesimin, shpresën, padurimin për ta prekur me dorë gjithçka kanë dëgjuar. Përvoja e jashtëzakonshme e dishepujve të Emausit është takimi i katërt, ilustruar nga mozaikët e shekullit të gjashtë në Sant’Apollinare Nuovo, në Ravenna. Të dy, përgjatë rrugës, bisedojnë mbi ngjarjet e pabesueshme të orëve të fundit dhe papritmas, pa e njohur fillimisht, takohen, bisedojnë dhe darkojnë me Të Ringjallurin.
Nga frika në shpresën e sigurt
Dita e gjatë e Pashkëve, plot ngjarje e, edhe plot dritë, përfundon me Zotin, që u duket, natën vonë, Njëmbëdhjetë Apostujve të mbyllur nga frika në Çenakull. Pikërisht kjo lloj vetëburgosjeje, e karakterizuar nga frika, trishtimi dhe shkandullimi, përshkruhet nga piktori rus Andreï Nikolaïevitch Mironov. Ndërsa një miniaturë e një kodiku të vitit 1476, ruajtur në Bibliotekën Mbretërore të Torinos, portretizon skenën, në të cilën Jezusi u duket miqve të tij. Fjalëve të autorit të librit, teologut François Boespflug, u bashkangjitet efikasiteti narrativ dhe viziv i pamjeve plot hijeshi, që i japin mundësi shikuesit ta rijetojë rrjedhën e ndjenjave në orët e asaj dite vendimtare: nga dëshpërimi tek dyshimi, nga mosbesimi tek gëzimi i papërmbajtshëm për fitoren e Krishtit mbi vdekjen.