Kërko

Vatican News
Bazilija e Varrit Shenjt: Nata e Pashkëve Bazilija e Varrit Shenjt: Nata e Pashkëve 

Pashkë në Jeruzalem, rihapen Viset e Shenjta

Për shkak të Covid-19, vetëm një vit më parë dukej e pamundur t’i shikoje besimtarët duke e mbushur plot Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Ndonëse shtegtarët mungojnë e të krishterët në Territoret Palestineze vuajnë akoma pasojat e pandemisë, Kisha në Tokën Shenjte u shtrëngua e tëra rreth Varrit të Krishtit. E Patriarku i Jeruzalemit brohoriti “Krishti është shpresa jonë!”.

R. SH. - Vatikan

Bazilika e Varrit Shenjt i kishte mbyllur portat e saj në heshtje, mbrëmjen e së Premtes së Madhe, pas ritit të lashtë të procesionit mortor të Jezusit. Një heshtje e thellë mbretëronte në orët e para të së Shtunës së Madhe, kur do të niste kremtimi i “nënës së të gjitha netëve”, vigjilje e Pashkëve. Tradita për ta kremtuar kaq heret Liturgjinë e Pashkëve nisi që me Koncilin II të Vatikanit  e vijoi për arsye të Status quo,  që rregullon jetën e tri bashkësive të krishtera në Varrin Shenjt (katolikë, greko-ortodoksë e armenë). Qyteti i Shenjtë ishte vendi i parë në botë, ku u kumtua ngjallja. E pikërisht nga Kisha Nënë e Jeruzalemit, gëzimi i Pashkëve nisi të përhapej në mbarë botën!

Rikthimi i kremtimeve në Bazilikë

“Ja, Drita e Krishtit, që rilind plot me lumni” - kumtoi, gjatë ritit të zjarrit të ri, patriarku latin i Jeruzalemit, duke i paraqitur asamblesë zjarrin e qiriut të Pashkëve. Vetëm një vit më parë dukej krejt e pamundur ta shikoje turmën e besimtarëve duke e mbushur plot Bazilikën. Ndërsa vjet kremtimet u mbajtën me porta të mbyllura, sivjet besimtarët e mbushën përplot Bazilikën e Varrit të Krishtit. E i gjithë vendi nisi të rijetojë përsëri, gradualisht. Kështu Kisha e Tokës Shenjte u mblodh sot rreth Varrit të zbrazur të Krishtit.

Mësimi i grave

Në çastin e “Lavdisë”, fretërit françeskanë të Rojtarisë së Tokës Shenjte u  ranë të gjitha kumbonëve të Bazilikës njëherësh, në festë. Jeruzalemi i vjetër u zgjua kështu, me kumtin e Pashkëve, të shpallur para hyrjes së Varrit të zbrazët, sipas një tradite, që lidhet me vendin.

Sipas imzot Pizzaballës, gratë e Ungjillit kanë aftësinë t’i bëjnë ballë dhimbjes, të shkojnë përtej dështimit në dukje, e nuk i kursejnë paratë, kur është fjala për të blerë gjithçka duhet për ta nderuar Krishtin. Ftohemi të mësojmë nga këto gra për ta shpenzuar gjithë jetën tonë për Krishtin - theksoi Patriarku latin - e për ta parë Kryqin si masë të dashurisë, që na rilindi, e këtë Varr të zbrazur, si kumt të një jete të pamort për ne të gjithë. E jeta e pasosur për ne nis që tani. Ne jemi pjesë e saj, sepse të bërë një gjë e vetme me Të, të Ngjallurin”.

Mesha e Pashkëve, në Kishën e Ngjalljes

Nesër, e Diela e Pashkëve, do të jetë përsëri patriarku latin  i Jeruzalemit ai, që do ta kryesojë Meshën solemne, në Kishën e Ngjalljes, siç e quajnë besimtarët Bazilikën e Varrit të zbrazur të Krishtit. Gëzimi i Pashkëve do të kumtohet në katër pika të ndryshme, simbol i rëndësishëm,  që tregon se kumtimi i Ngjalljes duhet të përhapet nga Jeruzalemi, në të katër anët e tokës.

03 prill 2021, 17:37