Kërko

ABBAZIA CASAMARI  ABBAZIA CASAMARI

Murgjit martirë tё Casamarit: dom Camilli, "lumturimi i martirëve një ngjarje e paparë në historinë e abacisë"

Të shtunën me 17 prill në ora 10.30, do të kremohet Lumturimi i martirëve të kuvendit murgar tё Casamarit nga kardinali Semeraro, prefekt i Kongregatës sё Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. "Lumturimi i martirëve tё Casamarit është një dëshmi e aktualitetit të karizmёs sё jetës murgare Cistercense", pohon dom Loreto Camilli, Abat i Casamarit nё Itali. Gjashtë murgjit u vrarë në vitin 1799 ‘in odium fidei’ nga ushtarët e ushtrisë revolucionare franceze që tërhiqej nga Napoli.

R.SH. - Vatikan

"Lumturimi i martirëve të kuvendit murgar tё Casamarit është një dëshmi e aktualitetit të karizmёs sё jetës murgare Çisterçense". Kështu pohoi dom Loreto Camilli, Abat i Casamarit (Frosinone) nё Itali, intervistuar nga agjencia e lajmeve SIR në pragun e lumturimit të gjashtë murgjve të vrarë në vitin 1799 ‘in odium fidei’ - së saje tё urrejtjes sё fesё.

Kremtimi, të shtunën me 17 prill në ora 10.30, do të kryesohet me kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës sё Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. "Do të jetë një ngjarje e pashembullt në historinë e Abacisë. Është sugjestionuese që riti me të cilin murgjit do të ngrihen në nderimet e altarit të kremtohet këtu, ku ata kanë dëshmuar deri në fund besnikërinë ndaj Jezu Krishtit - vazhdon Abati -. Ata qenё shembuj të një Ungjilli të jetuar, të një jete të jetuar sipas Rregulles murgare të Shën Benediktit Abat”.

Shën Benedikti nga Norça, pajtor i madh qiellor i Evropёs, atë e ligjdhënës i jetë murgare perëndimore, siç tregon shën Gregori i Madh, “qe njeri me një jetë të shenjtë”. “Shkroi Rregullën për murgjit, pasqyrë e një mësimi të mishëruar në jetën e tij personale: vërtet shenjti nuk mundi në mënyrën më absolute të mësonte ndryshe nga se siç edhe jetoi”, thotë Shën Gregori.

Martirizimi i katër murgjve francezë, at Simeone Cardon, fra Albertino Maisonade, fra Modesto Burgen, fra Maturino Pitri, një nga Republika Çeke, At Domenico Zavřel dhe një italian, fra Zosimo Brambat, të vrarë nga ushtarët e ushtrisë revolucionare franceze që tërhiqej nga Napoli, disa flijuan jetën ndërsa po përpiqeshin të mbronin hostet e shuguruara tё Eukaristisë Shenjte, u njoh dhe u dekretua nga Papa Françesku në vitin 2020.

Abati i kuvendit murgar tё Casamarit dom Camilli shton: “Lumturimi i murgjve martirё është një dhuratë e veçantё e Zotit për Kishën tonë vendore, po ky bekim shtrihet edhe në tёrё Kishën universale. Shenjtorët dёshmojnё gjithmonё gjallërinë e Kishave dioqezave, tё urdhrave rregulltarë, tё lëvizjeve kishtare”. "Megjithëse pandemia ka parandaluar realizimin e shumë iniciativave, në mesin e besimtarëve ne kemi arritur të promovojmë  e tё propozojmё shembullin e këtyre martirëve,  kështu që besimtarët kanë mundësinë  t’i kërkojnë Zotit, pёrmes ndёrmjetёsimit tё tyre, mbrojtjen Hyjnore", përfundon abati.

Po kujtojmё se Shën Bernardi i Kjaravales, abat e dijetar i Kishës, ёshtё Atë i Çisterçensëve, murgjёve që jetojnё posaçërisht drejtpeshimin ndërmjet veprimtarisë e lutjes, punës e kërkimit të Zotit. Në abacinë e Kiaravales, Bernardi së bashku me shokët e tij, bëjnë një jetë tepër të thjeshtë, që i përngjan jetës së Jezusit. Në qelinë e tij Bernardi e rishikon rregullën e Shën Benediktit Abat, por pa i prekur parimet themelore: punë, thjeshtësi, lutje, përkorë e varfëri. Më pas Bernardi me shokët e tij, vendosin të mbajnë zhguna të bardhë: lind kështu urdhëri murgar Çisterçens.

Shën Bernardi jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës.

E Abacia e Casamarit është një nga manastiret më të rëndësishme italiane të arkitekturës gotike çisterçene. Është ndërtuar në  vitin 1203 dhe shenjtëruar në vitin 1217. Ndodhet në territorin e komunës së Veroli, në provincën e Frosinones nё Itali.

13 prill 2021, 11:17