Kërko

Vatican News
 Kardinali Stefan Wyszyński Kardinali Stefan Wyszyński 

Më 12 shtator, lumnimi i kardinalit Wyszynski

E parashikuar për datën 7 qershor 2020 e më pas shtyrë për shkak të pandemisë, njoftohet data e re e kremtimit, që do të mbahet në Varshavë, qytet në të cilin Wyszynski ishte kryeipeshkëv.

R. SH. - Vatikan

“Bari i mirë”, “çelës qemeri i Kishës së Varshavës dhe i gjithë Kishës në Poloni”: këto, fjalët që dolën nga zemra e Gjon Palit II në çastin kur kardinali Stefan Wyszynski vdiq, më 28 maj 1981. Vetëm 15 ditë më parë Papa Wojtyla qe plagosur rëndë në Shën Pjetër. Dy burrat e mëdhenj i lidhte miqësia, nderimi për njëri-tjetrin, dashuria për Kishën e për Marinë. Ishin dy jetë që përhapnin kudo parfumin e shenjtërisë.

Më 12 shtator kardinali Wyszynski do të lumnohet në Varshavë, siç njoftoi dje kardinali Kazimierz Nycz, kryeipeshkëv i qytetit, së bashku me motrën Roza Maria Czacka, e verbuar pas një aksidenti, që ia kushtoi pikërisht të verbërve gjithë jetën. Vdiq më 15 maj 1961.

Kush ishte kardinali Stefan Wyszynski

Primat i Polonisë që nga vitit 1948 deri në vdekje,  kombi i tij e nderoi që më të gjallë si shenjt e si atë, që nuk e braktisi kurrë atdheun e vet, as kur mbi të shfyu stuhia naziste e as kur mori dhenë kolera komuniste. I krijuar kardinal  në janar ’53, e pagoi mbrojtjen e Kishës me burgim. Nuk heshti përballë një regjmi, që deshi ta zhdukte lirinë e kultit. Shkroi e foli e shprehu pakënaqësinë e vet të thellë para një qëndrimi të tillë çnjerëzor. Atëhere u arrestua në pikë të mesnatës. Kaloi tri vjet në burg: nga viti 1953 - në vitin 1956, duke u bërë ballë me guxim torturave e dhunës.

Shkruante në copëza letrash fjalët:

“Mëkati më i madh për një apostull është frika: frika e apostullit është aleatja e parë e armiqve”.

Më  19 dhjetor 2017 Papa Françesku ia njohu virtytet heroike; ndërsa më 2019 u pranua mrekullia e bërë me ndërmjetësimin e tij, shërimi i një gruaje të re, prekur nga kanceri i tiroideve.

Stefan Wyszynski, burgu, polakët

Për ta kuptuar më thellë figurën heroike të Kardinalit polak, zgjodhëm një nga portretet e tij:

 “Sot roja e burgut grindet më shumë se zakonisht. I burgosuri, kardinali Vishinski, dëfrehet duke e parë kështu. E di mirë se njeriu, që e kanë ngarkuar ta ruajë, nuk ka fare dëshirë të flasë, e as të qeshë. Jemi në gushtin e vitit 1956 e në Çestokova, qytet polak ku nderohet Zoja e Bekuar, të krishterët kanë organizuar një takim të madh. Qeveria komuniste shpresonte se ky takim do të ishte një dështim i plotë, ndërsa te Shenjtërorja u mblodh një turmë vigane. Për komunistët kjo është një disfatë tepër e hidhur. Që kur morën pushtetin, më 1945, bëjnë gjithçka u vjen për doresh për ta zhdukur fenë katolike në Poloni. Ndër zemra duhet të mbretërojë vetëm doktrina e partisë. Por qeveritarët e Polonisë e dinë mirë se lufta është e gjatë dhe e vështirë. Polakët janë të krishterë prej shekujsh e nuk është aspak e lehtë t’i ndash nga Krishti. E kush ndjek pas Krishtin, është gati edhe të martrizohet për Të. Prandaj qeveria më kot merr masa të rrepta. Sa më i madh bëhet persekutimi, aq më e zjarrtë feja.
Më 1953 kardinali Vishinski flaket në burg. Ai është ipeshkvi i Varshavës, kryeqytetit: është, pra, kryetari i Kishës polake. “Të arrestosh kardinalin Vishinski, do të thotë t’i presësh kokën Kishës”, mendojnë komunistët. Por nuk e kishin llogaritur fare kokëfortësinë e polakëve. E ja që në gusht të vitit 1959 mbushen tri vjet që kur Kardinali kalbet në burg e populli nuk gjen rrugëzgjidhe tjetër, veçse të shkojë në Çestokova e të lutet, që Polonia të mbetet e krishterë përgjithmonë e jetës. Kardinali Vishinski brohoritet si hero kombëtar. Komunistët, që gabuan rëndë duke i vënë prangat kreut të kishës, tërbohen nga kjo disfatë e rëndë. Gjithsesi, loja nuk ka përfunduar akoma: e kardinali i burgosur e kupton këtë fare mirë. Edhe pse lirohet më 1956, beteja ndërmjet Kishës e qeverisë vijon. Por situata keqësohet më tej për komunistët. E kjo, sepse pas shpatullave të Vishinskit janë të gjithë polakët, që e kanë tejet për zemër Kardinalin e tyre, me vetëdijen se i prin një personalitet i jashtëzakonshme fetar. Edhe ipeshkvjtë e mbështesin: ndërmjet tyre është Karol Vojtila, ipeshkvi i Krakovisë, i cili në vitin 1978 bëhet papë me emrin Gjon Pali II. Kjo zgjedhje është një disfatë tjetër, edhe më e dhimbshme për komunistët. Kardinali Vishinski vdes më 1981. Dhjetë vjet më pas, falë rezistencës së Kishës, e të polakëve, komunistët flaken përfundimisht nga qeveria. Lind një kohë e re, e paralajmëruar nga Kardinali i madh, Vishinski!”.

Shkëputur nga “Il libro delle meraviglie. 365 giorni con personaggi e eventi che hanno cambiato il mondo,  2007”.

24 prill 2021, 11:51