Kërko

Vatican News
Martirët e Quiche (Guatemalë) Martirët e Quiche (Guatemalë) 

Martirët e lum të Quiché: thirrje për pajtim në Guatemalë

U lumnuan dhjetë martirë të vrarë nga urrejtja për fenë në Guatemalë. Ipeshkvi i dioqezës së Quiché, imzot Rosolino Bianchetti, uron, në Vatican News, që flijimi i tyre të jetë frymëzim për ndërtimin e një vendi të bashkuar përballë kërcënimeve të kohës, sidomos, varfërisë, shfrytëzimit e migrimit të detyruar, plagë që nuk mund të shërohen, pa i mjekuar! Për popullin guatemaltek, martirt e rinj janë modele feje e guximi.

R. SH. - Vatikan

U lumnuan dje, në Guatemalë, “martirët e Quiché: tre priftërinj spanjollë, misionarë të Zemrës së Krishtit: José María Gran, Faustino Villanueva e Juan Alonso, njëherësh me shtatë katekistë laikë: Rosalío Benito, Reyes Us, Domingo del Barrio, Nicolás Castro, Tomás Ramírez, Miguel Tiú e Juan Barrera Méndez, ky i fundit i vrarë kur ishte vetëm 12 vjeç, nga ‘urrejtja për fenë” në rrethanat e luftës civile, që e rrënoi vendin ndërmjet viteve 1980 e 1991. Ceremonia e lumnimit u kremtua në Katedralen e Santa Cruz del Quiché, kryesuar nga kardinali guatemaltek Álvaro Leonel Ramazzini. 

Njerëz të fesë, kushtuar shërbimit

Dhjetra vjet pas martirizimit, gjaku i derdhur nga këta “burra të fesë”, kushtuar plotësisht shërbimit të Ungjillit e të Kishës, vijon të japë fryte të begata. E pohon këtë në Vatican News, imzot Rosolino Bianchetti Bofelli, me origjinë italiane, ipeshkëv aktual i dioqezës së Quiché, “misionar fidei donum” në këtë vend. “Ishin vërtet misionarë në lëvizje - pohon prelati - Shkonin shtëpi në shtëpi e, për ta mbajtur të gjallë fenë, luteshin me vëllezërit, ungjillëzonin. Ishin meshtarë me fe të madhe, me besim të patundur në Zotin, por edhe njerëz të kushtuar vendit të tyre,  që punonin  edhe për një Guatemalë të re, të ndryshme nga ajo, ku jetonin. Ishin “lider të vërtetë të Kishës e të popullit”, që dinin t’i shkrinin harmonikisht në një angazhimin për t’i edukuar bashkësitë sipas planit të Zotit, duke u përpjekur të rritej ndër ta Mbretëria e Qiellit,  por edhe për ta bërë realitet kumtimin e çlirimit, të jetës së begatë, që Jezusi na e ofron ne të gjithëve”.

Njerëz që rrokën kryqin

Kishin një armë të vetme: Kryqin! Me këtë armë luftuan, pa u ndalur para asnjë kërcënimi. U persektuan e u torturuan nga ata, që e shikonin Ungjillin si “rrezik” për interesat e njerëzve të pushtetshëm. Po martirët, me fjalën e Zotit në buzë e rruzaren në dorë, vijuan të vizitojnë bashkësitë,  të ndihmojnë nevojtarët, të kumtojnë lajmin e mirë e, sidomos, t’i përkrahin fshatarët për t’i marrë përsëri tokat, që u qenë shtetëzuar padrejtësisht, domethënë, u qenë grabitur!

Me lumnimin, ata arritën kulmin e udhës së gjatë, në të cilën i pati ftuar vetë Krishti, në shërbim  të vëllezërve e motrave, për të cilët sot janë shembull.

E duke ndjekur këtë shembull - nënvizoi ipeshkvi - “askush deri më sot nuk mori hak se i vranë të afërmin, atin a mikun, a pse ia dogjën shtëpinë. Ndonëse njerëzit vijojnë të vuajnë, edhe shumë. Ndaj duhet vijuar udha e martirëve për t’i shëruar plagët, me sytë e ngulur tek Jezusi i kryqëzuar e i ngjallur. Kjo është detyra jonë” – pohon ipeshkvi.

24 prill 2021, 13:03