Kërko

Shtatorja e Kopernikut Shtatorja e Kopernikut 

Koperniku, Mendel e Tereza e Krishtit Fëmijë, ndërmjet të kremtuarve të mëdhenj nga Unesco

Këshilli ekzekutiv i agjencisë së OKB-së për Edukimin, Shkencën e Kulturën (Unesco), votoi për një listë prej 60 personalitetesh, përvjetoret e të cilëve bien në dyvjeçarin 2022-2023. Ndërmjet tyre, edhe Patriarku i lashtë armen, Shën Nersesi, gjeni humanistik e teologjik.

Një matematikan e astronom, që përmbysi sigurinë e lashtë, sipas së cilës toka ishte qendra e universit. E mori, kështu, për dore botën, për ta shoqëruar në rrugët e modernitetit. Një kalorës, që u bë ipeshkëv e shenjt,  e i tregoi botës se Kisha nuk u përket fisnikëve, por popullit të Zotit. E një biolog, që zbuloi “big bang”-et e jetës njerëzore, mekanizmat e gjenetikës - e edhe një “shkencëtare e re “ e dashurisë, një klaustrale, shpirti i së cilës i mrekullon jo vetëm breznitë e besimtarëve: Niccolò Copernico, Nersesi i Madh, Gregor Mendel e Tereza e Krishtit Fëmijë! Katër personalitete që, në mënyra të ndryshme, lanë gjurmë të thella në epokën e tyre e dhanë një ndihmesë të shquar për të mirën e njerëzimit, duke qenë, njëkohësisht, edhe “gjeni të kristianizmit”: të katërt, simbole të veshjes rregulltare, që mbanin: një prift, një ipeshkëv, një murg agostinian e një motër karmelitane.

Ditëlindjet, më 2022 e 2023

Janë këta, së bashku me  60 personalitete të tjera, që Unesco i zgjodhi për t’i kremtuar, në dyvjeçarin 2022-2023, sipas një programi, që përsëritet prej kohe e që synon t’i nderojë njerëzit e kombeve të ndryshme, për ndihmesën që dhanë në shërbim të paqes, edukimit shkencor, shkencave shoqërore, edukimit e komunikimit.

Mendelit do t’i përkujtohet, në vitin 2022, 200 vjetori i lindjes; ndërsa më 2023, në qendër të manifestimeve do të jenë 150-vjetori i lindjes së Shën Terezinës, 550 vjetori i lindjes së Kopernikut dhe 850-vjetori i vdekjes së Nersesit të Madh.

Këta emra, si dhe ata të personaliteteve të tjera, i propozuan kombet, që i lindën figurat e ndritura. Në rastin e katër përfaqësuesve të krishterimit, Polonia (Koperniku), Republika Çeke (Mendel), Armenia (Narseti i Madh) e Franca (Tereza Lisieux).

Feja e vërtetë prodhon kulturë

“Gjeniu i kristianizmit lind personalitete të afta për punuar në të gjitha fushat e jetës” - pohoi, për mediat e Vatikanit, kryeipeshkvi Francesco Follo, vëzhgues i përhershëm i Selisë Shenjtë në Unesco, duke komentuar këtë vendim të agjencisë së OKB-së e duke vënë në dukje peshën që po fiton gjithnjë e më shumë përmasa fetare në debatin kulturor, i cili karakterizon veprimtarinë e Unesco-s.

PO, kush janë (jo ishin) katër të kremtuarit e mëdhenj  të kristianizmit?

Mikolaj Kopernik (Torun, 19 shkurt 1473- Frombork, 24 maj 1543) ishte astronom, matematikan e meshtar polak, i lauruar në drejtësi kanonike pranë Universitetit të Ferrarës, në vitin 1503, i famshëm për mbrojtjen e sistemit heliocentrik, kundër atij gjeocenrtrik, që sundonte derinë atë kohë në Evropë.

Nersesi i Madh (lindur në shekullin IV- vdekur në vitin 373) dha një kontribut të madh për Armeninë. Deri në kohën e tij Kisha armene  identifikohej me familjen mbretërore, ndërsa Narseti apo Nersesi ia hapi portat besimit e zakoneve të popullit armen.

Gregor Johann Mendel (Hynčice, 22 korrik 1822 - Brno, 6 janar 1884):  biolog, matematikan e murg agostinian çek i gjuhës gjermane, pararendës i gjnetikës moderne.

Terezina e Krishtit Fëmijë, e njohur si Tereza Lisieux, në shekull Marie-Françoisie Théreese Martin (Alençon, 2 janar 1873 - Lisieux , 30 shtator 1897) karmelitane franceze. Pajtore e misionarëve që nga viti 1927, shenjte më 17 maj 1925, është pajtore e Francës, së bashku me Virgjërën Mari e Zhanë d’Ark.

17 prill 2021, 16:17