Kërko

Vatican News
Kardinali Louis Raphael Sako  Kardinali Louis Raphael Sako  

Irak. Patriaku Sako: udha që duhet ndjekur është falja e pajtimi

Një muaj pas vizitës apostolike të Papës Françesku në Irak, gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” boton një intervistë me kardinalin Louis Raphaël Sako. Patriarku i Babilonisë së Kaldejve tregon çfarë ka ndryshuar në vend, falë gjesteve dhe fjalëve të Papës: përshkruan edhe angazhimin e Kishës vendase për ardhmërinë me paqe.

R. SH. - Vatikan

“Vëllazërimi dhe larmia janë baza njerëzore dhe morale themelore për bashkëjetesën”: është i bindur për këtë kardinali Louis Raphaël Sako, Patriak i Babilonisë së Kaldejve që, në këtë intervistë dhënë gazetës “L’Osservatore Romano”, kujton me gëzim e mirënjohje shtegtimin e Papës Françesku në Irak.

Ka kaluar vetëm një muaj nga vizita apostolike, kryer në një çast të veçantë historik, ngarkuar me shqetësimet e emergjencës shëndetësore. Gjest gati-gati i papritur! Si e jetuat Ju e të krishterët irakianë praninë e Papës?

“E dija se Ati i Shenjtë dëshironte ta vizitonte Irakun, por sinqerisht, nuk e prisja në këto çaste, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga pandemia. Ishte krejt e papritur vendosmëria e tij. Ati i Shenjtë ka karizmën e të papriturave. Të çudit e të mrekullon! Mendoj se e ndjeu në zemrën e tij  prej bariu kërkesën për të ardhur e për t’u sjellë ngushëllim e shpresë irakianëve, që vuajtën aq shumë. Bëri mirë. Madje shumë mirë! Ç’gëzim na solli vizita e tij! Papa i preku të gjithë: të krishterë e myslimanë. Iraku, gjatë pranisë së Tij, u shndërrua në parajsë, pas gjithë atyre viteve skëterre. E shpresojmë se do të jetë gjithnjë kështu!”.

Ju, në raste të ndryshme, keni theksuar nevojën e një shteti laik, që e lejon lirinë e kultit. Mendoni se mund të realizohet kjo në Irak? E sa kohë duhet pritur akoma?

 “Mendoj se rrugëzgjidhja është një regjim shekullar, i bazuar vetëm mbi qytetarinë e jo mbi fenë. Vendet e Lindjes së Mesme nuk kanë ardhmëri, nëse nuk e veçojnë fenë nga Shteti. Janë dy gjëra të ndryshme: në një shtet shekullar mund të jesh mysliman a i krishterë, mund të shkosh në kishë a në xhami, mund të agjërosh a ta jetosh jetën tënde sipas bindjeve të tua, e shteti nuk ka të drejtë të të pengojë ta bësh këtë. Ashtu si nuk mund as nuk duhet të të pengojë të bëhesh rregulltar. Nuk të pritet dora, nëse vjedh, as nuk të mbyllin në burg, nëse e ndërpret agjërimin gjatë Ramazanit. Shteti nuk të dënon nëse zgjedh këtë apo atë fe. Iraku është gati për të qenë shekullar e të rinjtë e manifestojnë këtë duke kërkuar t’u njihet e drejta e atdheut dhe e barazisë”.

Çfarë po bën Kisha kaldease për t’i bindur të krishterët të rikthehen në atdhe, pas persekutimit nga ana e të ashtuquajturit Shtet islamik?

“Kthimi i të krishterëve është detyrë e qeverisë irakiane, e kjo do të bëhet e mundur kur të krijohen kushtet e favorshme e të garantohen siguria, stabiliteti e shërbimet. Të krishterët dhe pakicat e tjera  do të inkurajohen të kthehen në tokën e tyre të zanafillës. Sipas meje, ky do të jetë projekt afatgjatë”.

Në një mesazh të kohëve të fundit, Ju i ftuat irakianët ta kthejnë  fletën e të nisin një rrugë të re. Besoni se vizita e Papës mund të ndihmojë në ndryshimin e Vendit?

“Duhet ndryshuar një lloj mendësie. Kush fal, është më i fortë se kush vret! Duhet falur, duhet pajtimi për të mirën e përbashkët, ashtu si bëri Nelson Mandela në Afrikën Jugore. Nëse duam progres, na duhet një  kulturë e re, e hapur, që i respekton larmitë. Papa foli për vëllazërimin njerëzor e edhe shpirtëror, për respektimin e larmive e bashkëpunimin për një botë më të mirë, ku ka më shumë paqe e dinjitet”.

Çfarë duhet për ta lehtësuar mundësinë e bashkëjetesës ndërmjet feve? Ju jeni i bindur se myslimanë e të krishterë mund të bashkëjetojnë, pavarësisht nga plagët e hapura nga fundamentalistët?

“Ne, të krishterët kemi një thirrje: duhet t’i ndihmojmë të tjerët, duhet të jemi gati, guximtarë e pa frikë. Si bari, përsëris se Kisha e ka për detyrë  ta shpjegojë krejt qartë fenë. Duhet dialog e respekt. Unitet nuk do të thotë uniformitet. Papa në Irak foli shumë herë për vëllazërimin dhe larminë. Fjalët e tij të dala nga zemra me thjeshtësi e spontaneitet e ndryshuan mendësinë e njerëzve. Tani ka shumë respekt. Pritet të ndryshojnë edhe liderët politikë”.

Sa mund të jetë vendimtare mbështetja e katolikëve dhe e bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e klimës së paqes e të qetësisë?

“Papa Françesku përvijoi një magna carta gjatë takimeve të tij e me fjalët e tij. E tani na takon ne t’i vëmë në jetë. Qeveria irakiane formoi një komitet menjëherë pas vizitës apostolike, kështu edhe Kisha kaldease. Kemi besim e shpresë”.

Si mund të fuqizohet vëllazërimi në një vend të martirizuar nga ndeshjet e armatosura e nga dhuna?

“Ne, të krishterët, të formuar për të falur, kemi një rol të dorës së parë: të falim! Tema e pajtimit dhe e besimit janë themelore për bashkëjetesën politike. Njerëzit e thjeshtë janë gati të ndryshojnë, por, e përsëris,  pengesa kryesore janë politikanët, që duan të mbrojnë vetëm interesat e tyre, siç pohoi edhe ajatollahu Al-Sistani gjatë takimit me Papën Françesku”.

Çfarë do të bëjë konkretisht Kisha në Irak në të ardhmen e afërt?

“Do të punojmë për katër objektiva: krijimin e programeve edukative e didaktike për forcimin e vëllazërimit ndërmjet irakianëve dhe për unitetin e  tyre kombëtar; do të organizojmë veprimtari për sensibilizimin e të gjithë irakianëve lidhur me larminë, përmes seminareve, konferencave e programeve televizive kushtuar qytetërimit, kulturave e feve, me qëllim  që të nxjerrim në pah pikat e përbashkëta, duke thelluar e respektuar veçantitë, për të krijuar bindjen se çka na bashkon, është shumë më e rëndësishme nga çka na ndan; do të krijojmë një qendër kombëtare me salla e bibliotekë të specializuar për temat e dialogut ndërfetar. E, së fundi,  do të aktivizojmë Kodin Penal irakian (n.111 i vitit 1969) dhe nenet e tij, që theksojnë detyrimin për mbrojtjen e vendeve të shenjta dhe ndalojnë fyerjen e feve e të simboleve të tyre, duke i dënuar agresorët”.

09 prill 2021, 14:08