Kërko

Vatican News

Imzot Simon Kulli: Pashka e Jezusit është dritë shprese për ne

Nё mesazhin e Pashkёve 2021 ipeshkvi di dioqezёs sё Sapёs imzot Simon Kulli kujton se “në këtë kohë që kujtojmë e kremtojmё misterin e vdekjes dhe ngjalljes së Zotit, mendimet e mia shkojnë veçanërisht në vuajtjet e shumta të personave, sepse na kujtojnë akoma më shumë thirrjen e shpresës që na jep festa e Pashkëve. Në situata të tragjedisë, dhimbjes, vuajtjes shohin nevojën e një drite e një shprese. E kjo ёshtё Pashka e Jezusit, dritë për ne.

R.SH. - Vatikan

Nё mesazhin e Pashkёve 2021 ipeshkvi di dioqezёs sё Sapёs imzot Simon Kulli kujton se “në këtë kohë që kujtojmë  e kremtojmё misterin e vdekjes dhe ngjalljes së Zotit, mendimet e mia shkojnë veçanërisht në vuajtjet e shumta të personave, sepse na kujtojnë akoma më shumë thirrjen e shpresës që na jep festa e Pashkëve. Në situata të tragjedisë, dhimbjes, vuajtjes - dhe ka shumë - shohin nevojën e një drite, një shprese, një thirrjeje për diçka që është më e madhe se ne. E kjo ёshtё Pashka e Jezusit, ë dritë për ne, qё na kujton ngjarjen e mrekullueshme të Ngjalljes, një fakt historik nga i cili, që pёr ne të krishterët, buron e gjithë shpresa dhe angazhimi ynë në këtë botë. Ta dёgjojmё imzot Kullin:.

Urimi i Ipeshkvit të Sapës Imzot Simon Kulli për Pashkët 2021

Urimi i Ipeshkvit të Sapës Imzot Simon Kulli për Pashkët 2021

Të dashur vëllezër e motra,

Nga zemra dëshiroj t'ju shpreh të gjithëve urimet e mia që të jeni në gjendje të jetoni plotësisht këtë Pashkë të Shenjtë. E bëj këtë, duke mbajtur në zemrën time fytyrat dhe historitë e shumë njerëzve dhe familjeve që kam takuar gjatë këtij viti pandemik, që nga fillimi i pandemisë deri më sot, në disa bashkësi të famullive të Dioqezës sonë. Ishin ditë dhe takime mjaft të çmuara duke dhuruar shpresë tek njerëzit që vuajnë, e më së shumti unë çmoja pasurinë njerëzore, shpirtërore si dhe përkushtimin për të tjerët. Në kaq shumë përvoja, në kaq shumë shprehje të jetës së dhënë në shërbim të të tjerëve, të sëmurëve dhe të moshuarve, ka shenja të Ringjalljes, të cilat na kujtojnë se si në jetën e përditshme përjetojmë dhe hasim përvoja të vërteta të Zotit, i cili bëhet i afërmi ynë pikërisht në jetën e atyre që na rrinë afër; një Zot që viziton jetën tonë në historinë e secilit prej nesh.

Në këtë kohë që kujtojmë misterin e vdekjes dhe ngjalljes së Zotit, mendimet e mia shkojnë veçanërisht në vuajtjet e shumta që kam hasur, sepse ato më kujtojnë akoma më shumë thirrjen e shpresës që na jep festa e Pashkëve që ne po festojmë. Në situata të tragjedisë, dhimbjes, vuajtjes - dhe ka shumë - unë shoh nevojën për një dritë, një shpresë, një thirrje për diçka që është më e madhe se ne.

Pashka e Jezusit është një dritë për ne, ajo na kujton një ngjarje te mrekullueshme të dashurisë, një fakt historik nga i cili, për ne të krishterët, buron e gjithë shpresa dhe angazhimi ynë në këtë botë. Të ndriçuar nga drita e Pashkëve, ne meshtarët, mbi të gjitha, sjellim aromën e Krishtit të Ngjallur në vetmi, në mjerim, në dhimbje të kaq shumë vëllezërve tanë, duke përmbysur gurin e indiferencës.

Dashuria për Një të Ringjallur do të na lejojë të kujdesemi për njëri-tjetrin; do të na lejojë të gjejmë mënyra të reja solidariteti dhe përkushtimi të ndërsjellë; do të na mësojë të gjejmë gjithmonë mënyra të reja për të qenë afër njëri-tjetrit. I Ringjalluri do të na drejtojë në jetën tonë kur nuk do të jetë e lehtë, kur do shumë forcë dhe guxim, kur duhet të japim diçka nga vetja për të mirën e të gjithëve.

Urimi im për një Pashkë të Bekuar dëshiroj të jetë ky: që jetët tona të krijojnë një ngjarje të re, një përvojë të re të Pashkëve; që historitë tona mund të ndriçohen nga historia e Jezusit dhe që të gjithë mund të mbështetemi tek ky gur themelor që është besimi i Kishës në Ringjalljen e tij dhe në praninë e tij të gjallë midis nesh.

Me shëndet Pashkët!

+ Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

03 prill 2021, 13:26