Kërko

Vatican News

Heparkia e Ungrës: “Katolikët e ortodoksët në udhë drejt bashkimit të plotë”

Një cikël prej 5 takimesh, çdo të hënë të dytë të muajit, duke filluar nga 8 shkurti e deri më 14 qershor, e impenjon Heparkinë arbëreshe të Ungrës në kërkimin e bashkimit ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Më 12 prill, takimi i tretë

R.SH. - Vatikan

Është në program për të hënën, 12 prill, takimi i tretë i ciklit të konferencave me temë “Katolikët dhe ortodoksët në udhën e bashkimit të plotë”, organizuar nga Zyra për Ekumenizmin dhe Dialogun, në Heparkinë arbëreshe të Ungrës, në bashkëpunim me Qendrën e Studimit për ekumenizmin në Itali.

Takimi i së hënës së ardhshme do të mbahet në orën 18 e do të paraqitet nga ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio. Profesor Natalino Valentini, drejtor i Institutit të Lartë të Shkencave Fetare “A. Marvels” të Riminit dhe San Marino-Montefeltros, do të trajtojë temën “Misticizmi i zemrës në Traditën e krishterë Lindore.

Ndërmjet Filokalisë (dashurisë për bukurinë, përmbledhje tekstesh asketike e mistike të Kishës Ortodokse) dhe Hesikazmit (paqes shpirtërore, doktrinë e praktikë asketike e përhapur ndërmjet murgjërve të Lindjes së krishterë, që nga koha e Etërve të shkretëtirës, në shekullin IV)”. E moderuar nga diakoni Alex Talarico, delegat i Heparkisë për Ekumenizmin dhe dialogun, konferenca mund të ndiqet në internet në platformën Zoom, duke kërkuar lidhjen përmes postës elektronike në ecumenismo@lungro.chiesacattolica.it.

5 takime, nga shkurti në qershor

Cikli i konferencave përbëhet nga 5 takime, dy prej të cilave – ai i 8 shkurtit dhe ai i 15 marsit – janë mbajtur tashmë. Ky i 12 prillit është takimi i tretë, por do të ketë edhe dy takime të tjera, çdo të hënë të dytë të muajve që vijojnë. Kështu, më 10 maj, atë Hyacinthe Destivelle, OP, funksionar i Seksionit Lindor të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve dhe drejtor i Institutit të Studimeve Ekumenike në Angelicum, do të mbajë konferencën “Parimet dhe metodologjia e dialogut teologjik me Kishat Ortodokse dhe me ato Ortodokse Lindore”.

Ndërsa, më 14 qershor, gjithnjë në orën 18, prof. Riccardo Burigana, drejtor i Qendrës së Studimit për Ekumenizmin në Itali, do të flasë mbi temën “Ende me sytë e kthyer drejt qiellit. Kisha Katolike dhe tensionet në udhën ekumenike”.

09 prill 2021, 13:45