Kërko

Vatican News

Fjala e Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve ‘B’

E diela e 4-të e Pashkëve është pra e diela e “Bariut të Mirë”, e vërtetë, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi prezantohet si "bari i mirë" që e "dhuron jetën për delet" e veta. Në këtë të diele të 4-tё Pashkëve, Jezu Krishti Ngjallur na paraqitet me fytyrën e Bariut të mirë. Jezusi,pra, është Bariu i mirë, Bariu i drejtë, që dëshmon e përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit Qiellor.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës liturgjike të Pashkëve.

Fjala e Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve ‘B’

E diela e 4-të e Pashkëve është e diela e “Bariut të Mirë”, e në pjesën e Ungjillit, nga Gjoni, Jezusi prezantohet si "bari i mirë" që e "dhuron jetën për delet" e veta. Kështu Jezu Krishti Ngjallur na paraqitet me fytyrën e Bariut të mirë. Ai është Bariu i mirë, Bariu i drejtë, që dëshmon e përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit Qiellor. Jezusi, në polemikë të plotë me klasën sunduese të Izraelit, e paraqet veten si "bari të mirë", domethënë si atë që i mbledh dhe udhëheq delet deri në ofrimin e jetës, për shpëtimin e jetës së tyre.

Çdo të diele të kohës së Pashkëve, leximet biblike na flasin për dashurinë,  mirësinë dhe përdëllimin e Zotit Jezus, që ka dëshmuar me mundimet, vdekjen dhe Ngjalljen e Tij. Ky është misteri i Pashkëve. Dashurinë e pakufishme që Jezusi e ka për ne, na kujton Ungjilli kësaj së diele nga Gjoni, e shfaq përmes shembullit të Bariut të Mirë, titull me të cilin Ai paraqitet si Udhë, e Vërtetë dhe Jetë për njerëzit. Bukuria magjepsëse e Bariut është në mirësinë dhe guximin e tij. Ai i mbron delet kundër ujqve, duke ofruar, madje duke e dhuruar jetën e tij për jetën e tyre, sikur dëshmon kryqi i Krishtit.

Fjala e Zotit flet për popullin e Hyjit si për një grigjë të përvuajtur besimtarësh, që i është besuar Bariut të saj, Jezu Krishtit të Gjallë. Fjala e Zotit na thërret të gjithëve të ndjekim pas Bariun e Mirë – Jezusin me besnikëri e qëndresë, për t’ia njohur e dëgjuar zërin dhe për të ecur pas Tij drejt shëlbimit. Kisha katolike ia kushton këtë të diele të 4-të të Pashkëve, e cila quhet e Bariu i Mirë, lutjes dhe reflektimit për thirrjet e shenjta meshtarake e rregulltare. 

                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 4, 8-12

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 118

Guri i qitur jashtë përdorimit, 
u bë gur i këndit


Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në princa.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar

dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit
ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

Ti je Hyji im, ty të falënderoj;
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Leximi dytë 1 Gjn 3, 1-2

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja, aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ungjilli Gjn 10, 11-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. 
Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat, krydioqeza e Shkodër-Pultit:

E DIELA IV E PASHKËS: UNË JAM BARIU I MIRË.

Vap 4, 8-12; Ps 117 (118); 1 Gjn 3, 1-2; Gj 10, 11-18

Në pikturat e lashta të krishterimit, Jezusi paraqitet shpesh me imazhin e Bariut të mirë, që mban në krahët apo supet e veta një qengj. Madje, sipas disa zbulimeve arkeologjike, imazhe të tilla janë më të hershme mes të krishterëve edhe se vetë imazhi i kryqit. Kjo tregon se sa përzemër e kishin këtë imazh të krishterët e parë.

Ende sot vazhdon të jetë një imazh shumë i dashur ai i Jezusit, Bariut të Mirë. Kisha vazhdon ta ketë për zemër një imazh të tillë dhe, në çdo të diel të katërt të kohës së Pashkëve, na vë përpara një pjesë Ungjillore në të cilën Jezusi thotë për vete së është Bariu i mirë.

Por ajo që në Ungjillin e sotëm na thuhet me këmbëngulje, nuk është edhe aq fakti se Jezusi është si një prej shumë barinjve të mirë, por fakti se Ai është «Bariu i mirë». Flet në njëjës dhe ungjilltari e shkruan me të madhe fjalën «Bari». Jezusi duket sikur është duke thënë: «S’ka bari tjetër përveç meje.» Mund të duket si një mburrje e tepruar kjo e Jezusit. Duket sikur ngjan me ato lëvdatat që jemi mësuar t’i dëgjojmë në fushatat elektorale, gjatë së cilave deputeti kandidues, pushtetari lokal, partia apo ideologjia që ata përfaqësojnë, e paraqesin veten si shpëtimtarët, që, qysh nga amshimi, i paskan munguar njerëzimit.

Por lëvdata që Jezusi i bën vetes është shumë ndryshe nga lëvdatat e tyre. Faktin se është Bariu i mirë, Jezusi e lidh në mënyrë të pandashme me faktin se «e jep jetën për delet e veta». Delet nuk i duhen Atij, nuk i shtojnë mundësi mirëqenieje, por është Ai që i ka përzemër ato dhe bën gjithçka – deri në dhurim të vetvetes – që t’i ruajë nga e keqja, domethënë nga mëkati.

Vetëm Jezusi është Personi që e dhuron vetveten pa asnjë interes, sepse në fakt nuk ka asnjë interes ndaj deleve të veta. Vetëm Ai është Bariu i vetëm, sepse vetëm Ai mund të dhurohet deri në atë pikë.

Por, sikurse ndodh edhe me aspektet e tjera të Madhështisë Hyjnore, edhe ne njerëzve na jepet mundësia që të marrim pjesë në këtë mënyrë të të qenit Bari. Përshembull: Zoti është Prindi i vetëm, Burimi i vetëm i jetës. Por Ai dëshiron që edhe disa njerëz të jenë prindër, duke i bërë kështu edhe ata bashkëkrijues dhe përçues të jetës. Kështu edhe në lidhje me Bariun: Jezusi është Bariu i vetëm, por Ai dëshiron të përfshijë në këtë veprimtari të Tijën edhe disa njerëz të caktuar.

Kështu, ai që ka ndonjë përgjegjësi përballë një bashkësie, mund t’i ngjajë Jezusit, nëse sillet me delet, ashtu siç është sjellë Jezusi. Këtu përfshihet patjetër edhe hierarkia kishtare, por nuk është fjala vetëm për të. Sikur një pushtetar (president, ministër, kryetar bashkie, etj.) ta kishte përzemër kështu bashkësinë, shërbëtor i së cilës është, do të ishte në gjendje të bënte mrekulli me duart e veta dhe jeta e bashkësisë do të ndryshonte dukshëm.

Historia e tregon se vetëm ata njerëz që e kanë ofruar kështu jetën e tyre, kanë arritur ta ndryshojnë për mirë rrjedhën e jetesës së kombeve. Kurse ata që kanë menduar vetëm për vete, i kanë mashtruar, përdorur e braktisur popujt. Jezusi në Ungjillin e sotëm e shpjegon arsyen: «Është rrogëtar e s’është në kujdes për dhen.»

Megjithatë në këtë të diel flitet sidomos për barinjtë tanë shpirtërorë: për papën, për ipeshkvinjtë, për meshtarët, për këdo që ka njëfarë përgjegjësie ndaj ecjes shpirtërore të një bashkësie. Kjo ngaqë, në mënyrë shumë më të veçantë, Jezusi ua ka besuar pikërisht atyre që ta vazhdojnë misionin e Tij prej Bariu, edhe pse asnjëri prej tyre nuk arrin ta plotësojë fytyrën e vërtetë të Bariut të vetëm që është Krishti.

Një Pape, ipeshkvi apo meshtari, i kërkohet që, nëpërmjet përkujdesjes për bashkësinë që i është besuar, të jetë imazh i gjallë i Jezusit, Bariut të mirë. Prandaj i duhet që të mos kursejë asgjë në këtë shërbim të tijin, të jetë bujar në dhurimin e vetvetes, të ketë zell për shëlbimin e shpirtrave e të bëjë çmosin që të mos i lërë besimtarët viktima të “ujqërve” të ndryshëm që shpesh ia sulmojnë bashkësinë.

Të vetëdijshëm se bashkësia i përket vetëm Krishtit e jo atyre, papa, ipeshkvijtë dhe meshtarët janë mjeti të cilin vetë Hyji e ka zgjedhur për një drejtim të tillë.

Nuk teprohet nëse thuhet se, në fakt, janë mjeti më i privilegjuar që Hyji përdor për këtë gjë. Shën Gjon Maria Vianei – i cili ishte një meshtar shumë i zellshëm – thoshte me plot bindje për meshtarin: «Një bari i mirë, sipas zemrës së Hyjit është thesari më i madh që Hyji mund t’i japë një famullie.»

Shikoni se çfarë ndodh në leximin e parë që sot dëgjuam: Shën Pjetri ka një kurajo e cila deri atëherë i mungonte për shpalljen e Jezusit si Bir të Hyjit. Me forcën që i ka dhënë Shpirti Shenjt, ai tani shpall se «S’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë të qiellit që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.» Shën Pjetri e dinte se shpallja e një të vërtete të tillë mund t’i kushtonte jetën përballë «kryetarëve e pleqve» të popullit të cilëve u drejtohej, por nuk tërhiqet prapa. Ka mësuar nga Jezusi i cili, duke qenë se është Bari e jo rrogëtar, kur sheh se po vjen ujku, nuk ikën, por është i gatshëm ta japë jetën e vet për të mirën e deleve.

Në jetën e të Lumit Dom Alfons Trackit, një meshtari gjerman misionar në Shqipëri, tregohet se rrethanat në të cilat u arrit në kapjen e tij nga ana e komunistëve, ishte pikërisht një rast në të cilin atij, Dom Alfonsit, iu desh të dëshmonte pikërisht fytyrën e Krishtit, Bariut të mirë, «që jep jetën për delet e veta».

Dom Alfonsi ishte larguar nga Shkodra së bashku me një grup personash të pakënaqur me regjimin komunist që sapo kishte hyrë në Shqipëri në vitin 1944 dhe po mbillte terror e vdekje kudo. Ishin strehuar diku ndër malet e Shllakut. Rrethanat u sollën që komunistët të binin në gjurmët e tyre dhe ta sulmonin banesën e ku ata gjendeshin.

Nga të shtënat e para mbeti i plagosur rëndë një djalosh i grupit. Të tjerët patën mundësinë të iknin. Edhe Dom Alfonsi e pati mundësinë t’ia mbathte e kështu të largohej pastaj drejt Kosovës e drejt vendlindjes së tij, Gjermanisë, por, duke e parë se ai djalosh gjendej në fill të vdekjes, nuk mund ta braktiste atë e të mos i jepte sakramentet e fundit. Ishte e sigurt se koha e dhënies së sakramenteve do të ishte e mjaftueshme që komunistët të afroheshin e ta kapnin. Zgjodhi të mos largohej: një dele e grigjës kishte nevojë për të e ai nuk mund ta braktiste. Tani që po afrohej ujku, i duhej të dëshmonte se ishte «bari» e jo «rrogëtar».

E historia e Kishës është plot me ngjarje ku flitet se sa e sa barinj kanë vuajtur sëmundje, varfëri, tortura dhe që kanë dhënë edhe jetën e tyre për të mirën e grigjës që u ishte besuar.

Thuhet në jetën e Shën Damiano de Vester – një meshtar nga Belgjika që jetoi në shekullin XIX – se ai u ofrua vullnetar që të shkonte si misionar në ishullin Molokai të arkipelagut të Hauait, vend ku aso kohe ishin izoluar të gjithë të gërbulurit e zonës, në pritje të dëshpëruar të vdekjes. Shkoi t’u qëndronte pranë në çastet e fundit të jetës së tyre, për t’u dhënë Sakramentet e shenjta dhe t’i ndihmonte të vdisnin të rrethuar nga dashuria e dikujt.

Kështu Shën Damiani provokoi edhe ndërgjegjet e shumëkujt që kaplohej nga frika dhe kujdesi i ankthshëm për shëndetin e vet, duke harruar se jemi të krijuar për një dashuri më të madhe se kaq.

Ishte i vetëdijshëm se çmimi që duhej të paguante për gjithë këtë, ishte shumë i shtrenjtë. E në fakt ashtu edhe ndodhi: vdiq edhe ai nga sëmundja e gërbulës, por vdiq në paqe, i kënaqur se asaj grigje të braktisur i ishte gjendur pranë në çastet më të vështira, pa kursyer as jetën e vet. Kisha tani e ka shpallur Shenjt këtë meshtar me zemër të madhe, i cili për gjashtëmbëdhjetë vjet atyre njerëzve të mjerë ua kishte bërë të pranishëm Krishtin, Bariun e mirë «që edhe jetën e jep për dele».

Këta shenjtër, pra, bëhen dëshmia se Jezusi, Bariu i mirë, nuk e braktis kurrë grigjën e vet, por e ruan nëpërmjet atyre njerëzve që duan t’ia përçojnë botës fytyrën e dashur të Jezusit, i cili ka dhënë jetën për shëlbimin e të gjithëve. Këta shenjtër e ndoqën Krishtin, Bariun e mirë, të sigurtë se një ditë do të gëzonin së bashku me Të. Siç thotë edhe Shën Gjoni, një tjetër shenjt që u bë përçues i fytyrës së dashur të Jezusit: «Kur të shfaqet (Hyji), do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është.»

«Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim. Do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm,»  – vazhdon Jezusi në Ungjillin e sotëm. E, për ta arritur këtë «bashkim», Ai ka nevojë për njerëz që me bujari duan t’ia shpallin botës këtë Bari të Mirë.

Dom Dritan Ndoci

24 prill 2021, 12:16