Kërko

Vatican News

Ernest Koliqi: Shen Gjergj

Ernest Koliqi: Shën Gjergj, Prandvera, - zoja hirplote – /prore ty t’pati ndër né lajmtar: /kët kremte lulesh papra ndër mote / ti ia përsritë prillit shqiptar...

R.SH. - Vatikan

Ernest Koliqi: Shen Gjergj

 

Vashat duer-njoma pa çilë agimi
kpusin sot gema me ia vu derës
si shej gazmendi, si shej urimi
pse erdh Shën Gjergji krushku i Prandverës.
T’tana u stolisen dyert qi ka shpija
me gema kumbullash e drandofillesh:
pa za t’përshndesin era e freskia
kahdo qi t’sillesh.

Erdhi Shën Gjergji! Me cërcërrime
flutrojn dallndyshat npër rreze ari.
Qoft’bekue dora qi n’derën t’ime
dy gema lulesh n’mëngjes i vari.
Qoft’bekue dita qi n’mjeri t’soçme
nji doke gzimi pertrin me mallë,
rritin e bukur t’prandverës s’moçme
ambël tue ngjallë.

Shën Gjergj, Prandvera, - zoja hirplote –
prore ty t’pati ndër né lajmtar:
kët kremte lulesh papra ndër mote
ti ia përsritë prillit shqiptar.
Ti lulevilet i hap’mbi tanda
ku n’andrra t’reja zemrat na dridhen,
e ti mkamb’vallet nën manda
ku shrregllat hidhen.

N’stërnipa mbrrijti si nëpër mjegull
hareja e pastër qi dikur solle.
S’dijm me hov t’vjetër m’u lkundun n’shregull!
e vallja plogtas shtiellet okolle!
Dhe n’i u përgjegjshim grishjeve t’tueja,
dhe n’qe se vallet endè s’kan’heshtë,
prap s’dijm me t’lutun: shllimet e hueja
s’na lane t’thjeshtë…

Sa dyer t’stolisuna me lule t’bardha
jan’rrzue gjat’moteve, o dit’pagane!
e sa duer vashash ka ngrimun mardha
qi me kput’gema dikur i bane!
por psè ndër shekuj ndrruen njerzt e feja,
zakon i moçëm, jo, nuk u buer:
me gema e lule kah dyert e reja
prap çohen duer.

N’Shën Gjergj t’ardhshëm le t’çohen prore
duer t’bardha vashash n’spijat shqiptare:
le t’varin lule duert prandverore
ku ruhen doket porsi visare.
Bift’n’ato shpija gzimi ma i dlirti,
ma e ambla valle n’prill u këndoftë,
andrra ma e bukur qi deshron shpirti
aty lulzoftë!

Ernest Koliqi

23 prill 2021, 12:56