Kërko

Vatican News

E Diela e Mëshirës Hyjnore dhuratë e madhe për mbarë njerëzimin

Këtë të diele të dytë të Pashkëve, Kisha kremton festën e Mëshirës Hyjnore. Siç dihet, kulti i Mëshirës Hyjnore lidhet ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska. Themelimi i së Dielës së Mëshirës Hyjnore nga Papa Shën Gjon Pali II, duhet vlerësuar si dhuratë e madhe për Kishën e për mbarë njerëzimin. Kjo e Diel i krijon Kishës mundësinë t’ia kumtojë botës mëshirën e Zotit e t’i flasë për madhështinë e saj të pambaruar.

R.SH. - Vatikan

Këtë të diele të dytë të Pashkëve, Kisha katolike kremton solemnitetin e festës së Mëshirës Hyjnore. Siç dihet, kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Kujtojmë se solemniteti u kremtua për herë të parë nga Papa Shën Gjon Pali II. Në sa po vizitonte Krakovinë e Polonisë, më 30 prill 2000, Papa Wojtilla ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore, për të cilën njerëzimi ka aq shumë nevojë edhe sot. E nevojë të ngutshme për këtë dhuratë kanë posaçërisht Vendet ku sundojnë dhuna, urrejtja e tragjedia e luftës. Kjo festë i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të luten që Dashuria Hyjnore të fitojë mbi mëkatin e që e mira ta mundë të keqen. 

Pastaj kujtojmё se me këtë të diel tё Dytё tё Pashkёve përfundoi një Javë, e cila për liturgjinë e Kishёs është si një ditë e vetme: “Dita që e bëri Zoti” (Ps. 117,24). Nuk është kohë kronologjike, por shpirtërore, që Hyji e shtriu në indin e ditëve, kur e Ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Shpirti Krijues, duke ndikuar jetën e re dhe të pasosur në korpin e varrosur të Jezusit të Nazaretit, përplotësoi veprën e krijimit dhe shënoi kështu fillesën e një fryti të parë: fryt i parë i njerëzimit të ri që, në të njëjtën kohë, është edhe fryt i parë i një bote të re e i një epoke të re. Ky risim i botës mund të përmblidhet me një fjalë vetme: me atë fjalë që përdori vetë Jezusi për t’i përshëndetur dishepujt e për t’u kumtuar fitoren e tij: “Paqja qoftë me ju!” (Lk. 24, 36; Gjn, 19. 21.26).

Paqja është dhuratë e Jezusit tё Gjall. Krishti ua la miqve të vet - apostujve (cfr Gjn 14, 27) si bekim që u përket gjithë njerëzve e mbarë popujve. Nuk është njё paqe sipas mendësisë së botës, e parë si drejtpeshim forcash, por realitet i ri, fryt i dashurisë së Hyjit, i mëshirës së Tij Hyjnore. Është paqja që Jezu Krishti e fitoi me çmimin e gjakut të vet, tё cilёn ua dhuron të gjithë atyre që besojnë në Të.

“Jezus, besoj në Ty!”: në këto fjalë përmblidhet gjithë feja e të krishterit, krejt besimi në gjithëpushtetin e Dashurisë përdëllyese të Hyjit. Siç përmendëm, festa e Mëshirës Hyjnore lidhet ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. E sot përshpirtëria e rregulltares polake, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Shën Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Po çka i kujton njerëzimit e Diela e Mëshirës Hyjnore?
Themelimi i së Dielës së Mëshirës Hyjnore nga Papa Shën Gjon Pali II, duhet vlerësuar si dhuratë e madhe për Kishën e për mbarë njerëzimin. Kjo e Diel i krijon Kishës mundësinë t’ia kumtojë botës mëshirën e Zotit e t’i flasë për madhështinë e saj të pambaruar. Përhapja e jashtëzakonshme e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill '93, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepse - siç thoshte Papa Shën Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?

Po kush ishte Shën Faustina Kovalska?
Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë, është dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e mëshirës Hyjnore. Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Mendoj sidomos për nderimin e figurës së mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj për orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, për lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës që t’ ia drejtonte Mëshirës së tij Hyjnore. Mendoj, pastaj, për festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Shën Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". Mendoj edhe për përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore". 

E në përkim me të Dielën e Mëshirë Hyjnore, po ndalemi tek kujtimi i shenjave të kryqëzimit të cilat, sipas tregimit të Shën Gjonit ungjilltar, dalloheshin qartë në Korpin e lumnuem të Jezu Krishtit tё Ngjallur. Këto plagë të shenjta, ndër duar, ndër këmbë e në kraharor tё Jezusit tё Ngjallur, janë burim i pashtershëm feje, shprese e dashurie për të gjithë, posaçërisht për shpirtrat që kanë më shumë etje për Mëshirën Hyjnore.  E pikërisht prej këndej u frymëzua edhe Papa Shën Gjon Pali II i cili, duke vlerësuar përvojën shpirtërore të rregulltares së përvujtë, motrës Faustina Kovalska, shprehu dëshirën që e Diela pas Pashkëve t’i kushtohej në mënyrë të veçantë Mëshirës Hyjnore.

E Provania Hyjnore deshi që Gjon Pali II t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke pikërisht natën e kësaj feste. Misteri i dashurisë përdëllyese ishte gjithnjë në qendër të papnisë së Tij duke kujtuar më pas edhe Enciklikën Dives in misericordia si dhe fjalët e shqiptuara nga Papa Wojltila ditën e shugurimit të Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakovi, më 17 gusht të vitit 2002: “Sa nevojë ka bota e sotme për Mëshirën Hyjnore”. Këto fjalë vënë në dukje se kulti i Mëshirës Hyjnore nuk është devocion i dorës së dytë, por një përmasë e fesë dhe e lutjes të të krishterit.

10 prill 2021, 10:54