Kërko

Vatican News

Covid. Indi, Alencherry: oksigjeni për të sëmurët është e drejtë njerëzore

Kreu i Kishës Katolike siro-malabareze të ritit lindor në Indi, kardinali Alencherry, i bën një thirrje të fuqishme qeverisë federale dhe autoriteteve të çdo shteti indian, që oksigjeni të vihet në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus. Është një e drejtë, thotë ai, njëlloj si buka dhe veshja

R.SH. - Vatikan

“Të shihet domosdoshmëria për t’u dhënë oksigjen të sëmurëve me koronavirus si një e drejtë themelore e njeriut dhe të merren menjëherë të gjitha masat e nevojshme për t’i furnizuar me të njerëzit, që po luftojnë për jetë a vdekje në spitale dhe qendra shëndetësore”. Kjo është thirrja e kreut të Kishës Katolike siro-malabareze të ritit lindor në Indi, kardinalit George Alencherry, për qeverinë federale indiane, sipas njoftimit të agjencisë UCA News. Kryetari i Këshillit të Ipeshkvijve Katolikë të shtetit të Keralas foli këto ditë, në një kohë kur vendi po përballet me një mungesë të paparë oksigjeni, që po shkakton vdekjen e qindra pacientëve me Covid-19.

Strukturat shëndetësore në vështirësi të mëdha

India ka arritur tashmë në më se 350.000 raste të reja me koronavirus në ditë. E gjatë 24 orëve të fundit, kanë humbur jetën 3293 vetë. Strukturat shëndetësore të vendit janë tejmbushur me të sëmurë e nuk arrijnë ta përballojnë më gjendjen. Pacientët po vdesin si në shtëpitë e tyre, pasi nuk arrijnë të shtrohen në spital për mungesë shtretërish, ashtu edhe në vetë spitalet, për shkak të mungesës së oksigjenit. Strukturat shëndetësore shtetërore e private në Nju Delhi dhe në shtete të tjera kanë filluar të mos i pranojnë më të sëmurët rëndë, që kanë nevojë për oksigjen. Pamjet e pasqyruara në mediat vendase, me të sëmurë, që vdesin në ambulanca, para spitaleve, kanë bërë tashmë xhiron e botës. India, vendi i dytë më i populluar në botë, me 1,4 miliard banorë, është i katërti, që e ka kapërcyer pragun e 200 mijë viktimave të koronavirusit, pas SHBA-ve, Brazilit dhe Meksikës. E, mendohet se shifrat zyrtare si për të infektuarit, ashtu edhe për viktimat, janë të përgjysmuara.

Oksigjeni, thelbësor si ushqimi

Përballë këtij skenari tragjik, kardinali Alencherry i kujton qeverisë se e ka për detyrë të gjejë e të furnizojë të gjitha spitalet e qendrat shëndetësore indiane me oksigjen. Ai i bën thirrje qeverisë federale dhe çdo shteti që ta konsiderojë oksigjenin për të sëmurët si të drejtë themelore të njeriut. Vërtet, nuk kuptohet pse oksigjeni gjendet në tregun e zi, ku ka arritur çmime jashtëzakonisht të larta, por nuk gjendet në spitale, duke përjashtuar kështu nga trajtimi ata të sëmurë, që nuk i kanë mundësitë ekonomike për ta blerë. Oksigjeni, kërkon kardinali, “duhet të konsiderohet njëlloj si ushqimi, veshja dhe strehimi”. “Zakonisht, flasim për ushqimin, veshjen dhe strehimin si për nevoja themelore, që një qeveri duhet t’i sigurojë për njerëzit. Tani, – ngre zërin ai - me përhapjen e Covid-19, jeta e njerëzve është tejet në rrezik dhe ka kërkesë të madhe për oksigjen, që të sigurohet mbijetesa”. Pikërisht në këto orë, vende si SHBA-të e Britania e Madhe, por edhe të tjerë, po mobilizohen për të dërguar oksigjen në Indi, ku po mbaron edhe rezerva e drurit, përdorur për të djegur në rrugë viktimat e Covid-19.

28 prill 2021, 10:56