Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: "bariu"

Shpesh dëgjojmë ta thërrasin meshtarin “bari”. Ku e ka origjinën kjo fjalë dhe cili është kuptimi i saj, sipas Biblës? Në Ungjillin sipas Gjonit, bariu vihet në antitezë me mercenarin: në orën e rrezikut, ky i fundit përpiqet të shpëtojë vetëm veten. Ndoshta edhe Jezusi aludon për meshtarët, skribët, politikanët e kohës e xelotët, për rebelët antiromakë, të gjithë gati të arrijnë e të mbrojnë qëllimet e interesat e veta, por jo të japin jetën për grigjën, pa dyshim.

R.SH. - Vatikan

Të dielën e ardhshme, Papa kremton në Vatikan Meshën për shugurimin e 9 meshtarëve tё rinj, të cilëve, që nga ai çast, u besohen besimtarët, u besohet grigja e Krishtit, bëhen barinj të saj. Shpesh dëgjojmë ta thërrasin meshtarin “bari”. Ku e ka origjinën kjo fjalë dhe cili është kuptimi i saj, sipas Biblës? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi në emisionin e sotëm.

Rruga mbizotëruese për të folur mbi Zotin është ajo simbolike e Bibla është dëshmi e gjallë, e vazhdueshme dhe tërheqëse për këtë. Fillohet nga shenja konkrete të botës, ose nga përvoja dhe gjenden në to elemente, që mund të na udhëheqin drejt lartësive, drejt plotësisë e përkryerjes, drejt Zotit. Dihet se populli hebraik ishte endacak, prandaj i lidhur me jetën e barinjve, shpesh në antitezë me atë sedentare: është emblematike skena e Abelit bari dhe e Kainit bujk, me përfundimin e saj tragjik. Bibla tregon shpesh një lloj nostaligjie për nomadizmin, edhe duke u bazuar në ngjarjet e eksodit, kur Izraelit iu desh të endej për 40 vjet në stepat e Sinait.

Por të kthehemi në simbolizmin baritor e në zbatimin e tij teologjik, që i referohet Zotit, i cili në Besëlidhjen e Re quhet “Bariu i madh i deleve” (Heb 13,20). Në këtë imazh, dy janë kompenentet themelore. Nga njëra anë, bariu udhëheq grigjën. Siç thotë Psalmi 23, “thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim” (v.4) e udhëheqin përmes luginës së hijes së vdekjes. Ose, siç thotë Jezusi, bariu “u prin dhe delet i shkojnë mbas, se e njohin zërin e tij” (Gjn 10,4).

Nga ana tjetër, ekziston një element tjetër i rëndësishëm, që nuk vihet re shpesh: bariu është shoku i jetës dhe i udhëtimit të grigjës së vet. Gjithnjë në Psalmin 23 pohohet “s’trembem nga e keqja, sepse ti je me mua”. Bariu nuk shpëton më parë vetveten, nuk e shuan urinë, ose etjen pavarësisht nga grigja e tij, por jeton me të. Duke përdorur një imazh të veçantë, që ka të bëjë me botën e barinjve, atë të rrëshiqit, me ujin e nevojshëm për të shkuar nga një oaz në tjetrin, pslamisti pohon se Bariu hyjnor “lotët e mi mbledh në rrëshiqin e vet” (shih Ps 56,9), duke penguar kështu që vuajtjet ta humbin kuptimin e tyre. Madje, Jezusi deklaron se bariu “jep jetën për delet”.

Simbolizmi ka shpesh dy anë, që vendosen kundër njëra-tjetrës, në mënyrë që kuptimi të dalë nga krahasimi, nga paradoksi. Na e mëson këtë profeti Ezekiel, kur në kapitullin 34 të librit të tij përvijon sjelljen e barinjve të Izraelit, ose të krerëve politikë e fetarë, të cilët shqetësohen “të ushqehen me qumësht, të vishen me lesh, të presin berret e majme…por të ligshtën nuk e përtërijnë, të sëmurën nuk e shërojnë, të thyerën nuk e lidhin, të ndarën nuk e kthejnë” (shih 34,3-4).

Ndërsa, në Ungjillin sipas Gjonit, bariu vihet në antitezë me mercenarin: në orën e rrezikut, ky i fundit përpiqet të shpëtojë vetëm veten. Ndoshta edhe Jezusi aludon për meshtarët, skribët, politikanët e kohës e xelotët, për rebelët antiromakë, të gjithë gati të arrijnë e të mbrojnë qëllimet e interesat e veta, por jo të japin jetën për grigjën, pa dyshim.

Bariu i mirë – ose siç thotë teksti grek i kapitullit 10 të Ungjillit sipas Gjonit, “bariu i bukur” – është ai që e njeh dhe e do grigjën e vet. Ky është modeli, nga i cili duhet të marrin shembull edhe barinjtë e Kishës, siç kanë bërë, duke filluar nga Shën Pjetri, që merr misionin për të kullotur delet e grigjës së Krishtit (Gjn 21,15-17). E pikërisht shën Pjetri është ai që i këshillon barinjtë e Kishës “ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikqyrnie jo përdhunë, por vullnetisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës” (1Pjt 5,2-4).

22 prill 2021, 08:36