Kërko

Vatican News
José Gregorio Hernández Cisneros José Gregorio Hernández Cisneros 

Venezuelë: më 30 prill lumnohet mjeku i të varfërve José Gregorio Hernández

Universiteti Qendror i Venezuelës “Alma Mater”, do të jetë skena e lumnimit, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, së bashku me të gjithë ipeshkvijtë dhe popullin venezuelan, në përkim me mundësitë e kësaj kohe të pushtuar nga pandemia.

R. SH. - Vatikan

Konferenca ipeshkvnore venezuelane (CEV) njofton se lumnimi i të Nderuarit Doktor José Gregorio Hernández do të kremtohet të premten, më 30 prill, në Stadiumin e Universitetit Qëndror të Venezulelës (UCV) e do të kryesohet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ish-nunc apostolik në Venezuelë, i cili pohoi se është tejet i lum, që po kthehet, me këtë rast, në Venezuelën e dashur. Një ditë më pas, në qytetin e lindjes të të Lumit të ri, Isnotú (Shteti Trujillo), do të kremtohet Mesha e falënderimit, kryesuar nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve

Festa e Shën José-s do të kremtohet më 26 tetor

Festa e Shën Josés do të kremtohet çdo vit më 26 tetor, datë e lindjes së Mjekut të të varfërve. Pak njerëz kanë fatin të duhen nga populli i vet aq, sa e deshën venezuelanët  Mjekun e tyre shenjt, profesor e shkencëtar  i madh - e njëkohësisht, gjë që nuk ngjet shpesh, edhe shërbëtor i përvuajtur i të varfërve. Ceremonia e lumnimit do të mbahet në UCV, sepse këtu José Gregorio studioi, u diplomua, qe profesor, studiues e pionier i përparimit të mjekësisë  në Venezuelë.

Lumnim – në çastin e  duhur

Në konferencën e shtypit, mbajtur me këtë rast,  u paraqit edhe  Relikuari, ku ruhet relikja origjinale e José Gregorio Hernandez. “Lumnimi kremtohet në çastin më të mirë - kujtoi kardinali Porras, kryeipeshkëv i Meridës, administrator apostolik i Karakasit, - në mes të një krize globale e një pandemie, që vë në dukje sa i ligshtë është njeriu  e sa nevojë ka për dikë, që të kujdeset për shëndetin e tij që, siç thotë një fjalë e urtë popullore “shkon me okë, e vjen me dërhem”. E nuk ka balsam më të mirë se një mjek, që të kupton, të mjekon e të shëron! Në përngjasim të Krishtit, mjek i korpit e i shpirtit njerëzor! Lum populli që rrit bij të tillë! E nuk bie viktimë e tregtarëve të shëndetit!

Devocion i përgjithshëm

Devocion i mbarë popullsisë së vendit, ky për Mjekun shenjt, gjë që tregon se ai u përket të gjithë venezuelanëve, sepse e shkriu tërë jetën në shërbim të shëndetit e të paqes të të gjithëve. Duke ndikuar fuqimisht jo vetëm për shërimin e trupave, por kryesisht të shpirtrave.

I Nderuari José Gregorio Hernández, i katërti i lum venezuelan

Mjeku i të varfërve është i katërti  i Lum venezuelan. Kanë kaluar  70 vjet nga fillimi i procesit të kanonizimit të “Doktorit të të varfërve”, nisur më 1949 nga ipeshkvi i asokohshëm i Karakasit, imzot Lucas Guillermo Castillo. Më 16 janar 1986 José Gregorio Hernández u shpall i Nderuar nga Papa Gjon Pali II. Më 9 janar 2020, më në fund, Komisioni Mjekësor i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e miratoi mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Njeriut, që pati bërë për ditë mrekulli, duke u kthyer shëndetin e humbur të sëmurëve, që patën fatin të binin në dorë të Mjekut-Shenjt!

28 mars 2021, 10:52