Kërko

Vatican News

Trembëdhjetë të Martet e Shëna Ndout

R.SH. - Vatikan

Trembëdhjetë të Martet me Shëna Ndoun sivjet filluan të martën e 16 marsit 2021.

“Trembëdhjetë të Martet e Shëna Ndout, janё njё devocion karakteristik antonian, me të cilin për 13 javë rresht besimtari përgatitet të bëhet i denjë për premtimet e Jezu Krishtit dhe pёr kremtimin e festës sё Shenjtit.

Lutje për t’u thënë çdo të Martë e edhe çdo ditë, deri më 13 qershor.

1. O i lumnueshmi Shenjti Shëna Ndue, ti që pate nga Zoti pushtetin të ngjallje të vdekurit, zgjoma shpirtin e dremitur e ma nxirr hirin, që të jetoj një jetë të kushtuar e të shenjtë.

Lavdi i qoftë Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

2. O i dituri Shenjti Shëna Ndue, ti që me doktrinën tënde ishe, e je, dritë për Kishën Shenjte e për mbarë botën, ma shndrit mendjen, që ta kuptoj të vërtetën hyjnore. Lavdi i qoftë Atit…

3. O Shenjt i mëshirshëm, që i ndihmon të gjithë ata, të cilët të luten plot me besim, më ndihmo edhe mua e të dashurit e mi në nevojën, që po ta paraqes në gjunjë para elterit tënd. Lavdi i qoftë Atit…

4. O Shenjt bujar, që duke e pranuar frymëzimin hyjnor, ia kushtove gjithë jetën shërbimit të Zotit e të vëllezërve, premto ta dëgjoj gjithnjë me bindje fjalën e  të Tejetlartit. Lavdi i qoftë Atit…

5. O Shenjt i dashur, që me ndërmjetësimin tënd pranë Zotit, ua rikthen shëndetin shumë të sëmurëve, ndihmomë të shërohem nga sëmundja e prirjeve të këqija e nga çdo gërbulë mëkati. Lavdi i qoftë Atit,

6. O Shenjt, Pajtori im, që u përpoqe gjithnjë për shëlbimin e vëllezërve, më prij në detin pa fund të jetës, që të mund të arrij në limanin e lum të amshimit. Lavdi i qoftë Atit…

8. O i mëshirshmi Shëna Ndue, që gjatë jetës sate i nxore hirin e çlirimit shumë të dënuarve, ndërmjetëso që edhe unë të çlirohem nga  çdo e keqe e të mund të jetoj në hir të Zotit. Lavdi i qoftë Atit…

9. O Shenjt Mrekullibërës, Zoti të dha hirin t’i ngjitësh prap për trup gjymtyrët e këputura, mos premto të bëhem gjymtyrë e prerë nga dashuria e Zotit  dhe  e Kishës. Lavdi i qoftë Atit

10. O Shenjt i shumëdashur, ti që ndihmon për të gjetur sendet e humbura, bëj që të mos e humbas kurrë miqësinë me Zotin, por ta ruajë besnikërisht gjithë jetën. Lavdi i qoftë Atit…

11. O  ndihmës i të varfërve, që ua dëgjon lutjen, kur ngarendin tek ti, pranoje lutjen time e paraqite para fronit të Zotit, që Ai i Lumi të ma japë ndihmën e Tij. Lavdi i qoftë Atit…

12. O Shëna Ndue, ti që ishe apostull i palodhshëm i fjalës së Zotit, më ndihmo që të jap dëshminë e fesë sime me fjalë e me verpa. Lavdi i qoftë Atit…

13. O fort i dashuri Shenjti Shëna Ndue, që e ke në Padovë varrin e bekuar; shikoji me dashamirësi nevojat e mia; dëgjoji lutjet, foli Zotit për mua, me gjuhën tënde të mrekullueshme, që as vdekja nuk mundi ta kalbë e ta prishë. Foli me të Zotit, që lutjet e mia të pranohen e dëshirat e mia të plotësohen. Lavdi i qoftë Atit,

Lutu për ne, o i mrekullueshmi Shenjti Shëna Ndue i Padovës

E do të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit!

Të lutemi:

O Zot i gjithëpushteshëm e i amshuar, që nëpër Shëna Ndoun e Padovës i dhe popullit tënd predikatarin zëmadh të Ungjllit e Pajtorin e të varfërve  dhe të të munduarve, na e jep edhe ne,  nëpër ndërmjetësimin e tij, hirin t’i ndjekim mësimet e jetës së krishterë e të mos na mungojë, në çaste të vështira,  ndihma e shpejtë e mëshirës sate.

Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 Si quæris miracula

 Në lypë o njeri mrekulli

(Përkthim i vjetër, sipas traditës)

 

“Në lypë, o njeri, mrekulli,

Si n’idhnim, si në zor, si n’dekë.

Të këqijat zhduken gjithë unji,

I shëndoshtë n’ kjosh, o në fill tue hjekë.

 

 O i mrekullueshmi Shêjti Shëna Ndue,

Ty qiella e toka âsht tue t’nderue,

Na ndër kambë tua sot kena rá

Deh! Pra po t’lutena ndihmë me na u bâ.

 

Djalli rrebtë me shumë duhí,

E gerbula n’shumë ezgjet,

Zhduken shpejt emnin tue ndi

Të Shëna Ndout, kur kush i thërret.

O i mrekullueshmi…

Fashitë deti me tallaze,

Zgidhen robtë n’robni t’ shtenguem,

Paqa vjen, s’rrinë me maraze,

Nieri jet kryekëput i gëzuem.

O i mrekullueshmi…

Gjâ n’t’pastë tretë për me e gjetë ké,

O burrë n’kjosh, o plak, o i ri.

Zòr, rrezik, çka të kesh mbi dhè

M’u zhdukë ka sall n’êmën të tij.

O i mrekullueshmi…

Padovant pa prâ diftojnë,

Gjith’këto punë që bâjnë vakí,

Një mbas tjetret e kallxojnë,

Nderim n’Shêjtin tue pertri.

O i mrekullueshmi…

Atit të madh i kjoftë lumní

Qi me t’Birin bashkë sundoftë,

E me Shpirtin gjith Shêjtní.

Të treve bashkë lumní u kjoftë”

 O i mrekullueshmi…

 

Të lutemi: O Zot, kujtimi i Shëna Ndout, doktor ungjillor i Kishës, e gëzoftë familjen tënde që, e fortë në shpirtin e tij, të meritojë një ditë gëzimin e lumnisë së amshuar të qiellit.

Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin… Amen.

 

24 mars 2021, 09:05