Kërko

Vatican News
Irak: Manastiri në Erbil Irak: Manastiri në Erbil 

Murgjërit e Erbilit: në Mosul i rrënuan kishat, por ne përgjigjemi me lutje

Ditën përfundimtare të Shtegtimit Apostolik në Irak, Françesku ishte në Mosul, Karakosh, Erbil. Nga Rrafshi i Ninives, në Rajonin autonom të Kurdistanit. Këtu u strehua bashkësia kaldease, që jetonte në Mosul, në manastirin e rrafshuar nga tërbimi ekstremist islamik. Eprori i manastirit siguron se të krishterët humbën gjithçka, veç fesë. E kjo ka më shumë rëndësi se strehët e shembura, që mund e do të rindërtohen. Papa nuk vjen t’i zgjidhë problemet tona, por të na mësojë ta duam me gjithë zemër, pohon.

R. SH. - Vatikan

Pushtimi i Rrafshit të Ninives nga Isis e zhduku praninë e krishterë në këtë rajon, ku u luajt një nga tragjeditë më të tmerrshme të shekullit. Më se 100 mijë të krishterë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre, së bashku me pakicat e tjera të persekutuara, sidomos, me yazidët. Shumë nga këto familje u strehuan në Kurdistanin irakian, në lagjen e krishterë të Erbilit. Pastaj edhe në kampet e refugjatëve të Jordanisë, Sirisë, Turqisë e Libanit, ose kërkuan strehim në Evropë e në kontinentet e tjera. Në vitet e fundit së paku 55 mijë të krishterë irakianë ikën në Kurdistanin irakian. Tërbimi shkatrrimtar i xhihadistëve nuk i kurseu kishat, as pronat e tyre, të cilat u dëmtuan rëndë, ose u bënë rrafsh me tokë.

Manastiri kaldeas ne Mosul, shkatërruar nga Isisi
Manastiri kaldeas ne Mosul, shkatërruar nga Isisi

Rindërtimi i trashëgimisë historike kristiane

Një pjesë e rëndësishme historike kristiane shpëtoi nga gjithë ky rrënim, falë imzot Najib Mikhael Moussa, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldejve, që arriti të shpëtojë nga rrënimi i madh 800 dorëshkrime historike të shekujve XIII-XIX. Vepër heroike kjo, për të cilën prelati domenikan u nderua,  në vitin 2020 nga Bashkimi Evropian me Çmimin Sakharov. Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”  po jep një ndihmesë të madhe për rindërtimin e shtëpive (më se 14 mijë) e të kishave të rrënuara, ose të dëmtuara (nga 363 struktura, që përfshijnë edhe ndërtesa me funksion shëndetësor, shoqëror dhe edukativ, 34 u rrënuan plotësisht, 132 u dogjën e 197 u dëmtuan pjesërisht).

Të krishterët në Irak, që në agim të krishterimit

Në nëntor 2020 pothuajse gjysma e të krishterëve të Ninives u rikthyen, ndërsa 80% të kishave në Rrafsh ishte në fazën e rindërtimit (me përjashtim të Mosulit ku, për shkak të ngadalësisë administrative, punimet kanë nisur vetëm në njërën nga dhjetë kishat e rrënuara). Rreth 57% të banesave të dëmtuara, që u përkasin familjeve të krishtera në zonat e përfshira në planin e ndërhyrjes, u ngritën përsëri në këmbë: 35% falë Ndihmë për Kishën që Vuan që, ndërmjet viteve 2014 e fundit të vitit 2020 mblodhi 48 milionë euro për të siguruar praninë e krishterë në Irak.

Edhe manastiri i Shën Gregorit në Mosul u shkatërrua. Atë Yohanna Samer Soreshow, pasi u shugurua meshtar në Irak, në vitin 2006, u nis për në Itali, ku ndenji deri më 2014, për të ndjekur Institutin Papnor Biblik. Dëshironte të kthehej në vendin e tij, në Mosul, por nuk mundi, për shkak të pranisë së Isis. Atëhere meshtari, sot epror i bashkësisë së murgjërve kaldeas, u nis për në Erbil e tani tregon sesi dy vjet më parë filloi rindërtimi i një manastri të ri, për të zevendësuar atë,  që u shemb në Mosul:

Ta dëgjojmë atin Yohanna Samer Soreshow:

“Na u mor gjithçka, por na mbeti gjithnjë spiranca e fesë, shpresa për t’u bërë përsëri siç ishim! Jemi të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këtë vend. Manastiri i vjetër u kthye në një grumbull gërmadhash, por jo shpresa për ta ribërë këtu ku jemi, e ndoshta, edhe për t’u rikthyer atje, ku ishte! Po tani sytë tanë vijojnë të shikojnë vendet e shkatërruara, vendet e çkishëruara, vendet ku u varros çdo gjurmë e pranisë sonë mijëvjeçare. Të krishterët nuk janë të huaj këtu, jemi autoktonë, flasim akoma në aramajke, në gjuhën e Jezusit. Këtu i kemi rrënjët, edhe pse detyrohemi të bredhim nga njëri qytet në tjetrin. Ndjehemi të plagosur, të grabitur, të fyer në dinjitetin e tonë, por paguajmë gjithnjë me lutje, me ndjetin për të dashur e vullnetin e rrënjosur në Ungjill për të bërë mirë, në përpjekjen për krijimin e një shoqërie më të fisme, në mënyrë që njerëzit, të cilët i dëmtuan pakicat, të ndryshojnë, të bëhen më të mirë”.

Manastiri kaldeas ne Mosul, shkatërruar nga Isisi
Manastiri kaldeas ne Mosul, shkatërruar nga Isisi

Si u përgatitët për ardhjen e Papës?

“Ne i themi ‘vëlla’, si në arabisht, ashtu edhe në armajkshe, atij që na shtrin dorën, kur ndjehemi keq. Dëshiruam gjithnjë që vëllezërit tanë në Krishtin ta ndjenin si të veten dhimbjen tonë e të na ndihmonin! Dëshira e Papës për të ardhur këtu e për të mos na i zhgënjyer shpresat,  e kujtimi i popullit irakian në lutjet e tij, na ngushëlluan aq, sa të mund të përballonim çdo vuajtje. Ai erdhi për të na thënë ‘jam vëllai juaj, e ndjej dhimbjen tuaj, sjell paqe, shpresë, dashuri!’. E dimë se Papa bëri ‘një gjest të çmendur’ duke ardhur tek ne, por ne na bëri të lum, mbasi e pamë se kemi vlerë para syve të tij. Ai nuk erdhi për të na i zgjidhur problemet tona, por për të na ndihmuar të duhemi fort e të dialogojmë, t’i japim rëndësi çdo qytetari, pavarësisht nga përkatësia  etnike e fetare”.

07 mars 2021, 14:03