Kërko

Vatican News

Sot bie Dita e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit

Sot mё 24 mars bie “Dita 29-të e lutjes dhe agjërimit në kujtim të Misionarëve Martirë", dëshmitarë të Jezu Krishtit. E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri, duke vuajtur së bashku me popullin dhunën otomane, komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e mbarë kombit shqiptar.

R.SH. - Vatikan

Sot mё 24 mars bie “Dita 29-të  e lutjes dhe agjërimit në kujtim të Misionarëve Martirë", dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe tё Ungjillit. Kisha ofron disa dëshmi të misionarëve të vrarë për shkak të Ungjillit në kontinente të ndryshme, në kohë dhe kontekste të ndryshme.

Kjo ditë përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, derisa kremtonte Meshën e Shenjtë. Ai pat denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në vendin e tij. 

E që nga viti 1993 Kisha Katolike ia kushton këtë ditë misionarëve martirë e kështu, sot më 24 mars, mediton mbi vlerën e farës së gjakut të martirëve, që dhuruan jetën e tyre për Krishtin dhe për njeriun vëlla, duke flijuar çdo gjë, deri jetën për fe e për dashuri vëllazërore. Jeta e këtyre martirëve na përket të gjithëve, për këtë arsye, në këtë ditë, Kisha lutët për misionarët që derdhen gjakun për Krishtin dhe na fton të përforcohemi në fenë tonë të krishterë e në misionin tonë të përditshëm të bartjes e dëshmisë së dashurisë së Krishtit në çdo çast e mjedis ku gjendemi, jetojmë dhe veprojmë. Pra, prej vitesh, Kisha e kremton datën e 24 marsit me lutje dhe agjërim në përkujtim të atyre që janë vrarë vetëm e vetëm pse besonin në Krishtin dhe pse mbronin e ndihmonin njeriun në të gjitha të drejtat. 

Dita filloi të kremtohej më 1993 nga Lëvizja Rinore Misionare, e cila deshi kështu ta bënte të vetën trashëgiminë e idealeve të kryeipeshkvit të San Salvadorit imzot Romeros dhe njëkohësisht, të sensibilizonte opinionin publik botëror për të gjithë ata që martirizohen në mision. Për të gjithë e posaçërisht për të rinjtë, kjo është me domethënie të madhe, një dëshmi e jashtëzakonshme dhe një mësim që bota rinore katolike i jep Kishës për të kujtuar se feja në Krishtin, në shumë vende të botës, paguhet ende sot me çmimin e jetës, me martirizim.

E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëriduke vuajtur së bashku me popullin dhunën otomane, komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e mbarë kombit shqiptar.

Misionarët martirë nuk janë larg jetës së përditshme, por thjesht dëgjuan zërat që vinin nga territori i tyre e sfidat e tij dhe dëshmuan aty Krishtin. Sigurisht, nuk është e thjeshtë, por ia dolën mbanë, prandaj edhe ne duhet të dëgjojmë se ç’vjen nga vendi ku jetojmë e të jemi të krishterë gjithmonë, në kishë, por sidomos në jetën e përditshme, jashtë kishës. Duhet t’u japim sfidave e provokimeve që vijnë nga bota, një përgjigje të bazuar në Ungjill.

Misionarët martirë janë « shpresë për botën », që na kujtojnë vlerën e krishterë të martirizimit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit . Martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit .

24 mars 2021, 12:46