Kërko

Vatican News
Atë  John Luke Gregory Atë John Luke Gregory  

Siria, drama e fëmijëve refugjatë në Rodi e në Kos

Atë John Luke Gregory, françeskan i Rojtarisë së Tokës Shenjte e mëkëmbës i përgjithshëm i kryedioqezës së Rodit, flet, në Vatican News, për situatën humanitare të fëmijëve sirianë të ikur nga lufta e të strehuar në ishujt e Detit Egje.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e dhjetëvjetorit të luftës së Sirisë, Shoqata për Tokën Shenjte, Ojq e lidhur me françeskanët e Rojtarisë, botoi një video, që tregon historinë e Ayad: një fëmijë i lindur në Haleb pikërisht në mars të vitit 2011. Në sytë e tij lexohen vitet e konfliktit,  që e rrafshuan vendin, duke ia grabitur ardhmërinë popullsisë së “të dashurës e të martirizuarës Siri”, siç e quajti, më 14 marsin e kaluar, Papa Françesku. Ashtu si Ayad, miliona fëmijë sirianë nuk e dinë ç’është paqja. Nuk e kanë parë kurrë. Nuk e njohin. Një dëshmi e drejtpërdrejtë e kësaj drame humanitare arrin nga ishulli grek i Rodit, në Detin Egje, tokë kufiri e prej vitesh cak i migrantëve të detyruar të ikin nga Lindja e Mesme e nga Afrika. Atë John Luke Gregory, frat françeskan i Rojtarisë e vikar i përgjithshëm i kryedioqezës së Rodit, i njeh mirë ngjarjet e të miturve të ikur nga lufta siriane, madje edhe të atyre, që lindën në kampet e refugjatëve. Fëmijët e luftës. E të ikjeve pa cak! Fëmijët e kampeve. Këto javë - tregon në mikrofonet e Radio Vatikanit - deti është më i qetë e migrantët kanë nisur të duken përsëri në brigjet tona. Ndeshjet e kohëve të fundit, që shpërthyen ndërmjet guvernatoratit të Idlibit, në Veri-Perëndim të vendit, po shkaktojnë ikje të reja në masë të popullsisë:

Sa refugjatë strehoni aktualisht në Rodi?

“Këtu, në Rodi, aktualisht janë rreth treqind vetë, po, si françekanë, ne merremi edhe me tremijë refugjatët,  që ndodhen në famullinë tonë, në Ishullin Kos”.

A janë shumë të ardhurit nga Siria?

“Shumë. Në gusht të vitit 2016 në ishullin Kos arritën 5 mijë vetë nga Siria. Nëse mendojmë për popullsinë e këtij ishulli,  që arrin në 30 mijë vetë, atëhere e kuptojmë më mirë ç’do të thonë për ne këto zbarkime. Pikërisht një vit më parë, në disa ishuj grekë, popullsia protestoi për shkak të shtimit të zbarkimeve. Sot shumë nga migrantët e djeshëm ikën, por mbetën fëmijët me origjinë siriane të lindur këtu, gjatë luftës. Janë fëmijë që nuk e njohin fare vendin e tyre. Ndërmjet tyre ka edhe shumë të mitur të pashoqëruar si dhe të rinj 15 -16 vjetësh, pa prindër, që përbëjnë një problem të madh e një shqetësim edhe më të madh në këndvështrimin humanitar. Ne, françeskanët,  po bëjmë çka mundim: për festën e Shën Jozefit përgatitëm dy torta vigane prej çokollate për t’ua shpërndarë refugjatëve e, posaçërisht, fëmijëve, që mbetën shumë të kënaqur. Tani kemi në bashkësi një frat nga Nazareti, që flet arabisht.  Natyrisht më mirë se unë, sepse është gjuha e tij.  E ai po u jep një ndihmë me të vërtetë të madhe. Përpiqemi ta kuptojmë më mirë gjendjen e këtyre fëmijëve, të kalojmë më shumë kohë me ta, të luajmë me ta. Shpresojmë se, në të ardhmen, do të hapim edhe një shkollë të vogël: unë mund të jap mësimin e greqishtes, vëllai arab, arabishen, gjë që do t’i ndihmojë, si hap i parë, për shkollimin e mëtejshëm. Kjo është një nga përpjekjet, për të cilat po mendojmë. E duhet thënë se ndihmat, që na vijnë nga Vatikani, janë për ne themelore”.

Askush nuk mendon për edukimin e tyre?

“Jeta e tyre edhe këtu është e ndërlikuar. Në fillim autoritetet nuk donin të frekuentonin shkollat e ishullit, sepse nuk ishin të vaksinuar, si evropianët e tjerë. Tani, me ardhjen e pandemisë, shkollat janë mbyllur fare. Po ne shpresojmë se në të ardhmen do të mund të ndjekin shkollat vendase, përndryshe, duhet ta hapim ne shkollën për ta”.

Me ç’sy e shikoni ardhmërinë?

“Problemi i madh është se këta të mitur të pashoqëruar shpesh janë edhe pa dokumente: herë i kanë humbur udhës, herë në det. Po pa dokumente nuk mund të shkosh asgjëkundi. E kjo është drama e tyre e vërtetë. Pastaj është gjithë filli i ngatërruar burokratik për t’u çmpleksur, që ata të mund të sigurojnë dokumentet e identitetit, të cilat zakonisht vonojnë tepër e tani, me Covidin, janë bërë edhe më të pakapshme. Shpresojmë se dalëngadalë do të vijë edhe për ta një ardhmëri më e mirë, në krahasim me këtë, që mund t’u sigurojmë ne, në këto vise, ku e ardhmja nuk u buzëqesh”.

26 mars 2021, 16:28