Kërko

Vatican News
San Simplicio, Basilica di san Paolo fuori le mura San Simplicio, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 10 mars kalendari përkujton Shën Simpliçin, Papë

Shën Simpliçi e udhëhoqi Kishën Universale në vitet e vështira e të errëta, kur Perandoria Romake e Perëndimit shembej nën peshën e padurueshme të dyndjeve barbare e të kolerës. Kjo ngjarje pati pasoja të rënda si për jetën civile, ashtu edhe për atë Kishtare. Si Kryebari i Kishës Universale, Simpliçi Papë luftoi kundër herezisë ariane dhe monofizizmit, që mohonte natyrën hyjnore të Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Më 10 mars kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Simpliçin Papë, që e drejtoi Kishën katolike nga 3 marsi i vitit 468 deri me 10 mars 483.

Simpliçi, i lindur në Tivoli afër Romës, u ul në fronin e Shën Pjetrit në udhëheqje të Kishës Universale në vitet e vështira e të errëta, kur Perandoria Romake e Perëndimit shembej nën peshën e padurueshme të dyndjeve barbare e të kolerës. Kjo ngjarje pati pasoja të rënda si për jetën civile, ashtu edhe për atë Kishtare.

Si Kryebari i Kishës Universale, Simpliçi Papë luftoi kundër herezisë ariane dhe monofizizmit, që mohonte natyrën hyjnore të Krishtit. Ndërtoi shumë kisha, ndërmjet të cilave, Kishën e Rrumbullakët të Shën Shtjefnit, në Romë, pranë së cilës ndodhet Shtëpia e përgjithshme e rregulltarëve të Kraharorit të Shenjtë, shumë të njohura në Shkodër për shkollën e tyre, si dhe Kishën e Shën Bibianës. 

Ishte njohës dhe mbrojtës i madh i arteve. Falë ndërhyrjes së tij energjike, shpëtuan nga shkatërrimi shumë vepra pagane arti, sidomos mozaikët e Kishës së Shën Andreut në Romë. Reliket e Shenjtit ruhen e nderohen në vendlindjen e tij, në Tivoli.

10 mars 2021, 09:52