Kërko

Vatican News
Jezu Krishti Jezu Krishti 

Shenjtoret e javes 14 -21 mars

E diel 14 mars, Kisha kremton të Dielën e katër të Kreshmëve. Gjithnjё mё 14 mars, kalendari kishtar kujton shën Matildën, mbretëreshë dhe të Lumin Plaçido Rikardin, murg i bazilikës së shën Palit jashtë mureve të Romës. Koha e fortë krezhmore, na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi e të agjërojmë, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë e se duam jetën e re, në Zotin.

R.SH. - Vatikan

E diel 14 mars, Kisha kremton të Dielën e katër të Kreshmëve, kohën që paraprijnë e përgatit kremtimin e Pashkëve.Gjithnjё mё 14 mars, kalendari kishtar përkujton shën Matildën, mbretëreshë dhe të Lumin Plaçido Rikardin, murg i bazilikës së shën Palit jashtë mureve të Romës.

Në qendër të Ungjillit të kësaj së diele, kemi fjalët e Jezusit drejtuar Nikodemit: “Hyji aq fort e deshi botën, sa dha një të vetmin Birin e vet”(Gjn 3,16). Duke i dëgjuar këto fjalë, i sjellim sytë e zemrës kah Krishti i kryqëzuar e ndjejmë brenda nesh se Hyji na do, na do vërtet, e na do shumë, tepër shumë! E ja shprehja më e thjeshtë, që e përmbledh mbarë Ungjillin, gjithë fenë, tërë teologjinë: “Hyji na do me dashuri pa kurrfarë interesi e pa kurrfarë kufiri”.

Të hënën më 15 mars, kalendari kishtar përkujton shën Zakarinë papë; e shën Luizën de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të shën Klementin Hofbauer, meshtar redentorist. Liturgjia e ditёs na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farisenjtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.

Të martën më 16 mars, kalendari kishtar përkujton shën Hilarin e Shën Tacianin, martirë të Akuilesë. Liturgjia e ditёs na kujton se vetëm Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi.

Të mërkurën më 17 mars, kalendari kishtar përkujton shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjonin Sarkandër. Liturgjia e ditёs na kujton ftesën e përsëritur të Zotit për t’u penduar, ndonëse Ai i Lumi e di mirë se do të mëkatojmë përsëri. Atij i intereson që ne t’i flakim maskat e hipokrizisë e të pranojmë haptazi se kemi tepër nevojë për mëshirën e Tij Hyjnore për t’u shëlbuar.

Të enjten më 18 mars, kalendari kishtar përkujton shën Çirilin, ipeshkëv i Jeruzalemit e doktor i Kishës dhe shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të premten më 19 mars, kalendari kishtar përkujton shën Jozefin, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtor i Kishës universale. Është dita e emrit të Papës sё nderit Jozef Ratzinger. Liturgjia e ditёs na bind se mënyra si veproi Zoti me Shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot: Hyji i gjen gjithnjë njerëzit e përshtatshëm, në çastet kur dëshiron të realizojë planet e tij, sepse Zoti i mban premtimet e veta.

Të shtunën më 20 mars kalendari liturgjik kujton edhe shën Gjon Nepomuçenin e shën Klaudien. Liturgjia e ditёs na kujton se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.

Të dielën e ardhshme mё 21 mars, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e 5-tё Kreshmёve, e gjithnjё mё 21 mars, kalendari kishtar pёrkujton shёn Nikollën nga Flye, Pajtor qiellor i Zvicër. Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, duke pranuar vdekjen e tij në kryq për të na çliruar ne nga vdekja e amshuar.

14 mars 2021, 09:30